Ndahet nga jeta deputeti Xhovalin Kadeli, Berisha ngushëllon familjen

Ish-Kryeministri Berisha i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmëve për ndarjen nga jeta të deputetit Xhovalin Kadeli. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, ndarja nga jeta para kohe nga një sëmundje e rëndë e deputetit Xhovalin Kadeli, është një lajm i hidhur për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij që humbën njeriun e tyre më të dashur, bashkëshortin, prindin, vëllain shembullor, por dhe për të gjithë ata që e kanë njohur atë si dhe për Lezhën dhe Parlamentin e vendit që humbën një përfaqësues dinjitoz.
“Me këtë rast, duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes për humbjen e pakompensueshme, i lutem Zotit që shpirti i Xhovalinit të gjejë paqen e merituar! Ngushëllime”, shkruan Berisha.
Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me anë të një mesazhi ka ngushëlluar familjarët për ndarjen nga jeta të deputetit të LSI-së, Gjovalin Kadeli. Kreu i Shtetit u bashkua me dhimbjen e fëmijëve dhe të afërmëve të deputetit të Lezhës.
Xhovalin Kadeli, deputet i Parlamentit të Shqipërisë nuk ia doli të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë që vuante prej tre muajsh. Ai ka ndërruar jetë këtë të premte në një spital të specializuar në Itali, ku prej fundit të muajit mars kurohej nga pankreasi akut.
Më herët, ai ishte diagnostikuar dhe trajtuar në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por përkeqësimi i gjendjes shëndetësore detyroi dërgimin e tij në shtetin fqinj, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk mundi t’ja dalë mbanë.
Xhovalin Kadeli, i cili u shua në moshën 53-vjeçare do të mbahet mend për kontributin e tij në jetën parlamentare të Shqipërisë gjatë dy legjislaturave, ndërsa ka qenë edhe anëtar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Në legjislaturën 2009-2013 ka qenë deputet i Partisë Socialiste, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, ai nuk u përfshi më në listat për kandidatë të Partisë Socialiste.
Pas koalicionit PD-LSI po në këtë vit, ai votoi pro ndryshimeve në qeverinë e Partisë Demokratike. Vota e tij u vlerësua nga kjo force politike që e përfshiu Kadelin në listat e saj për kandidat nga ku u zgjodh deputet. Pas marrjes së mandatit në vitin 2013, ai iu bashkua Grupit parlamentar të LSI-së.
Për zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti, Gjovalin Kadeli ishte i dyti në listën e kandidatëve për deputetë të LSI në Qarkun e Lezhës. Kadeli la pas katër fëmijë, ndërsa para dy vitesh kishte humbur bashkëshorten.

Artikulli paraprakTragjedi, gruaja shkon për të lindur, vdes në spital
Artikulli tjetërDemiraj inspekton doganat: “Masa të rrepta për drogën”