Emigrantët ndalojnë së dërguari para

Paratë që emigrantët kanë dërguar tek të afërmit e tyre në Shqipëri në tre muajt e parë të këtij viti ishin 136 milionë euro, në të njëjtin nivel me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Statistikat janë bërë të ditura në treguesit e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë.
Rigjallërimi i ciklit të remitancave i konstatuar më 2015-n nuk duket të ketë vijuar më, të paktën në tremujorët e parë të 2016 dhe 2017. Pasi ato arritën në 142 milionë euro në janar-mars 2015, kanë qenë më të ulëta në vitet në vijim.
Megjithatë, edhe gjatë vitit të kaluar, pas një tremujori të parë të dobët, paratë që emigrantët dërgojnë në shtëpi u gjallëruan.
Në vitin 2016, prurjet nga remitancat në vitin 2016 ishin 615 milionë euro, me një rritje prej gati 3% me bazë vjetore, duke arritur në nivelin më të lartë në katër vjet. Vala e re e emigracionit, që kulmoi më 2015, rriti numrin e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë, duke rigjallëruar ciklin e emigracionit (përgjithësisht vlerësohet se pas 15-20 vitesh emigrantët fillojnë i shkëpusin lidhjet me vendin mëmë dhe dërgojnë më pak para, çka nënkupton se emigrantët e viteve 1990-2000 tashmë dërgojnë më pak para).
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.
Sipas Censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend.

Rënia e euros po kthehet në trend

Monedha e përbashkët ka vijuar rënien edhe gjatë ditës së djeshme në tregun vendas, duke arritur një tjetër nivel të ulët rekord të 9 viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye dje me 133.57 lekë, duke rënë me 0.07 lekë në raport me fundin e javës së kaluar. Në tregun vendas euro ka shënuar rënie për të paktën tre javë radhazi, (nga 19 maji) duke shënuar periudhën më të gjatë rënëse prej shumë vitesh.
Edhe dollari është nënçmuar gjatë ditës së djeshme, duke zbritur në 119.08 lekë, 0.32 lekë më pak se fundi i javës së kaluar.
Monedha e përbashkët ka rënë gjatë ditës së djeshme edhe pse në bursa ajo është mbiçmuar ndaj dollarit, duke arritur në 1.12 USD. Ulja e rrezikut politik ndikoi pozitivisht në eurozonë, pasi partia e presidentit francez Macron po shkon drejt një fitoreje të qartë në Parlament dhe në Itali euroskeptikët e Pesë Yjeve nuk arritën rezultat të mirë gjatë zgjedhjeve lokale të dielën, duke ulur frikën se kjo parti mund të vijë në pushtet.
Por në Shqipëri, euro, që prej vitesh ka qenë monedha ankorë e shqiptarëve, po sheh ditët e saj më të dobëta në gati një dekadë. Ilirian Ligaçaj, drejtori i Thesarit në Union Bank pohon se rënia e euros po kthehet në një trend. Psikologjikisht thotë ai, krahas ofertës së shtuar në valutë, po ndikon dhe procesi i deuroizimit i nisur nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave. Sot, shumë banka po bëjnë oferta për të kthyer kreditë nga euro në lekë me kushte të favorshme.
Gjithnjë e më shumë thotë ai, pritet që njerëzit të orientohen drejt lekut dhe kjo do të reflektohet në një kërkesë më të madhe në monedhën vendase. Ai parashikon që euro të stabilizohet në nivele shumë më të ulëta se ato që jemi mësuar të shohim deri tani.
Që pas vitit 2009, euro u rrit me shpejtësi në tregun vendas, nga rreth 132 lekë, ajo arriti një nivel prej 139-140 lekë për gati 8 vjet radhazi, teksa në gjysmën e dytë të vitit 2016, euro filloi të zhvlerësohej, në mesatarisht 137 lekë, tendencë që e vazhdoi me shpejtësi edhe në muajt e parë të këtij viti, duke zbritur në afër 133 lekë aktualisht. Me afrimin e verës tendenca sezonale e zhvlerësimit pritet të vijojë, e ndihmuar dhe nga hyrjet nga turizmi, teksa numri i turistëve këtë vit pritet të arrijë rekord.

Artikulli paraprakVazhdojnë koncesionet, Ministria e Energjisë i hap rrugë tjetër HEC-i
Artikulli tjetërTabaku: Ulje e çmimit të energjisë