Duka: E rëndësishme zhvillimi i zgjedhjeve dhe cilësia e tyre

Në shumë pika duket se Rama e Basha falë dakordësisë mes tyre kanë anashkaluar edhe pikat e paketës McAllister, duke nisur që nga data e zgjedhjeve. Jeni konsultuar ju me Bashën dhe mendoni se duhej që palët t’i përmbaheshin vetëm paketës së dakordësuar?
Sigurisht që marrëveshja nuk është ajo e paketës McAllister, për këtë u quajt edhe McAllister plus, por në thelb rezultati ishte i barasvlershëm për sa i përket garancive që ne kërkuam në funksion të përmirësimit të cilësisë së procesit elektoral. Data nuk është e njëjta, por sikurse ndodh në çdo marrëveshje, duhet të marrësh dhe të japësh. Pra, gjykoj se data ka qenë një lëshim i Bashës kundrejt qëndrimeve ultimative të Ramës. Më Bashën kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit, me përjashtim të orëve në të cilat ishte ballë për ballë me Ramën, atij i besuam negociatat si përfaqësues i partisë më të madhe të opozitës. Nuk gjykoj se ndryshimet në përmbajtje duhen komentuar tani. Ajo që ka rëndësi është rezultati, pra zhvillimi i zgjedhjeve dhe cilësia e tyre.

Pakti Rama-Basha në pikën ku nuk lejon koalicionet, dëmton drejtpërdrejt partitë e vogla. PAA kishte nisur një fushatë në gjithë vendin, përmes së cilës priste të nxirrte disa deputetë dhe të formonte një grup parlamentar në zgjedhjet e ardhshme. Do t’i shkrini ju listat me PD?
Partitë e vogla janë realisht të rrezikuara. Pamundësia për koalicion e bën një mision gati të pamundur për pjesën dërrmuese të partive të vogla kalimin e pragut. Kjo situatë nuk është krijuar sot, por i ka rrënjët në një kod elektoral ndëshkues për partitë e vogla. Gjykoj se jemi përballë një rreziku të madh për demokracinë përfaqësuese, pasi në këtë kontekst gati 200-300 mijë zgjedhës rrezikojnë të mos përfaqësohen në legjislaturën e ardhshme. Nuk dua të hyj në spekulime mbi natyrën e këtij vendimi, por dua të them se mënyra se si partitë e vogla trajtohen është diskriminuese. Është krijuar me dashakeqësi dhe malinjitet ideja se partitë e vogla janë penguese ose përfituese, por në fakt po kërkohet të ndëshkohen ata qytetarë që nuk gjejnë përgjigje dhe zgjidhje nga partitë e mëdha. Nëse Partia Agrare Ambientaliste, e cila ka dhënë kontributin e saj që në ditët e para të pluralizmit, ekziston sot, nuk është për vullnet të Agron Dukës, por ekziston sepse 50% e popullsisë që jeton dhe punon në zonat rurale ndihet e papërfaqësuar prej vitesh nga partitë e mëdha. Vullneti ynë për të krijuar një grup parlamentar që do të merrej vetëm me çështjet agrare dhe ambientaliste vjen si pasojë e kësaj pjese të popullsisë, që është lënë në harresë. Ky është ende vullneti ynë dhe për këtë do të punojmë.

Ka një pakt me kreun e PD-së Basha për të qenë kryetarët e partive aleate në listat e PD?
Ka një propozim nga ana e z. Basha dhe jemi duke e shqyrtuar. Është një proces kompleks, i cili ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Gjithsesi, jemi ende duke analizuar situatën dhe duhet të masim forcat tona.

Do ta mbështesnit një marrëveshje paszgjedhore qeverisëse Rama-Basha për hir të stabilitetit të vendit dhe realizimin e objektivit të anëtarësimit në BE?
Në demokraci qeveris shumica. Nëse një marrëveshje e tillë është në interes të qytetarëve, patjetër që unë do të kem një qasje konstruktive. Është koha që vendi të arrijë ata objektiva kombëtarë dhe ndërkombëtarë që kanë munguar në këto 25 vite.

Artikulli paraprakKandidatja e PS në Delvinë, nëna e një të dënuari për drogë e plagosje
Artikulli tjetërPaloka: Ndërhyrja e SHBA zgjidhi krizën