Disfata në Gallipoli

Në janarin e 1915, në krye të Marinës britanike, Churchill vendosi të sulmojë Perandorinë Osmane në Ngushticën e Dardaneleve. Do të jetë një ndër katastrofat më të këqia aleate të Luftës së parë Botërore.

E nisur në pranverën e 1915, fushata e Gallipoli mbetet një prej katastrofave ushtarake më të bujshme të ushtrive aleate gjatë Luftës së Parë Botërore. I destinuar për të siguruar kontrollin e Ngushticës së Dardaneleve dhe kapitullin e Perandorisë Osmane, aleate e Gjermanisë, operacioni i Gallipoli përfundon me humbje të rënda ushtarake dhe një tërheqje padiskutim pak të lavdishme. Nëse roli i Churchill në hartimin e sulmit në Gallipoli është i mirëpërcaktuar, përgjegjësia e tij në organizimin dhe në kryerjen e operacioneve mbetet shumë më kontradiktor. Gjithsesi, humbja e Gallipoli e ka goditur ndjeshëm dhe fuqishëm reputacionin e ideatorit të tij. 41 vjeçar më 1915, prej vitit 1911 Winston Churchill mban postin e Lordit të Parë të Admiraliatit, ekuivalentin e ministrit të Marinës, në qeverinë e liberalit Asquith. Ai mbështet pandërprerje nevojën e dhënies flotës britanike një rol të rëndësishëm në kryerjen e luftimeve. Në atë kohë Britania e Madhe ishte ende dominuesja e deteve. Nevojitet që kombi të shërbejë në Marinën e tij luftarake, jo vetëm për të transportuar trupat në kontinent, por për të shkatërruar flotën armike dhe nxituar fundin e luftës.

Më 1 nëntor 1914 Perandoria Osmane hyn në luftë përkrah fuqive të Boshtit. Përballë ngërçit në teatrin e operacioneve europiane dhe pse, për të përdorur fjalët e tij Churchill, ushtarët britanikë “pushojnë së përtypuri tel me gjemba në Flandër”, projekton për të hapur një front të ri. Objektivi është ai i futjes në dorë i Ngushticës së Dardaneleve, një grykë prej nja 60 kilometrash gjerësi që lidh Detin Egje me Detin e Marmarasë dhe nga aty të shkojë deri në Konstandinopojë dhe ta detyrojë Perandorinë Osmane që ta braktisë luftën. Kontrolli i Ngushticës do t’i siguronte aksesin e lirë në basenin e Mesdheut nga portet e saj e Detit të Zi. Për më tepër, Egjipti, koloni britanike, dhe Kanali i Suezit përfundimisht do të mbroheshin nga çdo kërcënim osman. Të rrethuara nga çdo anë, fuqitë e Boshtit do të detyroheshin të kapitullonin. Arësyet e përdorura duken korrekte e të besueshme dhe më 13 janar 1915 Këshilli i Luftës britanik priti propozimet.

Menjëherë operacioni rezulton i vështirë për t’u organizuar. E mbrojtur nga dhjetra skalione të forta të vendosura në të dyja brigjet, Ngushtica e Dardaneleve rezulton aq e ngushtë (nga 1 në 4 kilometra) sa që anijet gjenden menjëherë nën rrezen e artilerive turke dhe barriera të ndryshme minash e bllokojnë kalimin e saj. Vetëm një sulm forcash, i kryer bashkë me një bombardim masiv, mund t’u premtojë anijeve kalimin. Kryeministri Asquith dhe Kabineti i Luftës, të prirur që ta nënvlerësojnë kapacitetin e rezistencës osmane, tentojnë që t’i përmbahen ndërmarrjes së mjeteve të kufizuara. Lordi Kitchener, ministri i Luftës, e konsideron ofensivën e Dardaneleve një operacion dytësor: “një kroçerë në Detin e Marmarasë”, sipas shprehjes ironike të tij. Për të, posti kryesor në lojë i luftës vazhdon të luhet në frontin perëndimor dhe admiralët ruhen nga përdorimi në betejë i ajkës së flotës angleze.

