Zbardhen sms-të: “Voto për PS-në të të marrim në punë”

Një tjetër skandal i blerjes së votave në këmbim të një vendi pune është denoncuar dje nga ish¬-Kryeministri Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha ka publikuar sms-të e shkëmbyera nga drejtori i një kompanie private në qytetin e Korçës, me një qytetar, i cili i ka kërkuar punë. Berisha publikon mesazhet mes qytetarit të interesuar për punë dhe kushtet që i jep drejtori për punësimin kundrejt parave ose votës. Ai i thotë qytetarit se po e bën këtë meqë kishte njohje me kryetarin e Bashkisë.
“Në Narko-Republikën e Noriegës, një njeri i ndershëm, për t’u punësuar edhe tek kompani private serioze të huaja, duhet të paguaj para ose vota mafies siçiliste të përfaqësuar nga Tritani, nipi i bllokmenit Rita Marko! I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë menjëherë hetimin ndaj këtij banditi siçilist!”, shkruan Berisha, duke publikuar sms-të.
Në mesazhin e parë, qytetari që kërkon punë i shkruan drejtorit pse i ka mbyllur telefonin. “Zoti Dritan, më keni mbyllur telefonin vazhdimisht, pavarësisht se më dhatë fjalën që këtë javë do të filloja punë”, shkruan qytetari.
“Tritani jam unë, jo Dritani! Të kam dhënë fjalën, nëse plotësoje njërin nga dy kushtet që ende s’kam marrë një përgjigje”, i shkruan drejtori.
“Po unë aq lekë nuk i kam që të t’i jap, sepse jam hallexhi me 3 fëmijë në shkollë. As borxh nuk më jep njeri. Po më fute do të të jap rrogën e parë, më shumë si mund të bëj”, shkruan qytetari.
“Nuk të është vënë ndonjë kusht o lekë o s’ka. Të dhashë disa opsione. As njerëz s’i ke ti që t’i bësh të vijnë nga krahu jonë? Po të respektoj meqenëse më fute mik kryetarin dhe kam besim, por këto muhabete mos m’i bëj më. Zgjidh e merr dhe më jep t’i përgjigje mua një herë”, përgjigjet drejtori.
“Po nuk kam mundësi, mor burrë. Jam njeri me shkollë, njeri me karakter. Nuk zhytem dot për një vend pune të bëj fushatë se s’kam kohë e kam fëmijë për të mbajtur. Një vend pune po t’ia qaja hallin vetë francezit do ma jepte, pse po ma bie kaq mbrapsht”, shkruan qytetari.
“Të jetë për francezin, as të sheh fare me sy, as nuk merret me punësimet. I kam unë dhe kryetari në dorë. Nuk di ç’të them, më vjen keq”, shkruan drejtori.
“Mirëdita, më fal se po të shqetësoj prapë. Aman, bëj një përjashtim për mua se jam nevojtar. Do ta di për nder familjarisht. Edhe kryetari më tha po deshe ti e bën. Vër dorën në zemër”, i shkruan përsëri qytetari.
“Mirëdita Kastriot, më vjen keq. Unë jam burrë nuk bëj lojëra. T’i thashë mënyrat dhe opsionet, ti nuk plotësove as njërën as tjetrën. Epo më fal, po ka nevojtarë se ti që edhe vetë fitojnë vendin edhe neve na respektojnë. Nuk kam më asnjë vend të lirë për ty. Kalofsh mirë”, e mbyll mesazhin drejtori.
Në mesazhin e fundit kuptohet se drejtori i firmës private ka punësuar qytetarë të tjerë në këmbim të parave ose të votës për Partinë Socialiste. Qytetarët hallexhinj që nuk kanë asnjë mundësi jetese detyrohen, duke u kërcënuar me bukën e gojës, që të futen në punë me premtimin se do të votojnë për Partinë Socialiste më 25 qershor.
Ndonëse Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës, drejtorët e PS vijojnë të kërcënojnë punonjësit për të votuar për kandidatët e majtë. Në ligj thuhet se, për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg nga 1 deri në 7 vjet. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Ligji do të veprojë njëlloj për të gjithë ata që kërcënojnë qytetarët me vende pune në këmbim të votës.

R.POLISI

Artikulli paraprakDemiraj inspekton doganat: “Masa të rrepta për drogën”
Artikulli tjetërKrisht Basha, Muhamet Rama