Pas SHBA edhe BE kundër Rama-Vuçiç: Treg i përbashkët rajonal me 6 vende vetëm sipas rregullave të BE

Në një intervistë të dhënë për mediat në Kosovë, zëdhënësja e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian mirëpret këtë angazhim të liderëve për bashkëpunim rajonal, por ajo kujton se çdo gjë uhet bërë sipas rregullave të BE duke refuzuar kështu atë mes ramës dhe Vuçiç. BE kujton Samitin e Sofjes të BE dhe jo Ballkanin e Hapur.

Pisonero gjithashtu e ka rikujtuar edhe zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit.

Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Ajo në fund ka thënë se BE-ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.

“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, ka përfunduar Pisonero.

Artikulli paraprakDisfata në Gallipoli
Artikulli tjetërSi ndikon mungesa e gjumit në shëndetin fizik dhe mendor