Cili ishte mesazhi i sulmit në Berlin

Ajo qendër e qytetit është qendra e Evropës dhe e vlerave perëndimore. Akti i xhihadistëve nuk mund të qe më mizor dhe i njohur në stil, me kamionin e lëshuar kundër tregut të festave të fundvitit, saktësisht sikurse kamioni i Nisës u turr më 14 korrik kundër turmës të pambrojtur në Promenade. Shpjegimi ishte dhe është i thjeshtë: Shteti Islamik ka humbur 40 për qind të territorit, që kishte pushtuar në Siri dhe Irak, Mosuli gjendet nën rrethim dhe ndonëse ngadalë, por me siguri forcat irakiane të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA po përparojnë, Raka është gati për t’u vënë nën shënjestrën e sulmit, në Libi ra fortifikata kryesore e xhihadistëve në Sirte, financimet e errëta të së shkuarës nuk po vijnë më dhe bombarduesit rusë, tanimë që është gati marrëveshja me Erdoganin dhe Tramp për t’i dhënë më shumë kohë Asadit, janë duke përdorur të gjithë fuqinë e tyre shkatërruese kundër Shtetit Islamik.
Gjërat po shkojnë shumë keq për xhihadistët. Dhe kur gjërat shkojnë keq në terren, rritet për efekt kompensimi edhe numri i sulmeve terroriste, në format e saj të ndryshme. Masakra e Berlinit i bindet kësaj logjike të hakmarrjes: sa më shumë të na godisni, aq më tepër do t’iu godasim. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë shkëmbim të neveritshëm, duhet të pranojmë se vendosmëria e dëshmuar kohët e fundit kundër prerësve të kokave të El-Bagdadit, sjell këtë aspekt të tmerrshëm të anës tjetër të medaljes.
Por në qoftë se nuk reagohet për të mposhtur ISIS-in, nëse e lëmë veten të mashtrohemi nga kompromiset e pamundura apo lëshimet e turpshme, çmimi do të jetë shumë më i lartë, do të qe dorëzimi ynë civil dhe ndoshta fizik. Për këtë, është e qartë për të gjithë se terrorizmi nuk duhet të na gjunjëzojë, por duhet gjunjëzuar, përtej retorikave publike mendjelehta.
E megjithatë në momentin e ndalimit, është gjithashtu e nevojshme madje dhe thelbësore të pranojmë gabimet, fajet tona. Perëndimi del me kocka të thyera nga martirizimi i Alepos, i menaxhuar në mënyra të ndryshme nga ana e Asadit, Putinit, Erdoganit dhe ata që janë aktualisht në pushtet në Iran. Amerika e Obamës është e përjashtuar nga negociatat që po mbahen në Moskë dhe e pavendosur në lidhje me atë që duhet bërë, ajo e Trampit ende në dritare, por e interesuar vetëm për të mbyllur lojën, Evropa nuk ndihet fare në këtë çështje.
E megjithatë, duhet të pranohet që masakrat e civilëve lënë gjurmë, hyjnë në histori, tregojnë gishtin kundër atyre që bërtitën, por nuk lëvizën. Ja pse ka logjikën e vet të tmerrshme vrasja e ambasadorit rus në Ankara nga një polic turk. Kjo është arsyeja pse kujtimi i Alepos mund të ketë pasur një vend, edhe në mendjen e atentatorit në Berlin. Dhe kjo është arsyeja pse Alepo do të kontribuojë në nxitjen e terrorizmit dhe do të rekrutojë vrasës të rinj masivë.
Në hekatombin sirian dhe tentatulat e tij çdo gjë është e ndërlidhur. Me ISIS-in në cep të ringut, janë rikthyer në Evropë qindra luftëtarëve të huaj, të cilët shkuan të luftonin nën flamujt e zinj. Sa prej tyre janë terroristë të gatshëm për të goditur? Pak, por fatkeqësisht mjaftojnë. Ndërkohë, në mungesë të Perëndimit, Erdogan dhe Putin përsosin paktin e tyre, turku ka dorë të lirë kundër kurdëve sirianë, në një kohë që rusi merr më shumë kohë për qëndrimin e Asadit në pushtet.
Tani vjen puna për të marrë në bord Iranin dhe nuk do të jetë e lehtë, por e pashmangshme. Dhe ISIS-i, në qerthullin e vet përherë e më të ngushtë, do ta shesë shtrenjtë lëkurën, do të zhduket për t’u rishfaqur gjetiu tjetër (mendoni për Palmirën që dukej e sigurtë), do të vazhdojë të joshë sunitët e zemëruar, vazhdojë të mësojë apo inkurajojë nëpërmjet internetit terroristët që tanimë janë infiltruar në shoqëritë tona. Lufta vazhdon dhe s’do të jetë e lehtë për ta fituar vërtet atë, edhe pas rënies së Mosulit dhe Rakës. S’do të jetë e lehtë, por është diçka e detyrueshme.

