Euro bie sërish, zbret në 134.85 lekë

Monedha e përbashkët ka humbur sërish pikë dje në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, duke vendosur një tjetër rekord të ulët të këtij viti, ndërsa dhe dollari ka qenë në rënie. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 134.85 lekë, 0.14 lekë më pak se një ditë më parë, duke u nënçmuar për të tretën ditë radhazi. Më e fortë ka qenë rënia e dollarit, që u nënçmua me 0.58 lekë, në 127.85 lekë. Kjo lëvizje ka qenë e kundërt me tregjet ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët është forcuar dje në raportet e këmbimit me dollarin. Euro u këmbye me 1.0548 USD, +0.12% më lart se një ditë më parë, ndonëse nervozizmi politik, që ndikoi tregtimet e monedhës së vetme ditët e fundit ishte ende i pranishëm. Një sondazh i fundit tregoi se Marine le Pen ishte vetëm 10 pikë larg konservatorit Francois Fillon, por 22 pikë pas Macron, në raundin e dytë. “Ajo që kemi parë dje vonë dhe këtë mëngjes është një forcim i euros”, tha Karl Steiner, analist në SEB në Stockholm. Edhe në tregun vendas, pohojnë aktorët e tregut, euro mbetet e dobët për shkak të ofertës së lartë për të, si nga bizneset që këmbejnë valutë për të paguar detyrimet, ku rolin më të madh e luan TAP, ashtu dhe nga valuta informale që po qarkullon në vend. Sidomos në tregun e pasurive të paluajtshme është verifikuar një rritje e shitjes së apartamenteve me para cash. Ambasadori i ri i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, ka bërë mbrëmjen e së mërkurës një deklaratë të fortë në “Ora News”, kur ka pohuar në “Tonight Ilva Tare” se, “qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista”. Një pjesë e kësaj paraje ka kaluar edhe në tregun e lirë, duke rritur ofertën për euro.

Artikulli paraprakMinatorët kërkojnë zbatimin e menjëhershëm të ligjit për Trepçën
Artikulli tjetërBizneset vështirësi në marrjen e vërtetimeve për detyrimet ndaj tatimeve