Establishmenti i krimit e drogës, në grahmat e fundit

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka pasur një axhendë takimesh të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara si i ftuar special në darkën e organizuar nga republikanët amerikanë ku fjalën kryesore e mbajti Presidenti amerikan Trump. Portali amerikan i afërt me Presidentin amerikan, “Breitbart News” thotë se Basha është takuar me udhëheqësit e Kongresit dhe Senatit amerikan. Kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se pritja për Bashën është më shumë se ajo e një lideri thjesht të një opozite. Basha po ftohet dhe pritet në SHBA si Kryeministër i ardhshëm i vendit.
Portali amerikan “Breitbart News” ka zbardhur të plotë vizitën e tij në Uashington, si dhe ka zhvilluar një intervistë me Bashën. “Kryeministri i Shqipërisë, i lidhur me Sorosin, po e shkatërron vendin tonë”, është shprehur Basha. Basha ka takuar tre nga njerëzit më të rëndësishëm për Presidentin Trump. Mbështetja që ai ka marrë në darkën e Presidentit Trump janë fundi i Ramës që do të shihet shpejt.

“Breitbart News”

Udhëheqësi i opozitës pro tregut të lirë në Shqipëri i tha të premten “Breitbart News” se, demokracia në vendin e tij është në rrezik të madh, ndërsa kryeministri i majtë Edi Rama ka lejuar lulëzimin e krimit dhe korrupsionit.
Shqipëria është në një situatë të veçantë dhe të vështirë, në një krizë politike, rezultat i një sulmi të ashpër të krimit të organizuar ndaj të gjitha strukturave shtetërore, shtetit të së drejtës dhe demokracisë”, u shpreh Lulzim Basha.
Basha është ish-kryebashkiaku i Tiranës dhe udhëheqësi i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëse partia e tij fiton zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, Basha u shpreh se ai do të jetë kryeministri i ri i vendit. Në administratat e mëparshme Basha ka mbajtur pozicione të larta në qeveri, përfshi atë të ministrit të Jashtëm.
“Problemi i bashkëpunimit të fshehtë mes politikës dhe krimit nuk është gjë e re në Ballkan”, u shpreh ai. “Por, problem i veçantë që ka Shqipëria është promovimi i hapur dhe prania në politikë e njerëzve me krime të tmerrshme në të shkuarën e tyre, të dënuar në vendet e BE-së, të tilla si trafik droge, prostitucion, trafik të qenieve njerëzore dhe vepra të tjera të krimit të organizuar”.
Bandat dhe grupet kriminale të lidhura me terroristë kontrollojnë ferma kanabisi dhe organizata të magazinimit dhe shpërndarjes së drogës, duke patur imunitet nga qeveria Rama, pohoi ai. Në vitin 2016, “BBC” hodhi dritë mbi këtë çështje në një reportazh informativ të titulluar “Kryeqyteti europian i kanabisit”.
Ndërsa Basha ishte në Uashington në takime me drejtues të Kongresit, anëtarët e partisë së tij vazhdojnë për më shumë se 35 ditë një protestë kundër qeverisë të Kryeministrit Edi Rama duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Mes udhëheqësve politikë që Basha takoi gjatë vizitës në Uashington ishin kongresmeni Pete Sessions, kryetar i Komisionit të Buxhetit të Kongresit; kongresmeni Michael McCaul, kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kongresit; dhe kongresmeni Ed Royce, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit.
Juristi i shkolluar në Holandë mori gjithashtu pjesë të hënën në darkën e përbashkët vjetore të kongresmenëve dhe senatorëve republikanë, ku fjalimin kryesor e mbajti Presidenti Trump.
Basha u takua gjithashtu me kongresmenin e Kalifornisë Dana Rohrabacher, anëtar i vjetër i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe kryetar i Nënkomitetit për Europën dhe Euroazinë të Kongresit.
Një ndërlikim i mëtejshëm i situatës është se Rama ka marrëdhënie me financierin dhe agjentin provokator ndërkombëtar George Soros, tha Basha.
