“Drogë, drogë dhe djem të rinj të mbytur në det!

Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë sërish alarmin për rritjen e frikshme të numrit të të rinjve të mbytur në det për drogën. “Drogë, drogë dhe djem të rinj të mbytur në det! Kjo është pranvera që iu dhuroi shqiptarëve këtë vit Ediskobari apo Noriega i Shqipërisë!”, shkruante dje  Berisha në një postim në Facebook.
Ndërkohë, mbytjet e të rinjve në det apo edhe e shtetasve të huaj për drogën konfirmohen edhe nga vetë policia. Trupi i pajetë i gjetur dy ditë më parë rreth 5-7 ml pranë Plazhit të Gjeneralit, në Bisht Pallë, dyshohet të jetë i një italiani që po trafikonte drogë me gomone nga Shqipëria. Hetuesit dyshojnë se ai është një nga personat e zhdukur nga gomonia, e cila u gjet e mbytur me 11 mars të këtij viti, nga Policia e Vlorës në Sazan. Ky dyshim i policisë është shtuar, pasi atij me vete i është gjetur një telefon celular, që mbante një numër italian. Ai mbante veshur edhe një jelek shpëtimi, që nuk arriti ta shpëtonte. Për këtë shkak, hetuesit e Policisë dhe të Prokurorisë së Kavajës, kanë kontaktuar me homologët e tyre italianë, për të identifikuar të mbyturin.
Katër ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha ngriti shqetësimin se në Vlorë dhe përgjatë zonës bregdetare po gjenden trupa të pajetë të mbytur në det. Përmes një postimi në Facebook, Berisha shkruante se, viktimat janë mbytur gjatë tentativave për të trafikuar drogë drejt Italisë. Një qytetar nga Vlora iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke shprehur shqetësimin se, kohët e fundit mbi 20 djem janë mbytur në Vlorë, dy prej të cilëve vetëm në ditët e fundit nga i njëjti fshat, u mbytën me skaf droge.

Artikulli paraprakDigjet një makinë në Qafë Kashar, drejtuesi largohet nga vendngjarja
Artikulli tjetërEstablishmenti i krimit e drogës, në grahmat e fundit