Euro në ditën e shtatë të rënies, bizneset: Po shesim në valutë

Albana, e cila  prej 15 vitesh këmben valutë pranë “Librit Universitar”, tregon se në tre muaj aktiviteti në pikën e saj të këmbimit është frenuar. Nivelet e ulëta të këmbimit euro/lek, për ata të cilët posedojnë valutë, ka bërë që individët të stepen dhe të presin momentin kur euro do të forcohet sërish. Por, monedha e përbashkët ka hyrë në ditën e shtatë radhazi të zhvlerësimit, ku dje këmbehej me 134.41 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Disa prej pikave të këmbimit valutor në kryeqytet pranojnë se si asnjëherë më parë në tregun vendas ka pasur tepricë në monedhën euro. I pyetur nga “Monitor”, Andi, operator në një nga pikat e këmbimit valutor thotë se u përballën papritur me mbiofertën e euros.  “Brenda natës e gjetëm ofertën në valutë të pesëfishuar”, tha ai. Jo shumë larg pikës valutore të Andit, tregton prej vitesh Nardi Dimo, i cili tregon se muajt e fundit është shtuar numri i njerëzve që po blejnë me euro në dyqanin e tij. Unë kam vendosur një kurs fiks për klientët, thotë ai. Euron ua marr me 135 lekë (1 pikë më lart se pikat valutore) dhe mbase kjo është një faktor se pse nxiten të blejnë në valutë. Në të njëjtën ditë, një vit më parë euro këmbehej me 138.6 lekë,  rreth 4 lekë më shumë. Niveli më të lartë gjatë 2017-ës euro e arriti në janar, kur u këmbye me 137.29 lekë, ndërsa nivelin më të ulët në 12 maj, datë në të cilën kapi nivelin më të ulët të nëntë viteve.

Artikulli paraprakZyra e KiE-së i ofron mbështetje KQZ për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Artikulli tjetërShoqata e Transportit kundër Veliajt: Abonetë do i njohim me dhe pa pullë