Manaj titullar në Sassuolo-Inter

Të shtunën në mbrëmje do të jetë momenti i Rey Manajt. Në Reggio Emilia luhet Sassuolo-Inter një ndeshje që për skuadrën e Mançinit vlen thjeshtë për statistika, por nga ana tjetër kjo sfidë mund t’i shërbejë sulmuesit shqiptar të Interit, i cili do të ketë mundësi të tregojë realisht sesa vlen. Është thuajse e sigurtë prania e Manajt në formacionin titullar ndaj Sassuolos, kjo edhe për faktin se në këtë sfidë Interit do t’i mungojnë shumë lojtarë titullarë siç janë Icardi, Perisiç, Handanoviç, Miranda e Medel. Në këtë mënyrë 19-vjeçarit nga Lushnja i paraqitet mundësia e shkëlqyer për të luajtur për herë të parë që nga fillimi në një ndeshje të Serisë A me skuadrën zikaltër.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Empolit, trajneri Mançini u shpreh se nëse Interi e fitonte atë takim dhe siguronte matematikisht vendin e 4-t, në sfidën ndaj Sassuolos do t’u jepte një shans për të luajtur lojtarëve të rinj në moshë dhe atyre që kanë gjetur më pak hapësira në këtë sezon. Për fatin e mirë të Manajt zikaltërt fituan ndaj Empolit dhe tashmë Mançini do ta mbajë fjalën. Mediat që qëndrojnë pranë klubit milanez raportojnë talentin shqiptar do të jetë një titullar i sigurtë në duelin e të shtunës, kjo edhe për faktin se trajneri Mançini beson jashtëzakonisht te aftësitë e Rey Manajt.
Në këtë sezon 19-vjeçari shqiptar ka luajtur në total 129 minuta me Interin, 32 prej tyre në 4 ndeshje të Serisë A, dhe 97 të tjera në dy sfida të Kupës së Italisë, ku vetëm ndaj Cagliarit e ka nisur si titullar. Ndaj Sassuolos këtë të shtunë, Rey Manaj do të kërkojë golin e tij të parë me fanellën e Interit në një ndeshje zyrtare, gol që nëse arrin të realizojë mund të rrisë ndjeshëm shanset e tij për t’u grumbulluar nga trajneri i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi në Euro 2016.

Artikulli paraprakFMN: Shqipëria me rritjen më të ulët ekonomike në rajon
Artikulli tjetërSadiku dygolësh për mbijetesën e Vaduzit