Luftimet fillojnë më 19 shkurt 1915 me një seri bombardimesh, më pas pasojnë më 18 mars me një sulm detar, kur luftanije të shumta aleate vihen në veprim në Ngushticë. Në manovrë, korracata franceze Bouvet dhe ato britanike Irresistibile e Ocean hidhen në erë mbi një barrierë minash të vendosura një natë më parë nga ana e turqve. Anije të tjera më të vogla, të goditura nga artileria turke, mbyten ose mbesin të dëmtuara rëndë. Pavarësisht përdorimit të dragaminave, asnjë prej dy barrierave të minave të njohura nuk është eliminuar. Veç kësaj, aksioni i anijeve aleate u paralajmëron trupave osmane afërsinë e një zbarkimi të mundshëm dhe të një ofensive të radhës tokësore. Uhstria turke në Gallipoli, e komanduar nga koloneli i ri Mustafà Kemal (Ataturku i ardhshëm), ka gjithë kohën e dëshiruar për ta përgatitur sulmin aleat.

5 javë më vonë, më 25 prill 1915, disa mijëra ushtarë britanikë francezë, australianë dhe neozelandezë zbarkojnë në gadishullin e Gallipoli. Për Australinë dhe Zelandën e Re, dy dominione të Perandorisë Britanike, bëhet fjalë për impenjimin e tyre të parë në Luftën e Madhe. Njësitë e tyre, të mbajtura veçmas nga ato angleze, në pjesën më të madhe përbëhen nga vullnetarë dhe suksesi i vullnetarizmit tek këto vende, larg nga Europa, është diçka spektakolare. Nga një popullsi e përgjithshme prej 5 milion banorësh, 330000 australianë vijnë të luftojnë në Luftën e Madhe, përkrah 220000 neozelandezëve. Një pjesëmarrje e tillë shpjegohet me zjarrin e madh të patriotizmit, shijen e aventurës dhe presionin social.

Për zbarkimin zgjidhen 5 plazhe, të caktuara me germat S, V, W, X dhe Y, afër Kepit Helles në cepin e gadishullit dhe një tjetër, me germën Z, në veri të mëparshmeve. Megjithatë, Aleatët disponojnë informacione të përgjithshme lidhur me pozicionet më të mirëmbrojtura nga ana e turqve dhe forcat e impenjuara në operacion rezultojnë të pamjaftueshme. Sipas biografit të Churchill Martin Gilbert, Lordi i Parë i Admiraliatit do të këmbëngulte për dërgimin e më shumë trupave. Korparmata australiane dhe neozelandeze (e mbiquajtur ANZAC), e zbarkuar në plazhin Z, e paaftë që të ngjiste shpatet e pjerrëta që dominojnë bregun dhe të avancojnë në brendësi, jeton në kërcënimin permanent e pushkatarëve turq, të cilët mbrojnë territorin sipër. Në plazhin V, ushtarët e batalioneve irlandeze dhe të Hampshire arrijnë të gjejnë strehim në një anije të mbytur në breg. Pas çdo tentative do të shfarosen nga gjuajtja armike.

Plazhet u transformuan në një kasaphanë të pafund, aroma e së cilës, shpejt e padurueshme, vjen deri tek anijet që janë ende në det të hapur. Për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të këqija të higjenës zhvillohet një epidemi ethesh tifoide dhe e dizanterisë. Numri i madh i kufomave të pakallura tërheq një numër të jashtëzakonshëm mizash. Veç kësaj, prej mungesës së imbarkimit të mundshën në anije spital, të plagosurit as nuk kurohen më. Situata bëhet aq e patolerueshme sa që në mesin e majit palët ndërluftuese arrijnë një armëpushim prej disaorësh për të varrosurit të vdekurit e tyre. Për disa muaj, ushtarët aleatë janë detyruar që të jetojnë të ngecur nëpër llohore apo në vendstrehime të gërmuara në krah të kodrës. Çdo tentativë për ta zbutur darën përfundon me humbje të rënda. Në majin e 1915, ushtarët anglezë dhe francezë dështojnë dy herë në aksionin e tyre për marrojen e fshatit Khithia. Vija e frontit spostohet me vetëm 500 metra dhe për ta siguruar këtë sukses të pakët Aleatët humbasin 13000 njerëz. Është vetëm duke filluar nga muaji korrik që raportet e dërguara Londrës nga gjenerali Hamilton adoptojnë një përshkrim më realist të situatës. “Nuk jam aspak i befasuar nga fakti që grekëve u janë dashur 10 vite për ta marrë Trojën”, pohon gjenerali.

