E djathta GERB fiton zgjedhjet në Bullgari

Udhëheqësja e Partisë Socialiste në Bullgari pranoi humbjen në zgjedhjet e së dielës. Sipas rezultateve paraprake, partia e djathtë GERB ka marrë 32 për qind të votave, ndërsa socialistët 28 për qind. Rezultati i votimit në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian, shihet si shenjë e mbështetjes për bllokun. Partia Socialiste që humbi ishte zotuar të forconte lidhjet me Moskën.
Udhëheqësja socialiste, Kornelia Ninova, e uroi partinë GERB të ish-kryeministrin Boiko Borisov gjatë fjalimit të saj ku pranoi humbjen.
“Do të donim të përgëzonim partinë fituese GERB. Falënderoj të gjithë ata që votuan. Dua të falënderoj rreth një milion bullgarë që besuan se ne jemi ndryshimi dhe na mbështetën. Ndryshimi është një proces ndaj do të ecim përpara së bashku”.
E djathta nuk fitoi vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme dhe mesa duket do të formojë një qeveri koalicioni me parti të vogla nacionaliste.
“Shpresoj që qeveria të formohet shpejt përmes negociatave të qeta. Qeveria duhet të përmbushë pritshmërinë e njerëzve si brenda dhe jashtë vendit, në këtë gjendje të rëndë ndërkombëtare”, u shpreh udhëheqësi i partisë GERB, Boiko Borisov.
Socialistët kanë përjashtuar çdo mundësi për koalicion. Por udhëheqësja Ninova tha se partia e saj do të shikojë për mundësinë e formimit të qeverisë nëse partia e qendrës së djathtë, GERB, nuk arrin të formojë një koalicion qeverisës.
Zgjedhjet janë parë si një provë e besnikërive ndaj Bashkimit Evropian apo Rusisë, me të cilën Bullgaria ka lidhje historike, politike dhe kulturore. Bullgaria do të marrë presidencën e BE-së vitin tjetër. Partia Socialiste që humbi ishte zotuar të forconte lidhjet me Moskën.
Udhëheqësi i së djathtës, Borisov dha dorëheqjen pasi partia e tij humbi zgjedhjet presidenciale një vit më parë. Ai mund ta rimarrë këtë post së shpejti. Parlamenti u shpërnda në janar ndërsa presidenti caktoi një qeveri të përkohshme deri në formimin e qeverisë së re.

Tre pikëpyetje për fituesin

Zgjedhjet e parakohshme në Bullgari ngrenë tri pyetje: a do të ketë Bullgaria më në fund një qeveri stabël? A do t’u mbetet besnike vlerave euroatlantike apo do të afrohet me Rusinë? Si dhe kush do të dominojë qeverinë e re dhe çfarë roli do të luajnë populistët?
Pas bërjes publike të rezultateve është e qartë që kryeministri i ri do të jetë ai i vjetri: Boiko Borisov. Por ai do ta ketë shumë vështirë të krijojë një koalicion të qëndrueshëm. Vëzhguesit evropianë kanë kërkuar shpesh që të krijohet një koalicion me bazë të gjerë me socialistët. Por shanset për një koalicion të tillë nuk janë të mira, siç dëshmohet edhe në deklaratat e të dy partive. Politologu Andrei Smilov mendon ndryshe: “Në fushatë të dy partitë kanë theksuar dallimet dhe konfrontimet. Por me siguri që ka hapësirë për bashkëpunim”.

Socialistët thonë “Jo”
Përderisa Borisov i ka lënë dyert e hapura për bashkëpunim me BSP, shefja e socialistëve Kornelia Ninova mbetet e vendosur: “Jo”. Ndaj Borisov ndoshta do të detyrohet të krijojë një qeveri pakicë, pra me mbështetjen e ndonjë partie tjetër, por pa futje në koalicion. Si partner të mundshëm konsiderohen edhe “Patriotët e Bashkuar” – një grup i tri partive të vogla nacionaliste dhe pjesërisht fashiste. Në koalicionin qeveritar mund të futet edhe partia populiste “Volja” (Vullneti) – në qoftë se në rezultatet përfundimtare futet në Parlament.
Sidoqoftë, në Bullgari sërish do të ketë një qeveri të dobët dhe jo stabël. Ndërsa obligimet janë tepër të mëdha: lufta kundër korrupsionit, nxitja e zhvillimit ekonomik, lufta kundër varfërisë dhe reformat në shëndetësi apo arsim.
Krahas problemeve të brendshme politike, shumë vëzhgues mendojnë se për Bullgarinë do të jetë shumë i rëndësishëm edhe përcaktimi diplomatik. Politologu Ognian Minçev mendon se “kjo është hera e parë pas 20 vitesh që Bullgaria duhet të vendosë nëse edhe më tej do të mbetet pjesë e hapësirës euroatlantike apo do të shndërrohet në një ‘tokë të askujt” mes Lindjes dhe Perëndimit?”.
Minçev flet këtu për rritjen e influencës ruse në Bullgari, sepse Rusia gjithmonë është trajtuar në Sofje si vend mik. Këtu bëhet fjalë për sanksione kundër Rusisë, sepse prej zgjedhjes së presidentit të ri Rumen Radev, Bullgaria i ka vënë në pyetje këto sanksione.
Bullgaria gjatë historisë gjithmonë ka lëvizuar në hapësirën e interesave mes Rusisë dhe Turqisë. Ndaj Turqia është një temë tjetër e rëndësishme për Sofjen. Nacionalistët me orientim antiturk kanë ashpërsuar kohët e fundit retorikën kundër Erdoganit. Eksperti Andrei Raiçev mendon se përzierja agresive e Ankarasë në fushatën parazgjedhore në Bullgari – në favor të partisë së minoritetit turk DOST – ka pasur një rol vendimtar në këto zgjedhje.
Por zgjedhjet i ka vendosur edhe orientimi proevropian i bullgarëve. BE-ja e mbështet Bullgarinë me miliarda euro për të siguruar kufirin me Turqinë, për të evituar valët e reja të refugjatëve. Këto para shkojnë në të mirën e ekonomisë bullgare. Madje edhe vetë nacionalistët bullgarë janë më shumë të orientuar drejt Evropës se sa nacionalistët në vendet e tjera. Zgjedhësit mendojnë se BE-ja mund ta ndihmojë shumë Bullgarinë në luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera negative. Mund të thuhet pra, se forcat proevropiane kanë fituar sërish në Bullgari, ndonëse krijimi i qeverisë do të jetë i vështirë.

Artikulli paraprakVazhdojnë grindjet Turqi-Holandë
Artikulli tjetërFitimet e sistemit bankar rënie me 41% për 2016