Bizneset vështirësi në marrjen e vërtetimeve për detyrimet ndaj tatimeve

Bizneset e ndryshme në kryeqytet po hasin vështirësi në marrjen e vërtetimeve në lidhje me statusin e detyrimeve të tatimeve, por edhe me kohën e dhënies, e cila zgjat deri në dy ditë pune. Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Tatimeve në Dhomën amerikane, Alketa Uruçi, në forumin me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, tha se janë konstatuar vështirësi në marrjen e vërtetimeve për statusin e detyrimeve të tatimpaguesve. “Personat përgjegjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nuk kanë dosje të personave që kanë çështje në gjykatë dhe janë duke u shqyrtuar. Nëse dikush është duke kundërshtuar një vlerësim tatimor ai nuk ka një detyrim që të paguajë gjobat derisa të ketë një vendim të formës së prerë. Ndërkohë gjobat janë në sistem. Nëse në këto kushte kërkohet që të merret një vërtetim atëherë del një detyrim me një shumë totale gjobash, ku nuk del qartë nëse janë aktualisht të pagueshme ose jo, nëse janë gjoba që duhet të mblidhen me forcë apo jo. Të gjitha këto shkaktojnë problematika pasi pengohet dhënia e vërtetimeve. Gjithashtu administrata mund të refuzojë dhënien e vërtetimeve me pretendimin se subjekti ka gjoba të papaguara. E gjithë kjo kërkon që subjekti të angazhojë një person, i cili duhet të merret me dokumentet sa herë që të duhet të merret një vërtetim. Nuk ka të dhëna në sistem që vërtetimi të jepet siç është gjendja reale e subjektit”, tha znj. Uruçi. Në lidhje me këtë, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, tha se: “Për këtë, por edhe për çështje të tjera natyrisht mund të ketë vonesa nga administrata tatimore, por ne jemi të angazhuar që të respektojmë afatet ligjore”.

Artikulli paraprakEuro bie sërish, zbret në 134.85 lekë
Artikulli tjetërFondet për ndihmën ekonomike pritet të ulen më tej