Në fillim të gushtit ndodh një zbarkim i ri në Gjirin e Suvla, në veri të zonës së zbarkimit të ANZAC. Fillimisht, 3 divizione irlandeze arrijnë që të fitojnë terren, por avancimi tyre ndeshet me rezistencën e fortë të turqve. E njëjta situatë për australianët në Lone Pine dhe me neozelandezët në Chunuak Bair. Në një letër drejtuar në muajin fusht kryeministrit australian Andrew Fisher, gazetari i ri Keith Murdoch, që ndodhej në bordin e një anijeje transporti trupash, denoncon improvizimin kriminal të sulmit. Një divizion britanik zbarkohet në vendin e gabuar, riimbarkohet dhe më pas zbarkon sërish në sektorin e duhur. “Ju që keni një shpirt praktik, sa ujë mendoni që ka mbetur në paguret e këtyre të rinjve anglezë të etur, pas një nate në det, marshimit nën diell, rikthimin dhe avancimit? As edhe një pikë, të kuptohemi”. E transmetuar Kabinetit të Luftës britanik, kjo dëshmi gjykohet si “sensacionaliste” nga ana e Churchill, që megjithatë e pranon se duhet marrë seriozisht.

Në Londër dështimi i operacionit shkakton një krizë të rëndë politike, e cila çon në dorëheqjen e Lordit Fisher, Lordi i Parë i Admiraliatit (Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Marinës). Churchill zë vendin e tij si Lord i parë i Admiraliatit me kërkesën e konservatorëve, që e bëjnë një “conditio sine qua non” për hyrjen e tyre në koalicionin qeverisës. Duke marrë titullin, pastërtisht honorifik, e Kancelarit të Dukatit të Lancaster. Trupat evakuohen: më 18 e 19 dhjetor 1915 për zonën e Suvla dhe më 8 e 9 janar për trupat e zbarkuara në Kepin Helles. Në total, Beteja e Dardaneleve apo e Gallipoli ka shkaktuar 46000 të vdekur dhe 86000 të plagosur në radhët e Aleatëve. Indirekt, operacioni ka shkaktuar vdekjen e 258000 ushtarëve prej sëmundjeve. Për sa i përket ushtrisë osmane, vlerësimi i humbjeve rezulton shumë më i rëndë. Ato duket se kanë qenë më të pakta në luftime, por më të mëdha kur mbahen parasysh humbjet e shkaktuara nga epidemitë dhe të plagosurit e keqkuruar.

Përballë një katastrofe të tillë, çdo vend ndërluftues ngre një lapidar të veçantë lidhur me betejën. Në Francë, kujtimi i Dardaneleve, ku 23000 ushtarë mbetën të vrarë apo të plagosur, shpejt u harruan për shkak të efektit të përleshjeve të përgjakshme në frontin perëndimor, si beteja e Verdun apo ajo e Somme në vitin 1916. Luftëtarët e Ushtrisë së Lindjes vuajnë për atë që e konsiderojnë si një mosmirënjohje. Për një shtet të ri si Australia, Gallipoli përkundër perceptohet si prova e zjarrit. Ushtari australian, i mbiquajtur digger (gërmues, për shkak të llogoreve të gërmuara për t’u strehuar) celebrohet si heri. 25 prilli, dita e zbarkimit e trupave ANZAC, përkujtohet çdo vit me entuizazëm. Pavarësisht distancës së madhe, mijëra turistë australianë dhe neozelandezë shkojnë ende sot për të mbuluar me lule varret e rreth 10000 trupave ANZAC që kanë rënë në fushën e betejës. Në Turqi, Beteja e Dardaneleve përbën një kthesë në historinë kombëtare. Me zmbrapsjen e pushtimit perëndimor, ushtria osmane ka demonstruar zotësi dhe kurajo, pas shembullit të Mustafà Kemalit, babait të Turqisë moderne.

