Familjet e varfëra në errësirë, nuk mund të paguajnë energjinë

 

Pavarësisht se numri i hidrocentraleve që prodhojnë energji elektrike në vendin tonë është rritur, sërish çmimi i saj vazhdon të jetë i lartë për shumë familje shqiptare. Sipas Eurostat, Shqipëria është ndër vendet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, ku vetëm në Mal të Zi është më shtrenjtë. Duke marrë parasysh edhe të ardhurat e ulëta të shumë familjeve, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë, e cila u lejon familjeve me status në nevojë të përfitojnë të paktën një llambë ndriçuese, por edhe pse ka 2 vite që është aprovuar nga Parlamenti ende nuk është vënë në zbatim. Citizens Channel ka mësuar nga burime brenda Ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë se, ende nuk kanë një skemë se si do të zbatohet neni 95, 96 të Ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, ku përcakton se klientët familjarë, që kanë fituar statusin e familjeve apo klientëve në nevojë për furnizimin me energji elektrike, kanë të drejtën për të marrë shërbimin universal të furnizimit të energjisë elektrike, sipas disa kushteve të veçanta. Sipas dispozitave ligjore parashikojnë për këtë kategori klientësh “vulnerabël” u garantohet e drejta për furnizim minimal të energjisë elektrike. Nga Avokatit të Popullit mësojmë se janë më shumë se 80 000 familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe janë borxhlinj nga OSHEE-së, çka detyrimisht sjell dhe mungesën e energjisë elektrike tek këto familje, pasi situata socio-ekonomike nuk i favorizon që të jenë në gjendje të paguajnë. Për kamerën e Citizens Channel Ardian Muharremi, një kryefamiljar nga Selita, prej 2 vitesh jeton në dritën e qiriut, sepse nuk ka mundësi të paguajë borxhin që nuk ka ndaj OSHEE-së. Ndonëse, kjo e drejtë është parashikuar që në vitin 2015, institucionet përgjegjëse akoma nuk kënë hartuar aktet nënligjore që do të bënin të zbatueshme këtë të drejtë. Nga ana tjetër, një tabelë me shifra zyrtare e Eurostat tregon se, bazuar në raportin e të ardhurave për frymë të secilit shtet në Europë e nxjerr Shqipërinë si një nga shtetet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike. Çmimet e energjisë elektrike në vendin tonë nuk kanë ndryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 100 KwH çmimi mesatar fiksohet në 8.4 euro, çka sipas të dhënave më të fundit të Eurostat e bën Shqipërinë vendin e tretë më të lirë në Europë në terma absolutë, pas Kosovës dhe Serbisë me 6.6 euro. Eurostat merr në analizë vendet e unionit, ato kandidate dhe ato potencialisht kandidate si dhe vendet e Efta-s. E përkthyer në terma të fuqisë blerëse, pra, pesha reale e energjisë elektrike, duke llogaritur edhe të ardhurat e qytetarëve, Shqipëria nuk është aspak vendi më i lirë, por renditet i 24-ti ndër këto 40 shtete. Kjo do të thotë se, praktikisht, për një holandez, francez, apo austriak, sa për të marrë tre shembuj, elektriciteti është më i lirë se për një shqiptar. Kur bëhet fjalë për taksat ndërkohë, rezulton se Shqipëria është një ndër vendet që ka taksimin më të ulët për energjinë elektrike, në vetëm 17%. Por edhe këtu, Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia kanë peshë fiskale më të ulët.

Artikulli paraprakShifrat alarmante të varfërisë në Shqipëri
Artikulli tjetërFitorja është detyrim