Përse u zgjodh Gjermania?
“Pse na urrejnë?”, kjo qe një pyetje që shfaqej vazhdimisht në mediat amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Në Gjermani situata sot është e ndryshme: këtu jo vetëm organet e sigurisë, por edhe publiku e ka prej vitesh të qartë se Gjermania mund të jetë në çdo kohë objekt sulmesh terroriste. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere ka paralajmëruar vazhdimisht prej “kërcënimit abstrakt”. Lorenzo Vidino nga Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare në Milano sheh si shkak të madh politikën e jashtme gjermane. “Që nga fillimi i operacionit ushtarak në Afganistan, Gjermania është – sikurse e konsideron atë lëvizja xhihadiste – pjesë e përpjekjeve të kryesuara nga SHBA kundër islamit”. Kjo përforcohet edhe më tepër, pasi qeveria gjermane merr pjesë në luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik. Edhe pse militantët islamikë e kanë pasur gjithmonë Perëndimin në tërësi në shënjestër, thotë eksperti gjerman për terrorizmin Rolf Tophoven: “qëkurse ne mbështesim me armë dhe trajnime milicët kurdë Peshmerga në Irak kundër IS-it, Gjermania është një destinacion i rëndësishëm për sulme”.

“Mendo globalisht, vepro lokalisht”
Por nuk është vetëm politika e jashtme që e ka bërë Gjermaninë objekt sulmesh, mendon Lorenzo Vidino. Studiuesi thekson se edhe në vende që mbajnë qëndrim të rezervuar si Suedia dhe madje edhe Zvicrën neutrale ka pasur plane për sulme. Kjo ka të bëjë me strukturën gjithnjë e më të decentralizuar të terrorizmit xhihadist. Kjo lëvizje përbëhet nga individë të shumtë me lidhje të ndryshme me grupe si Al-Nusra, Al-Kaida apo IS-i. Mbështetësit janë shumë të lirë që të veprojnë në mënyrë të pavarur, thotë Vidino. “Nëse ata jetojnë në Suedi dhe janë – operativisht apo ideologjikisht – pjesë e lëvizjes, ata veprojnë sipas motos: mendo globalisht, vepro lokalisht”. Për xhihadistët që janë rritur në Perëndim, motivet e brendshme politike – si një ndjenjë e përgjithshme diskriminimi – janë po aq të rëndësishme sa motivet politike të jashtme.
Asiem El Difraoui, një nga njohësit më të mirë të propagandës xhihadiste, kujton se sulmet ndaj Perëndimit janë prej kohësh një komponent qendror i ideologjisë. IS-i përbënte fillimisht një përjashtim në këtë pikë, sepse pasuesit e tij donin të përqendroheshin në ndërtimin e “shtetit” të tyre në Siri dhe Irak, thotë El Difraoui. “Kjo është arsyeja pse ata thoshin për arsye taktike, se nuk do ta sulmojnë Perëndimin – me shpresën se do t’i linin në qetësi”. Kur doli se ky ishte një iluzion dhe Shtetet e Bashkuara filluan të bombardojë pozicionet e IS-it, IS-i ka ndryshuar linjën e tij. “Që nga fillimi i sulmeve ajrore shteti islamik i ka kërcënuar në mënyrë të qartë të gjitha vendet perëndimore”, thotë politologu.

Objektivi polarizimi
Këto sulme ndjekin dy objektiva kryesore, thotë El Difraoui: njëri lidhet me frikësimin. Kështu kjo lëvizje pa se qeveria spanjolle i tërhoqi trupat nga Iraku pasi në sulmet e vitit 2004 në Madrid u vranë rreth 200 vetë. Objektivi i dytë konsiston në polarizimin e shoqërive perëndimore. Për shkak se si rezultat mund të zhvillohen demonstrata kundër fesë islame dhe sulme, prej të cilave të rinjtë myslimanë armiqësohen me shoqërinë shumicë dhe mund të bien pre e fondamentalistëve.
Rolf Tophoven e sheh motivin kryesor të sulmeve në një mesazh të mëtejshëm. IS-i ka arritur që me shkatërrimin e kufijve perandorakë në mes të Sirisë dhe Irakut ta vërë gjeografikisht në hije grupin terrorist Al-Kaida. Me sulme të mëdha jashtë vendit IS-i demonstron se lufta e tij nuk është e kufizuar vetëm në Lindjen e Mesme.

Artikulli paraprakNjë ditë, që do ta ndryshojë Gjermaninë
Artikulli tjetërRama, presion drejtësisë për të mos hetuar Ganajn