Dita e Falenderimeve, festa e veçantë e amerikanëve

Të enjten amerikanët kremtojnë ditën e Falenderimeve, një festë unike amerikane. Së bashku me familjen e miqtë, ata shtrojë një darkë të veçantë, ku tradicionalisht serviret si pjatë kryesore gjeli i detit. Dita e Falenderimeve është edhe festa më familjare për amerikanët, kur brezat mblidhen për të shprehur falenderime për bekimet që u ka ofruar jeta.
Në Ditën e Falenderimeve, Presidenti Trump vlerësoi trupat amerikane jashtë vendit dhe i falenderoi ato për shërbimin ndaj vendit, ndërsa përmendi ato që ai i konsideron arritje personale si president, në mesazhin e festës që u transmetoi ushtarëve amerikanë në mbarë botën.
“E kam për nder të flas me ju dhe t’ju transmetoj falenderimet e mia për Zotin, që na ka dhënë bekimin e lirisë që ne gëzojmë dhe për heronjtë si ju që keni guximin për të na mbrojtur ne dhe lirinë tonë”, tha Presidenti Trump në një telekonferencë që pati me përfaqësues të trupave të armatosura amerikane.
Presidenti po e kalon festën me familjen e tij në vilën Mar-a-Lago në Florida.
Dita e Falenderimeve është një traditë e krijuar që në vitet e para të kolonizimit të Amerikës nga të bardhët, kur familjet që i kishin mbijetuar dimrit të egër, u mblodhën me fqinjët indigjenë për të shprehur mirënjohje dhe falenderime për jetën në tokën e re.
Kjo është edhe periudha më e ngarkuar e trafikut, pasi amerikanët nisen nga qyteti ku punojnë e jetojnë nga çdo skaj i kontinentit për në komunitetet, ku kanë familjet për t’u mbledhur për të festuar.
Kjo ditë shënohet gjithashtu nga ngjarje sportive dhe festime përfshirë një paradë në Nju Jork që po zhvillohet nën mbikëqyrjen e rreptë të autoriteteve.
Parada, me një pjesëmarrje prej rreth 200 mijë vetësh, vjen vetëm disa javë, pasi një emigrant nga Uzbekistani sulmoi me një kamion të marrë me qera turmat e njerëzve që ndodheshin në një nga sheshet e njohur të qytetit, duke vrarë tetë prej tyre.
Ndërsa nuk ka informacion për ndonjë rrezik të mundshëm, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut shpërndau me mijëra oficerë policie përgjatë rrugës së paradës.
Dita e Falënderimeve, që shënon fillimin e sezonit të festime me rastin e Krishtlindjeve, pasohet nga ajo që njihet si e “e premtja e zezë”, kur bizneset e shitblerjes ofrojnë uljet më të mëdha të çmimeve, dhe konsumatorët shfrytëzojnë rastin për të gjetur mallra me kosto të ulët, që nga veshjet, lodrat e deri tek pajisjet dhe orenditë shtëpiake.

Artikulli paraprakRinumërohen votat në Prishtinë dhe Prizren
Artikulli tjetërArrestimi brutal i Albin Kurtit