Digjet një makinë në Qafë Kashar, drejtuesi largohet nga vendngjarja

Një automjet është përfshirë nga flakët dje pasdite në autostradën Tiranë-Durrës, tek mbikalimi i Kasharit. Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit në automjet nuk bëhen të ditura. Një makinë zjarrfikëse mbërriti në vendin e ngjarjes për të shuar flakët, ndërsa policia ka marrë masa për të liruar rrugën.
Ajo që e ka bërë të dyshimtë këtë ngjarje, ka qenë fakti se ndonëse makina rezulton e rregullt, shoferi i saj është larguar nga vendngjarja. Bëhet e ditur se, pronari i makinës është Arben Musaj. Automjeti ishte me impiant gazi.
Një ditë më parë, shpërtheu në flakë një makinë policie në mes të rrugës në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi pranë “Burgut të Ri” në Vlorë. Mjeti i Repartit 100 të Policisë së Shtetit, po transportonte uniformat për punonjësit e Policisë drejt DVP Vlorë. Dyshohet se shkak për rënien e zjarrit mund të jetë një shkëndijë elektrike në ecje e sipër, të mjetit. Paraprakisht është dëmtuar një pjesë e sasisë së uniformave që gjendeshin në kamion.
Po ditën e hënë, një automjet është përfshirë nga zjarri pranë një pike servisi në Fushë-¬Mamurras, për pasojë ka mbetur i plagosur një punonjës. Nga zjarri pësoi djegie në trup mekaniku i servisit 45¬-vjeçari Ardian Disha. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Djegieve Plastike në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, teksa mjeti tip “BENZ” ishte duke u riparuar brenda servisit.
Zjarri u shfaq tek impianti i gazit në pjesën e bagazhit të automjetit në kohën kur mekaniku ishte duke riparuar një defekt që kishte pësuar sistemi i gazit. Pas ndërhyrjes së zjarrfikëseve në vendngjarje mbërritën dhe oficerët e policisë, të cilët nisën hetimet ku nga të dhënat e para bëhet e ditur se zjarri ishte aksidental.

Artikulli paraprakSkandal, ndërtuesja e pallatit përdor prokurën e të vdekurit
Artikulli tjetër“Drogë, drogë dhe djem të rinj të mbytur në det!