A i intereson Rusisë shpërbërja e BE-së?

Pavel Koshkin

Në mesin e muajit janar, në Forumin Ekonomik Gaidar 2017 që u zhvillua në Moskë në Akademinë ruse Presidenciale të Ekonomisë Kombëtare dhe Administrimit Publik (RANEPA), diskutohet kryesisht debati i së ardhmes së Bashkimit Europian. Më specifikisht, pjesëmarrësit diskutuan për mënyrën se si Brexit do të ndryshojë trajektoren e ardhshme të Bashkimit Europian.
Eventi në Moskë rastisi në të njëjtën kohë ndërsa kryeministrja britanike, Theresa May, mbante një fjalim tepër të rëndësishëm dhe që pritej me padurim, në lidhje me procesin e Brexit. Zyrtarisht, Brexit pritet të përfundojë në muajin mars, ndaj kohës për të qartësuar se çfarë do të ndodhë më pas po i vjen fundi.

Brexit dhe e ardhmja e Europës
Edhe pse muajt e fundit kanë qenë të mbushur me evente tepër të rëndësishme të politikës ndërkombëtare, Brexit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, pas gjashtë muajsh diskutimesh dhe debatesh. Qëllimi i kryeministres Theresa May, mesa duket, është t’i japë fund procesit të Brexit me sa më pak dëme reputacioni, financiare, ekonomike dhe politike për Britaninë e Madhe. Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të arrijë marrëveshje të mira ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Europian.
Kjo mund të rezultojë më e vështirë nga sa mendonin të gjithë. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian i kanë përçuar Londrës vazhdimisht sinjale të qarta se nuk duhet të presë asnjë favor pas largimit nga Bashkimi Europian. Në fjalimet e mbajtura nga Joseph Muscat, kryeministër i Maltës dhe Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë, është sinjalizuar qartë dhe haptazi se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të presë kurrsesi të gëzojë të njëjtat avantazhe nga Bashkimi Europian pasi të largohet.
Kështu, kryeministrja britanike e gjen tashmë veten në një situatë mjaft të vështirë. Ajo ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm për të shpjeguar mënyrën se si vendi i saj do të implementojë nenin 50, përmes të cilit Britania do të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian.

Shpërbërja europiane
Eksperti rus, Vladimir Mau, ngre problemin dhe mundësinë e shpërbërjen së Bashkimit Europian gjatë konferencës “Rusia dhe bota: Përcaktimi i prioriteteve”, në të cilën u bashkuan ekonomistë, ekspertë të mirënjohur dhe politikanë të ndryshëm përfshirë Martin Wolf, komentatori ekonomik i “Financial Times”, si dhe kryeministri rus, Dmitry Medvedev.
Cili është faktori më kërcënues, e ardhmja e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar apo vetë procesi i ndërlikuar i Brexit? Kjo është pyetja që duket se po mundon më shumë ekspertët gjatë këtyre muajve të fundit.
Wolf theksoi se Britania e Madhe ka qenë vazhdimisht në “zonën e paqëndrueshmërisë” në lidhje me pjesën tjetër të Europës, madje ka qenë gjithmonë një anëtare gjysmë e ndarë nga Bashkimi Europian sipas interesave të saj dhe me një hezitim konstant për të ndarë të njëjtat objektiva me vendet e mëdha të unionit. Realiteti ishte ai që kontribuoi më shumë për Brexit-in. Kriza e emigracionit ishte faktori i fundit që mundësoi largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, sipas Wolf.
Ndërkohë, Alexander Graf Lambsdorff, zëvendëspresident i Parlamentit Europian, është shprehur i trishtuar për faktin se, “atdheu i liberalizmit europian është duke u shkëputur nga Bashkimi Europian”. Ndërkohë, Vaclav Klaus, ish-president i Republikës Çeke gjatë viteve 2003-2013 shprehet i kënaqur dhe e mirëpret largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Ai thotë se shikon këtë vendim si “kundërshtim simbolik për atë që e konsideron si një burokraci të dështuar, të kalbur e të vjetër që ka kontribuar në dobësimin e ndjeshëm të Bashkimit Europian. Ai e përgëzon rezultatin e referendumit dhe e shikon atë si një gjest lirie dhe ndërgjegjësimi publik.
Wolf nuk është dakord me të. Sipas tij, rreziqet kryesore që fshihen pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian janë pasojat e dëmshme dhe të pashmangshme që do të ketë në institucionet europiane. Brexit mund të dëmtojë ndjeshëm qëndrueshmërinë e Bashkimit Europian, si edhe monedhën e përbashkët. Mbi të gjitha, një Europë e paqëndrueshme do të kthehej në një barrë, jo në një aset për Rusinë, sipas Wolf.