Basha u shpreh se ai beson që Rama është investimi kryesor i George Sorosit në Shqipëri dhe Ballkan.
Basha pohoi se sulmet e tij ndaj Sorosit dhe mbështetja e tij për Presidentin Trump e kanë bërë shënjestër të përbaltjes nga organizata e Sorosit: “Jam sulmuar ashpër nga ai e njerëzit e tij dhe gjithashtu nga media ndërkombëtare sepse jam mbështetës i Trumpit”.
Rama ka shërbyer si anëtar i bordit të Fondacionit Soros në Shqipëri dhe Soros ka financuar një program 2-vjeçar të hartuar për transformimin politik të vendit në bashkëpunim me Shkollën Kenedi të Qeverisjes të Harvardit.
Senatori republikan Mike Lee është aq i shqetësuar për financimin nga programet e Departamentit të Shtetit të ndikimit të Sorosit në Shqipëri dhe vendet e tjera sa ai i dërgoi më 14 mars një letër sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, të bashkëfirmosur nga senatorët James Inhofe, Tom Hillis, Ted Cruz, David Perdue dhe Bill Cassidy.
“Gjatë muajve të fundit, zyrtarë të zgjedhur dhe udhëheqës politikë të vendeve të huaja më janë drejtuar me lajme dhe raportime zhgënjyese rreth aktivitetit të Shteteve të Bashkuara në vendet e tyre përkatëse”, shkruajti Lee. “Këto përfshijnë raportime mbi diplomatë që mbajnë anë politike, mbi mbështetje me fonde nga USAID të aktiviteteve ekstreme dhe ndonjëherë të dhunshme politike, si dhe mbi aktivitete të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të mënjanuar të moderuarit dhe konservatorët nga rolet drejtuese”.
Kryeministri shqiptar mund të jetë gjithashtu edhe udhëheqësi më i vendosur antiTrump në Europë. Basha u shpreh se me kërkesë të Sorosit, Rama doli në “CNN” për të thënë se mundësia e Trumpit president ishte e frikshme.
Në prill 2016, Rama i tha “Zërit të Amerikës”:
“Besoj se ata në Shqipëri që zgjodhën Trumpin para meje, pavarësisht dallimeve mes tyre dhe meje, duhen mëshiruar. Mes Lulzim Bashës dhe Trumpit unë do të zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, ndonëse unë nuk do ta votoj kurrë për Lulzim Bashën, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Sidoqoftë, nuk është problemi im që Lulzim Basha apo kushdo tjetër, zgjedh Trumpin para meje. Është problem i tyre”.
Kongresmeni Rohrabacher, i cili u takua me Bashën në Uashington, i tha “Breitbart News” se ai e çmon patriotizmin dhe zellin që shikon tek Basha.
“Ka arsye për të patur frikë për atë që po ndodh në Ballkan”, tha ish-fjalimshkruesi i Presidentit Ronald Reagan. “Stabiliteti në atë pjesë të Europës varet nga një Shqipëri e qëndrueshme dhe që funksionon. Ka një shqetësim serioz për korrupsionin, tregtinë e drogës dhe terrorizmin në këtë vend të rëndësishëm”.
Kongresmeni u shpreh se Shqipëria është në vijën e parë të luftës kundër islamit radikal: “Nëse do ta mundim islamin radikal dhe do të kemi një Europë të qëndrueshme, ne kemi nevojë për dikë që është në gjendje të bëjë atë që duhet. Lulzim Basha, të cilin e njoh prej kohësh, është pikërisht personi që duhet për ta përmbushur këtë gjë”.
Basha tha se mesazhi i tij për popullin amerikan është se ata kanë investuar jashtëzakonisht në mbështetje të një Shqipërie demokratike, të lirë dhe të hapur, gjatë 27 viteve të fundit. “Tani, kërcënimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit lëshon një hije të rëndë mbi një vend që ka humbur kontrollin mbi territorin dhe kufijtë e tij për shkak të krimit të organizuar”, tha ai.
“Unë kërkoj mbështetjen e Shteteve të Bashkuara që të na ndihmojnë për ta ruajtur këtë investim, me qëllim që ne të përmbushim përgjegjësitë tona si një vend i NATO-s”, u shpreh ai.

Artikulli paraprak“Drogë, drogë dhe djem të rinj të mbytur në det!
Artikulli tjetërSa do të kushtojë dalja e Britanisë së Madhe nga BE?