Fitorja është detyrim

Liverpool ka një ndeshje që duhet të fitojë, të paktën në letër, por në ndeshjen e parë të vitit 2017 ishte Swansea që fitoi 3-2 në “Anfield Road”. Gjithsesi, “të kuqtë” janë optimistë duke parë mënyrën dhe sasinë e golave që kanë gjetur në këtë sezon. Mohamed Salah e ka gjetur rrugën e rrjetës 15 herë në Premier League, ku është golashënuesi më i mirë.
Liverpool ka luajtur 21 herë në ditën pas Krishtlindjeve, duke fituar në 12 raste. Rezultatet e tjera kanë qenë pesë barazime dhe katër humbje. Swansea ka fituar dy, barazuar 1 dhe humbur 2 nga pesë ndeshjet e luajtura në historinë në saj më 26 dhjetor, 24 orë pas Krishtlindjeve
Mes atyre që do të luajnë sot në “Anfield” është e Alex Oxlade-Chamberlain, që pavarësisht se nuk është aktivizuar me rregullsi, ka ende besimin e trajnerit Jurgen Klopp. “Chamberlain është një sportist i mirëfilltë dhe është ende shumë i ri. Ndoshta nuk do ta besoni, por unë mendoj se ai do ta shijojë karrierën e tij për 10 apo 12 vitet e ardhshme. Për momentin nuk është ende i kompletuar, sepse po të ishte i tillë do të konkurronte me Messi për rolin e më të mirit”, u shpreh Klop.
Nga ana tjetër, Swansea do të prezantohet në këtë ndeshje me trajner të ri, pasi u shkarkua Clement, trajneri i katër në dy sezonet e fundit. Bilanci i skuadrës nga Uellsi me një trajner të ri në stol është 3 fitore, 0 barazime, 2 humbje. Paul Clement, nuk e priste të shkarkohej: “Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të mirë me drejtuesit dhe futbollistët. Të gjithë kishin besim te unë dhe unë te vetja. U habita që më larguan, megjithatë i uroj suksese”.
Shumë larg nga Manchester City kryesues, “të kuqtë” dhe “blutë” duhet të marrin tri pikët në fushën e tyre, në garën për një vend në Champions League…
Chelsea, kampion i Anglisë në fuqi, duket se nuk është skuadra e vitit të kaluar, por edhe po të ishte me të njëjtin numër pikësh si në fund të 2016-ës, kur kryesonte, sërish City do të kishte qenë 6 pikë larg, sepse skuadra e Pep Guardiola po bën një kampionat magjik. Në këto kushte duket se të besuarit e Conte kanë ndryshuar objektiv, por gjithsesi fitorja në “Stamford Bridge” është gjithmonë një kusht i panegociueshëm me askënd.
Këtë herë kundërshtari është Brighton. Kjo skuadrën e ka nisur shumë mirë sezonin dhe është 19 pikë larg arritjes së kuotës së 40 pikë, e cila garanton praninë edhe për një sezon mes të mirëve të futbollit në Angli. Chelsea i ka fituar të pesë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi në Premier League, me të paktën dy gola të shënuar. Ky ishte reagimi i “bluve”, pas humbjes ndaj Manchester City, 1-0. Brighton i ka humbur të tre ndeshjet e fundit të luajtura jashtë, duke pësuar pesë gola në total, 1.6 për ndeshje. Faktikisht, Brighton vuan në gjetjen e golit jashtë fushe, pasi ka shënuar vetëm pesë të tillë. Vetëm Crystal Palace me katër gola në transfertë ka bërë më keq.
50% të golave të shënuar nga Brighton në këtë kampionat kanë ardhur në 20 minutat e para të pjesës së dytë.
Herën e fundit që Chelsea është ndeshur me Brighton ka qenë në kategorinë e dytë në sezonin 1988/’89. “Blutë”, që atë vit fituan kampionatin, duke u ngjitur në Premier League, i fituan të dyja ndeshjet, 1-0 jashtë fushe dhe 2-0 në shtëpi. “Fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Watford na ka shtuar besimin se mund të arrijmë një rezultat të mirë kundër Chelsea”, tha trajneri i Brighton, Chris Houghton.

Artikulli paraprakFamiljet e varfëra në errësirë, nuk mund të paguajnë energjinë
Artikulli tjetër40 milionë euro për të “liruar” Sanchez