Demiraj inspekton doganat: “Masa të rrepta për drogën”

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi dje një inspektim në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Sipas burimeve, ministri Demiraj është takuar me autoritetet e rendit dhe sigurisë, që punojnë në këtë pikë kufitare dhe i ka përgëzuar për kapjen e lëndës narkotike që u tentua të kalohej dy ditë më parë nga Shqipëria drejt Maqedonisë. Mësohet se Demiraj u ka kërkuar zyrtarëve të policisë, që të forcojnë masat e sigurisë në pikën kufitare, në mënyrë që të luftohet trafikimi i lëndëve narkotike.
Dy ditë më parë, Policia Kufitare në Qafë Thanë sekuestroi 77 kg kanabis në një automjet dhe arrestoi dy shtetas bullgarë, ndërsa një shqiptar është shpallur në kërkim. Në pranga u vunë dy shtetas bullgarë, që tentuan të kalojnë drogën drejt Maqedonisë, ndërsa u shpall në kërkim një shtetas shqiptar. Ministri Demiraj ka vlerësuar këtë rast, por ka kërkuar më shumë impenjim nga forcat e policisë për goditjen e trafikut të drogës.
Bëhet e ditur se, ministri Demiraj shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Financave, Helga Vukaj. Gjatë takimit me efektivët e policisë dhe zyrtarët e doganës dy ministrat kanë kërkuar që të vendosen masa të rrepta për të parandaluar trafikun dhe kontrabandën.
Më herët, ditën e djeshme ministri Demiraj dhe ministrja Vukaj ishin për inspektim në Portin e Durrësit, ku takuan autoritetet dhe efektivët që punojnë në këtë pikë doganore. Edhe gjatë këtij takimi, dy ministrat kërkuan forcim të masave të sigurisë në këtë pikë, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, menjëherë pas marrjes së detyrës, ka zhvilluar takime të rëndësishme me  Shefin e Shërbimit Informativ, Visho Ajazi, kryeprokurorin Adriatik Llalla si dhe me drejtuesit e policisë në qarqe.
Gjatë takimit me kryeprokurorin Llalla një ditë më parë, ministri Demiraj ka diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore. Sipas Llallës, do të zbatohet me përpikmëri ligji ndaj shitblerjes së votës.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Edhe gjatë takimit me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqe, ministri Demiraj ka kërkuar ruajtjen e sigurisë dhe rendit për zgjedhjet parlamentare dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit. Ministri Demiraj u ka bërë të qartë drejtuesve të policive në qarqe, se cilido person me uniformë apo pa uniformë që përfshihet në fushatën zgjedhore do të largohet nga puna dhe do të ndiqet penalisht.
Ministri nënvizoi se, cilido person me uniformë dhe pa uniformë pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që përfshihet në fushata, duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale. Po ashtu, Demiraj ka paralajmëruar drejtuesit e policive në qarqe, që të mos bëjnë asnjë tolerim ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit, pasi do të penalizohet rreptësisht.

R.POLISI

Artikulli paraprakNdahet nga jeta deputeti Xhovalin Kadeli, Berisha ngushëllon familjen
Artikulli tjetërZbardhen sms-të: “Voto për PS-në të të marrim në punë”