Çfarë ndodhi vërtet në Departamentin e Shtetit?

Peter van Buren

Ditën e enjte në Departamentin e Shtetit 5 zyrtarë dhanë dorëheqjen ose dolën në pension. Një tjetër të premten. Mediat janë tërbuar me raportime nga më të ndryshmet, duke pretenduar se dorëheqjet janë një protestë ndaj administratës së Trumpit. Kjo nuk ëstë e vërtetë. Në fakt, ajo çfarë ka ndodhur në Departamentin e Shtetit është një situatë rutinë. Ata që po largohen nga departamenti janë kreu i Byrosë së Menaxhimit, Pat Kennedy, asistentsekretari i Shtetit për Administrimin, Joyce Anner Barr, asistentsekretari i Shtetit për Çështjet e Konsullatës, Michele Bond, ambasadori Gentry O. Smith, drejtori i Zyrës së Misioneve të Jashtme, zyrtari i kontrollit të armëve Tom Countryman dhe Victoria Nuland. Ja si kanë rrjedhur ngjarjet në të vërtetë:

– Askush në Departamentin e Shtetit nuk e ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste.

– Askush nuk është pushuar formalisht nga puna.

– Gjashtë persona janë transferuar ose kanë dalë në pension nga postet dhe emërimet politike që mbanin. Teknikisht ata që nuk kanë dalë në pension mund të konsiderohen se kanë dhënë dorëheqjen, kjo është një situatë rutinë e ndryshimit të personelit, jo një deklaratë politike. Të gjashtë janë personel në karrierë që vijnë nga Shërbimet e Jashtme. Ata kanë lënë më parë punët e tyre në Shërbimet e Jashtme për t’u emëruar në poste politike dhe tani kanë dhënë dorëheqjen nga këto poste (ose kanë dalë në pension) për t’u rikthyer përsëri tek punët e tyre në Shërbimet e Jashtme, një qarkullim rutinë i burimeve njerëzore. Ata duhet të dorëzojnë një letër dorëheqjeje sipas procedurës standarde të kërkuar kur një president i ri ngjitet në pushtet.

– Vetëm nënsekretari i Shtetit, Alan Larson, ka qëndruar në punën e tij pas transferimit të presidencës nga Bill Clinton tek George W. Bush. Në fakt, është mëse e zakonshme që zyrtarët e lartë të largohen ose të riemërohen në një tjetër pozicion.

– Disa nga gjashtë personat e larguar janë të lidhur ngushtë me e-mail-et e Hillary Clintonit ose me mënyrën se si Clinton ka trajtuar çështjen e Bengazit. Një prej tyre, Pat Kennedy, ka luajtur një rol të rëndësishëm në të dy rastet, si edhe në shumë çështje të tjera të debatueshme gjatë mandatit të Clintonit si sekretare e Shtetit. Burimet tregojnë se edhe pse Kennedy është dorëhequr zyrtarisht, ajo praktikisht është detyruar ta bëjë këtë nga administrata e Trumpit.

– Nuk ka konfirmime për të tjerët, nëse u është kërkuar të largohen ose jo, apo thjesht janë ristrukturuar pozicionet e tyre dhe do të riemërohen në një pozicion tjetër si pjesë e procedurës rutinë. Me shumë gjasa do të ndodhë e dyta, pasi ristrukturimi i pozicioneve politike është shumë e zakonshme pas ndryshimit të administratës qeveritare. Si kudo tjetër në qeveri, administrata e re i mbush postet politike me emërimet e saj.

– Disa prej gjashtë të larguarve mbushin moshën e kërkuar për të dalë në pension më 31 janar.

– Raportimet që thonë se këto persona përfaqësojnë “poste të menaxhimit të lartë” në Departamentin e Shtetit i kanë ngatërruar termat. Për shkak të mënyrës se si është organizuar Departamenti i Shtetit, katër prej të gjashtëve punojnë në Byronë e Menaxhimit. Kenney ishte kreu i Byrosë. Të katërt luajnë role të ndryshme dhe së bashku nuk përbëjnë menaxhimin e lartë të departamentit. Dy punojnë në pjesë të tjera të departamentit (Countryman dhe Nuland) dhe janë më të lidhur ngushtë me politikat që ka shumë gjasa të ndryshojnë me ardhjen e administratës së re.

– Të gjashtë personat vijnë nga pozicione me hierarki të gjatë. Nuk ka asnjë mundësi që puna në Departamentin e Shtetit të mbetet pezull nga asnjë prej këtyre ndryshimeve. Secili pozicion ka një person të dytë, të tretë e të kartërt që do të ngrihet dhe do të marrë në dorë detyrën provizorisht derisa të bëhen zëvendësimet përkatëse. E gjitha është pjesë e procesit standard të tranzicionit.

– Me shumë gjasa do të ketë edhe “dorëheqje” të tjera të tilla dhe ristrukturim të Departamentit të Shtetit, emërimet e reja politike do të sjellim stafin e tyre. Nëse asnjë punonjës nuk mbam një konferencë për shtyp për të deklaruar dorëheqjen e tij në shenjë proteste, media duhet të qetësohet, të verifikojë faktet dhe të rapotojë me drejtësi dhe saktësi.

– “Washington Post”-i theksoi se ndryshimet ishim pjesë “e një eksodi masiv të zyrtarëve të lartë të shtetit që nuk duan të shërbejnë në administratën e Trumpit”. Nuk jam në dijeni të largimeve të tjera (dy zyrtarë më pak të rëndësishëm u larguan në fillim të muajit në situata që nuk lidheshin aspak me presidentin Trump) dhe siç është theksuar edhe më lart, asnjë prej tyre nuk është dorëhequr në shenjë proteste. Sidoqoftë, tetë persona të larguar nuk përbëjnë një eksod masiv. Artikulli i “Washington Post” është bërë alarmues qëllimisht dhe duket i shkruar nga një reporter që nuk e njeh procedurën e ristrukturimit të Departamentit të Shtetit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakA i intereson Rusisë shpërbërja e BE-së?
Artikulli tjetërTrump, negociatori ideal për çështjen e Koresë së Veriut