Emigrantët, varka e fundit e shpëtimit për Edi Ramën

Bledi MARKU

Në prag të implementimit të të ashtuquajturës Reforma në Drejtësi, për të cilën kryeministri Edi Rama po bën të pamundurën që t`i fusë duart për ta manipuluar e kapur atë, duke shpëtuar kështu veten dhe bashkëpunëtorët e tij. Si edhe në prag të një vendimi nga BE ku do të jepet ose jo dakordësia për çeljen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Unionin Europian. Kryeministri Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në qeverisje po tentojnë në çdo mënyrë që të zgjasin qëndrimin e tyre në krye të shtetit me timon dhe tepsi në një dorë të vetme.
Në një tryezë me temë “Votimi i shtetasve shqiptar jashtë vendit”, ku pjesëmarrës ishin ministri i Shtetit Për Diasporën, Pandeli Majko, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zv.Kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi dhe Zëvëndëskryetari i OSBE-së, Robert Wilton, e organizuar nën monitorimin e rreptë të kryeministrit Rama, pasi ai aty kishte sytë, veshët dhe gojën e tij, kreun e grupit Taulant Ballën, u diskutua sesi të mundësojnë përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në proçeset zgjedhore në Shqipëri. Në këtë tryezë u deklarua me zë të lartë se emigrantët duhet të votojnë nga vendet ku ata jetojnë e punojnë.
Opozita nuk mori pjesë në tryezë. Jo sepse është e zënë me organizimin e protestës së 27 janarit, por është e ndërgjegjshme se kjo iniciativë do të manipulohet si çdo proçes tjetër demokratik në Shqipëri. Ndaj vendosën që karriget e krerëve të opozitës t`i lënë bosh.
Çfarë kërkon Rama me këtë “Reformë Zgjedhore”?
I ndërgjegjshëm se popullariteti i tij është çdo sekondë që kalon në rënie të lirë dhe si një strateg gjenial, Rama kërkon përfshirjen në votim të asaj kategorie njerëzish që nuk e njohin dhe nuk i vuajnë vendimet e tij skandaloze çdo ditë në kurriz. Rama kërkon të mbajë pushtetin me emigrantët e Amerikës, Kanadasë, Australisë dhe të atyre njerëzve që vijnë në Shqipëri një herë në 5 vite, dhe qëndrojnë maksimumi 2 javë. Rama kërkon të mbajë pushtetin me ata 300.000 mijë të rinj e të reja që kanë braktisur vendin, për të mbushur azilet e Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Suedisë etj.
Ku qëndron rreziku i përfshirjes së emigrantëve në votime?
Po të pyesësh një korçar që ka emigruar para ‘90-ës në Amerikë, ose një kuksian me pasaportë angleze. Ata do të thonë që Rama është reformatori që i duhet Shqipërisë, ai është “Skënderbeu”, (siç ka dëshirë ta thërrasë Elisa Spiropali) dhe është i vetmi kryeministër që po bën punë në 28 vitet e fundit. Këta emigrantë, do të thonë që çdo shtet mbahet me anë të taksave, të cilat konvertohen më pas në punë publike e sociale. Në letër ata kanë të drejtë. Por në realitet, nuk dinë asgjë çfarë ndodh në këto 28.000 metra katror që quhet Shqipëri.
Emigrantët nuk e dinë, që nësë proteston kundër qeverisë, të rreh policia dhe të skedon si në kohën e komunizmit.
Emigrantët nuk e dinë që rroga minimale në Shqipëri është 22.000 lekë të rinj. Ata nuk e dinë që fatura e energjisë elektrike për një familje të thjeshtë arrin në 5000 ose 6000 lekë të rinj. E që fatura e ujit të pijshëm shkon në 2000 lekë të rinj (Kjo e fundit pritet të rritet sërish pas datës 1 shkurt).
Emigrantët nuk e dinë që lekët e vjelura nga taksat përfundojnë në xhepat e pak personave. Aq më pak, ata nuk e dinë se donacionet që vijnë nga SHBA, BE apo vende të ndryshme nuk përkthehen në investime, por bëhen 2-3 konferenca për mediat e paratë më pas zhduken dhe investimet nuk i sheh apo prek askush. Emigrantët nuk e dinë që kryeministri, shtatgjatësia e tij Edi Rama nuk do tja dijë për ta. I sheh thjesht si një statistikë.
Edi Rama po e “nuhat” se zgjedhjet e ardhshme do të jenë fatale për të. Përpos postit kryeministror, mund të humbasë edhe partinë, ndaj kërkon të marrë emigrantët “nën sqetull”. Rama i sheh ata si varkën e fundit për të mbajtur me thonj pushtetin e tij.
E them që kryeministrit nuk ja ndjen, për faktin e vetëm, se në 4 vitet e kaluara kjo qeveri krijoi eksodin më të madh që “Shqipëria ime” ka parë ndonjëherë.
Kjo nuk është mirëqeverisje, Edi Rama është fatkeqësia më e madhe që Shqipëria ka parë ndonjë herë. Edhe unë dua të largohem nga vendi. Kjo nuk është “Shqipëria që unë dua”.

Artikulli paraprakBerisha paralajmëron Ramën për protestën: Do ta gjesh veten në vështirësi. Do ndalim rrokullisjen
Artikulli tjetërPolicia italiane, aksion për të kapur shqiptarin me 65 mijë euro kokainë