Chelsea, Fabregas drejt largimit

Rrugët e Cesc Fabregas dhe Chelsea-t mund të ndahen me të vërtetë që në janar. Siç shkruan britanikja “Times”, klubi londinez ka vendosur ta japë në huazim në merkaton e dimrit mesfushorin 29-vjeçar. Spanjolli që në të kaluarën ka luajtur dhe me Barcelonën e Arsenalin, që nga transferimi i Antonio Contes në stol ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar. Një tjetër e përditshme britanike, “Daily Star” shkon edhe më tej, duke shtuar se Milani është i gatshëm të hyjë në tratativa për t’ia dhuruar Fabregas trajnerit Montella.
Edhe pse ka një kontratë edhe për dy vite e gjysmë, Fabregas mund të dërgohet të luajë larg “Stamford Bridge”. Një pengesë të madhe në këtë aspekt mund të përbëjë paga e tij e lartë, me mesfushorin që merr mbi 9 milionë euro në sezon. Kjo është një arsye se pse Chelsea po vlerëson hipotezën e huazimit, duke kontribuar që të paguajë një pjesë të pagës, me Milanin që në këtë mënyrë kthehet në një pretendent serioz pas interesimit fillestar që bëri në verën e kaluar. Nxjerrja jashtë grupit e Fabregas veç të tjerash, do t’i lejonte Contes të futej sërish në merkato për të integruar mesfushën me një element me karakteristika më të ngjashme me lojtarë si Matiç e Kante.
Ndërkohë, Mario Baloteli duket i rilindur në Francë. Kryesuesit e Ligës 1 kanë mundur bindshëm Nantën me rezultatin 4-1 duke thelluar në këtë mënyrë diferencën me Monakon dhe Parisin, të cilat kanë 6 pikë më pak në renditjen e kampionatit. Në këtë sfidë ka shënuar edhe Baloteli. Ky ishte goli i tij i shtatë në po aq ndeshje me Nisën. Sulmuesi italian shënoi golin e dytë të ndeshjes, pasi golin e avantazhit e realizoi Siprien. Më pas ishin miqtë, të cilët kërkuan të rifuteshin në lojë me anë të Salas, por dy golat e shpejtë që pasuan, të shënuar nga Plea dhe Siprien, vulosën gjithçka. Ëndrra e Nisës, me në krye Balotelin, vazhdon.
Në përfundim të sfidës, futbollisti italian e ka analizuar në këtë mënyrë fitoren: “Jam shumë i lumtur, pasi kemi bërë një tjetër paraqitje shumë të mirë dhe po vijojmë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm. Sigurisht, duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë, kampionati sapo ka filluar dhe favorit është PSG-ja. Llogaritë bëhen në fund të sezonit”. “Projekti i klubit më tërhoqi qysh në fillim dhe kjo është arsyeja pse zgjodha të jem pjesë e kësaj skuadre. Dua ta ndihmoj Nisën për të konkretizuar objektivat sezonalë. Kombëtarja? Për momentin, po mendoj vetëm të bëj një kampionat të mirë dhe jam i përqendruar tek ekipi. Sigurisht do të më pëlqente shumë të rikthehesha në përfaqësuese”, tha ai.

Artikulli paraprakTensionohet Mesi
Artikulli tjetërE kaluara e panjohur e yjeve të futbollit