Arrestimi brutal i Albin Kurtit

Policia e Kosovës ka arrestuar deputetetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj Bujupi.
Ata janë arrestuar në bazë të një urdhri për arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë gjyqësore.
Një skenë dramatike ka ndodhur gjatë arrestimit me forcë të deputetit, Albin Kurti, në hyrje të Kuvendit të Kosovës, gjersa po shkonte në seancën plenare të Kuvendit.
Aty deputetët e Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar arrestimin e tij, duke u shtyrë me policinë, e cila ka përdorur spraj djegës për t’i larguar ata.
Menjëherë pas arrestimit me forcë të Kurtit, ka reaguar Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai konfirmoi se të arrestuar janë edhe deputetet, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.
“Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës – Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti – u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia e Republikës së Kosovës me urdhra politik, duke hyrë në seancë. Pra, tre deputetët ishin duke ardhur në seancën e cila është thirrur për sot”, tha Ymeri.
“Ky është edhe një rast, ose vazhdimësi e një përndjekje masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht kohëve të fundit, me dënimin e katër aktivistëve tonë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në këtë rast, për shkak të protestës tonë me kë rast e mbrojtëm sovranitetin e republikës dhe integritetin territorial e vendit”, theksoi kryetari i Vetëvendojes.
“Është e njëjta klikë e pushtetit, e cila në njërën anë po synon që ta dhunojë votën e lirë të qytetarëve përmes vendimeve skandaloze që i pamë dje në PZAP dhe KQZ, dhe të cilët po vazhdojnë njëkohësisht ta përndjekin secilin aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje për shkak e po duan ta përndjekin dhe persekutojnë Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që vullneti i tyre politik, e që është vullnet i lidhur me krimin e korrupsionin, të ngadhënjejë në Republikën e Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar të mërkurën një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë.
“Policia e Kosovës ka pranuar urdhërarrestet dhe konform autorizime që kemi do të ndërmarrim masa”, thanë zyrtarë të Zyrës për Komunikim të Policisë së Kosovës.
Tre deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, përkatësisht hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Artikulli paraprakDita e Falenderimeve, festa e veçantë e amerikanëve
Artikulli tjetër863 mijë eurot e gjetura në makinën e Sotës janë vjedhur në Bankën e Prishtinës