Kremlini dhe Brexit
Kur e pyetën nëse Rusia do të përfitonte nga Brexit dhe nga një Europë më e dobët, Wolf tha: “Varet nga ajo që kërkon të përfitosh”. Siç e thekson edhe eksperti, nëse Kremlini kërkon të jetë një i afërm i fuqishëm për fqinjët e tij dhe t’i nënshtrojë ata sipas vullnetit, do të ishte e logjikshme që Moskës t’i interesonte më shumë shpërbërja e Europës dhe dobësimi i aktorëve të tjerë globalë. Në fund të fundit, nëse Bashkimi Europian dobësohet, Kina shpërthen dhe Shtetet e Bashkuara izolohen, Rusia do të kishte mundësinë të kthehej në vendin më të fuqishëm të botës, thotë Wolf me ironi.
“Nëse ndër qëllimet e Rusisë është edhe bashkëjetesa në një botë relativisht paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë, në të cilën mund të marrësh pjesë dhe të bashkëpunosh, atëherë të gjithëve do t’i interesonte që Bashkimi Europian të mbijetonte”, shton ai. “Shteti e vendos vetë se cilët janë objektivat e tij kombëtarë”.
Po kështu, Lambsdorff beson se është shumë e vështirë të dish me siguri se deri në ç’pikë Rusia kërkon të dobësojë ose jo Bashkimin Europian përmes Brexit dhe procese të tjera shpërbërëse të mundshme. Ndërsa një teori argumenton se, Rusia do të ishte e interesuar në shpërbërjen e Bashkimit Europian, duke pasur parasysh aspiratat e saj revizioniste në arenën ndërkombëtare, teoria tjetër (e cila duket se përputhet me pozicionin zyrtar të Kremlinit) sugjeron se Rusia kërkon të shohë një Bashkim Europian më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm, për shkak të afërsisë me kufijtë rusë.
Në fakt, Europa më e qëndrueshme përputhet më mirë me ëndrrën e Rusisë për krijimin e Europës së madhe nga Lisbona në Vladivostok, ku Moska mund të luajë një rol më të rëndësishëm dhe të kontribuojë më shumë në sigurinë e Europës. Megjithatë, duket se ka mospërputhje me logjikën e Kremlinit.
Edhe pse kërkon në thelb një Europë më të fortë, më paqësore dhe më të begatë, në të njëjtën kohë nuk i pëlqen aspak integrimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian, më specifikisht në Gjeorgji dhe Ukrainë, madje ka bërë çmos për të shtypur aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në BE. Në fakt, këto shqetësime të ekzagjeruara të Kremlinit ishin pikërisht ato që çuan pjesërisht drejt krizës së Ukrainës.
Megjithatë, përfaqësuesit e Bashkimit Europian, politikanët dhe ekspertët e ndryshëm të politikës së jashtme qartësuan gjatë diskutimeve me temën “Europa pas Brexit” se, aspiratat e Tbilisit dhe Kievit për integrimin europian kanë pak gjasa të aprovohen në mes të kësaj krize të integrimit europian.
“Tani jemi 28 vende anëtare ose më saktë, 27 e gjysmë dhe e kemi mjaft të vështirë të biem dakord gjatë gjithë kohës. Bashkimi Europian ndodhet në vështirësi edhe kështu siç është, pa shtuar vende të tjera për të ndërlikuar situatën”, thotë Lambsdorff, duke sinjalizuar qartë se për momentin, anëtarësimi në BE i Gjeorgjisë dhe Ukrainës nuk është i mundur. Po kështu, Vaclav Klaus beson se koncepti i zgjerimit të Bashkimit Europian është një lojë e humbur.