Në Britaninë e Madhe, sapo ushtarët kanë lënë brigjet e Dardaneleve, ka shpërthyer një polemikë e madhe lidhur me dobinë e ofensivës, strategjinë e përdorur dhe rezultatet e arritura. Në fillimet e 1916 një komision hetimor ngarkohet që të hedhë dritë mbi këtë katastrofë njerëzore. Gjatë kësaj periudhe Churchill tregohet si përgjegjësi kryesor i humbjes. Për anëtarët e Kabinetit të Luftës dhe sidomos për kryeministrin Herbert Asquith, është një metodë e mirë për të shpëtuar paq nga përgjegjësitë e tyre. Për australianët, trupat ANZAC u bënë viktimat e pakujdesisë britanike.

Qysh nga ai moment, ish Lordi i Parë i Admiraliatit nuk kalon as edhe një moment pa ju dashur të justifikohet. Nga fundi i shtatorit 1916 ai i drejton një letër të gjatë komisionit hetimor. Nga këndvështrimi i tij, opinioni publik britanik është treguar i padrejtë ndaj atyre që kanë planifikuar dhe kryer operacionet. Sipas tij, ka munguar pak që operacioni të dilte me sukses: një dhjetë anije suplementare, ndonjë divizion më shumë dhe pushtimi i Ngushticës së Dardaneleve do të kishte shkaktuar rënien e Konstandinopojës dhe, me pak fjalë, përfundimin e luftës. “Pas disa vitesh, do të shprehet një gjykim tjetër lidhur me këto ngjarje”, pohon shtetari.

Në një punim të kohëve të fundit, historiani i madh australian Robin Prior përcjell elementë të rinj lidhur me strategjinë e përdorur në vitin 1915. Ai demonstron se fushata e Gallipoli, e keqkonceptuar nga fillimi deri në fund dhe e pajisur me mjete njerëzore e materiale tejet të pakëta, ishte e dënuar qysh në nisje. Sigurisht, në ndryshim nga strategë të tjerë britanikë, Churchill dukej se kishte një vetëdije të mprehtë për madhësinë e humbjeve të shkaktuara Aleatëve nga fillimi i luftës dhe është pikërisht kjo ndjenjë që çon në kinceptimin e ofensivës së Dardaneleve për ta shpejtuar përfundimin e luftës, ndërsa bashkëkohësit e tjerë të tij përplaseshin për t’i dhënë përparësi një lufte të gjatë të kryer nga këmbësoria në frontin perëndimor. Me qëllim që Beteja e Gallipoli të mund të kishte sukses, ai është po aq i vetëdijshëm se do të kishte pasur një kosto dhe që kërkonte trupa shumë më të mëdha në numër.

Por Lordi i Parë i Admiraliatit gabohet në themel ndaj impaktit të operacionit në perspektivë. Kur edhe flota ruse kishte arritur të penetronte në Ngushticën e Dardaneleve dhe të merrte Konstandinopojën (padyshim me çmim luftimesh të ashpra), ka të ngjarë që trupat osmane do të vazhdonin të luftonin në Anadoll dhe gjithësesi ekuilibri i forcave të impenjuara në Luftën e Madhe nuk do të ndryshonte kushedi se çfarë, në kundërshtim me shpresat e Churchill. Për Gjermaninë dhe Austro – Hungarinë, ajo që luhej në frontin ballkanik ushte më pak e rëndësishme se luftimet në frontin perëndimor apo në frontin lindor. Pavarësisht zotësisë së demonstruar nga ushtarët aleatë, Beteja e Gallipoli, e orekstruar në nivelin më të lartë qeveritar britanik dhe sidomos nga Churchill, ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme për një rezultat qesharak.
(nga Storica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNuk treguan burimet e financimit, KQZ ndëshkon Murrizin
Artikulli tjetërPas SHBA edhe BE kundër Rama-Vuçiç: Treg i përbashkët rajonal me 6 vende vetëm sipas rregullave të BE