Debati Rama-“Top Channel” për të devijuar vëmendjen nga krimi

Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar për debatin e krijuar së fundmi mes Edi Ramës dhe disa mediave në vend, ku veçohet përplasja e fundit me “Top Channel”. Vasili e konsideron debatin për median shfokusim të qëllimshëm të Edi Ramës për drogën dhe krimin. “Mos u merrni me marrëzitë e tij, do të krijojë muhabete pa vlerë thjesht për ta devijuar vëmendjen”, shprehet Vasili duke paralajmëruar se në Shqipëri do të ketë media të ndershme që do të denoncojnë krimin në pushtet. “Të përgjigjet kryeministri për drogën dhe krimin, debati për median shfokusim i qëllimshëm i tij. Kryeministri u shqye më dysh që të bëjë protagonistin duke goditur mediat. Nuk ka asnjë merak ky, as për të drejtat e njeriut e as për liritë, sepse ky veç i shet e i blen ato. Kryeministri dhe parimi (parimet) janë të kundërtat e njeri-tjetrit. Ky duhet të përgjigjet deri më një për drogën dhe krimin që mbolli në Shqipëri, që e damkosi si askush tjetër këtë vend. Sa për mediat të blejë sa të dojë…Po ‘France International’, ‘Frankfurter Alegmaine Zaitung’, ‘Corriere della Sera’, ‘New York Times’, ‘The Telegraf’, a i blen dot?! Mos u merrni me marrëzitë e tij, do të krijojë muhabete pa vlerë thjesht për ta devijuar vëmendjen. Të përgjigjet kryeministri përpara task-forcës së tre milionë shqiptarëve për drogën dhe krimin epidemik. Sa për mediat, media të ndershme e me integritet në Shqipëri e në botë ka plot, që do të tregojnë çdo gjë sot e çdo ditë për pushtetin e krimit dhe krimin në pushtet”, shprehet Vasili.

Artikulli paraprakDebat në Komisionin e Ekonomisë, nga po vjen rënia e euros
Artikulli tjetërBanorët ngrihen në protesta kundër HEC-ve mbi Valbonë