Drejtësia, kjo grua e këtyre…

Frrok ÇUPI

Brenda njëzetekatër orësh u dhunuan të dyja: Një grua në Dibër dhe Drejtësia në Tiranë!
Këta të tjerët që po përpiqen në Kuvend dhe në kanceleritë e Amerikës e të Europës, këta duhet të pushojnë përpjekjet. Me këta nuk mund të kryhet Reforma në Drejtësi, as vetë Drejtësia e thjeshtë. Po të thuash se “mund të kryhet” Reforma në Drejtësi, atëherë këtyre iu ke shtënë ndër këmbë edhe një Grua të tretë. Për këta, edhe Reforma është një grua; dy të tjerat janë Drejtësia dhe Gruaja e dhunuar në Dibër.
Atëherë, edhe pak më tej: Në qoftë se Perëndimi dhe aktivistët e Lirisë në vend, do të përpiqen më tej, të njëjtën gjë do të provojnë. Në qoftë se do të provojnë të bëjnë Politikë?! … Atëherë për ta edhe Politika do të jetë një femër dhe këta e dhunojnë. Sepse fjalën “politikë” këta nuk e përkthejnë si “polis”, por si emër femëror.
Akoma më tej: Në qoftë se aktivistët e vendit dhe të Perëndimit do të provonin të bënin edhe përpjekje të tjera, përsëri të njëjtën gjë do të provonin…
Sikur të provonin të bënin Demokraci?! Atëherë edhe Demokracia do të ishte, për këta, një grua që mund të dhunohej në një makinë, ose në një hotel, ose në një rrugë të Tiranës siç është edhe Rruga e “Durrësit”.
Në Rrugën e  “Durrësit”, Erion Velija, fotokopje e Edi Ramës (njëri kryetar Bashkie dhe tjetri kryetar qeverie), rrëmbyen kadavrat e pushtetit të tyre dhe i sollën si fotokopje njerëzore para selisë së Gjykatës Administrative të Apelit. I sollën për të dominuar një vendim gjyqësor që i jepte të drejtën e ndërtimit njërit nga biznesmenët e shquar të Tiranës, e drejtë e fituar sipas vendimeve të qeverisë. Qeveria, brenda natës, kishte vendosur kundër asaj që kishte firmosur dhe prandaj kishte anuluar gjithçka kishte thënë. Si në një makth, gjatë natës, në jerm, në instinkt. Kështu vendos qeveria…
E dëgjuat si vendosi burri nga Dibra dhe si anulloi çifti nga Dibra, në një rrugë me dredha dhe në një hotel në Tiranë?!
Edhe qeveria, si në një mungesë të madhe seksuale dhe epsh përdhunimi. Njerëzit menduan se “dhunimi” në Dibër ndodhi aq shumë rastësisht ose edhe “rast i veçantë”. Jo, sigurisht. Këtu, sa të jenë këta (më mirë thuaj “ky”) në majë të pushtetit, atëherë nuk mund të thërritet asnjë përpjekje për të bërë punë që shfaqen si grarishte: Drejtësi, Demokraci, Liri, Politikë, Paqe, Punë….
Të gjitha janë veç femra për këta.
Atëherë këtu duhet të vijë Frojdi, psikoanalisti i madh i shekullit të kaluar.
-Psikologjia individuale,- shkruante Frojdi-merret me njeriun e veçantë dhe studion se si ai përpiqet të kënaqë impulset e tij instinktive”.
A nuk e shikoni? Ndodhemi nën pushtetin e instinkteve të këtyre. Instinktet e këtyre, sipas Frodit, ende të pangopur seksualisht, tentojnë të përdhunojnë femrën, në çdo formë qoftë. Në fakt nuk është ajo vajzë e mjerë objekti i tyre kryesor. Objekti i dhunimit të këtyre është “femra” tjetër, ajo që na përket të gjithëve si një Hyjneshë. Femra që po dhunojnë këta është Drejtësia, është Demokracia, është Liria, është Paqja, është Politika… Secila prej këtyre ka një emër Hyjnie, të shënuar o në Demokracinë e Athinës o në Perandorinë e Romës. Por këta janë instinktivë dhe i dhunojnë Hyjnitë tona…
Para dy ditësh, këta mblodhën kadavrat e tyre njerëzore në Rrugën e “Durrësit” dhe rrethuan Gjykatën. Këta kërkuan seks me Gjykatën. Si në mungesat frojdiane, me instinkt.
Amerika dhe Europa, dhe njeriu këtu, kërkojnë Drejtësi e Reformë… E pamundur, në instinkt nuk ka asnjë reformë të njeriut normal. Kemi mbërritur në stadin: Jemi të qeverisur nga njerëz normal, apo nga deformimi natyror?
Njerëzit që pyesin kësaj here, nuk kanë ndonjë arsye për të pyetur. A nuk e dinin të gjithë se po zgjidhnin njerëz instinktivë?! A nuk e dinin se këta, pikërisht këta që dhunojnë Drejtësinë dhe Demokracinë, kishin probleme me instinktin. Kryetari i qeverisë aktuale, më parë kishte deklaruar si një monstër fjalë kundër të birit. Më parë kishte manifestuar neveri për njeriun, që e manifeston përditë. Më parë kishte mohuar të atin, dhe tani mohon çdo vlerë. Më parë tregojnë se kishte dhunuar secilën nga katër gratë e tij. Pastaj një nga gratë e martoi me ministrin e tij.
Të gjitha ishin parë e provuar; vallë çfarë kërkojnë këta që pyesin pse ndodhi kështu?!
Veç të huajt mund të kenë të drejtë të pyesin. Sepse ata ishin përtej deteve kur ndodhi që u formua instinkti i këtyre, këtu mes nesh. Dje shkruan letra që nga kongresmenë amerikanë, ambasadorë, politikanë, njerëz të Lirisë, etj., se si mund të ndodhë që rrethohet Drejtësia për përdhunim… Ata ishin larg atëherë kur u formua instinkti i këtyre. Sigurisht, edhe më larg se vetë Frojdi. Por ne ishim këtu; ja, m’u këtu.
Ne vetë zgjodhëm.
Tani duhet të zgjedhim përsëri: Të presim derisa të vërshojë instinkti mbi të gjithë ne, apo të reagojmë?! Pyetja është tragjike. Por mund të ndodhë që secili prej nesh të konsiderohet një Grua.
Këta “gruan” e dhunojnë. Domethënë edhe Shtëpinë tonë, edhe Lirinë tonë, edhe të Drejtën tonë…. Ou!, të gjitha paskan përsëri emra femërorë. Epo këta nuk ndalen, në qoftë se nuk i ndalim…

Artikulli paraprakTë pabrekë milionerë
Artikulli tjetërVdekja e dy fëmijëve, arrestohet zyrtari i tretë në ARRSH