“Zgjerimi i Bashkimit Europian ka humbur, nuk ekziston më”, thotë ai. “Natyrisht disa politikanë vazhdojnë të flasin rreth të ardhmes së zgjerimit, por praktikisht është një lojë e humbur për të ardhmen e imagjinueshme dhe të parashikueshme, për mendimin tim”.
Kjo është arsyeja përse Rusia ka frikë se fqinjët e saj të afërt dhe dy republika të ish-Bashkimit Sovjetik, ku Kremlini kërkon të rikërkojë interesat kombëtare ruse, mund të bëhen një ditë anëtare të Bashkimit Europian dhe të largohen nga sfera e influencës së Rusisë, janë tërësisht të pabazuara. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të Brexit dhe impaktit që do të ketë në integrimin europian dhe pjesërisht për shkak të luftës së vazhdueshme civile në Ukrainën Lindore, që sipas shumë ekspertëve është shkaktuar pikërisht nga Moska.
Diplomati britanik, Robert Cooper thekson se edhe pse Rusia nuk e sheh veten si pjesë e konfliktit me Kievin, ajo ruan një rol tepër të rëndësishëm në luftë duke mbështetur rebelët e Donbasit. “Në krizën ukrainase, Rusia pretendon për momentin se mban postin ndërmjetësues”, thotë ai për “Russia Direct”. “Unë mendoj se ky është një këndvështrim tepër hipokrit sepse për këdo që shikon konfliktin, është e qartë se Rusia nuk është aspak një ndërmjetësuese, por është palë në konflikt”.
Kështu, siç është implikuar nga shumë ekspertë, strategjia e Moskës për ta mbajtur Ukrainën e përçarë funksionon më së miri, duke i zhdukur të gjitha mundësitë e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian- megjithatë, ekspertët e BE-së shprehin një lloj optimizmi të matur rreth të ardhmes së marrëdhënive Rusi-BE, të paktën për të ardhmen e parashikueshme dhe preferojnë ta nënvlerësojnë impaktin e Brexit.
“Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Europian kanë qenë shumë të forta për shumë vite me radhë dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, edhe pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar”, thotë Jorge Braga de Macedo, drejtues i Qendrës për Globalizimin dhe Qeverisjen në Universitetin NOVA të Biznesit dhe Ekonomisë në Portugali.
“Bashkimi Europian është fqinj i Rusisë. Rusia është një vend që asnjë shtet europian nuk mund ta injorojë. Nuk mendoj se Rusia është vërtet e interesuar të krijojë përçarje brenda grupit të komunitetit të Atlantikut Verior – BE, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA. Nuk është në interesin e Rusisë që të nxisë përçarje aty ku nuk kanë ekzistuar që pas Luftës së Dytë Botërore”.
Lambsdorff është dakord me homologun e tij portugez. “Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Europian duhet të ndërtohen mbi besimin, por Marrëveshja e Minskut duhet të implementohet dhe kriza e Ukrainës duhet të marrë fund në mënyrë që të normalizohet situata ndërmjet Bashkimit Europian dhe Rusisë. Në këtë situatë nuk duhet të mendojmë më se kush janë humbësit dhe kush fituesit. Duhet të mendojmë rreth interesave të përbashkëta. Mendoj se qëndruehmëria e fqinjësisë qendrore dhe lindore, qëndrueshmëria e Bashkimit Europian dhe qëndrueshmëria e Rusisë janë interesat e përbashkëta”.

“Russia Direct”

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakLufta civile në Jemen
Artikulli tjetërÇfarë ndodhi vërtet në Departamentin e Shtetit?