Trump, negociatori ideal për çështjen e Koresë së Veriut

Joel Wit, Richard Sokolsky

Donald Trump ka përfunduar me sukses fazën e rëndësishme të kalimit nga fushata, në periudhën tranzitore, tek qeverisja e vendit. Qeverisja tani kërkon prej tij vendime të vështira dhe negociata të ndërlikuara, nga të cilat shpesh duhet të zgjidhësh alternativën më pak të keqe. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për trajtimin e situatës së rrezikut që buron nga Korea e Veriut dhe programit të saj bërthamor dhe raketor.
Koreanët janë përpjekur me çdo kusht që ta qartësojnë sa më mirë rrezikun, gjë që u vërtetua me kërcënimin e Kim Jong Un gjatë fjalimit të Vitit të Ri kur tha se do të niste testimin e raketave balistike ndërkontinentale që mund të arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara, e më pas nga spekulimet e mediave që Penjani planifikonte t’i fillonte testimet menjëherë pas inaugurimit të presidentit Trump.
Rreziku duket se ekziston vërtet dhe nevojitet një strategji efektive, një menu alternativash të mundshme. Sanksionet e tjera financiare nuk kanë për të funksionuar. Përdorimi i forcës ushtarake amerikane mund të jetë joefektive dhe përmban rrezik të madh. Ndryshimi i regjimit është edhe më i pamundur. Alternativa më realiste për presidentin Trump që të frenojë marshimin bërthamor të Koresë së Veriut është ky: diplomaci e egër, presion aty ku diplomacia dështon. Por a do të vendosë presidenti të zgjedhë këtë alternativë apo ka ndërmend ndonjë strategji tjetër?
Kërcënimi i Koresë së Veriut është përkeqësuar gjatë tetë viteve të fundit për faj të administratës Obama, e cila për tetë vite me radhë bëri të njëjtat gabime duke pritur çdo herë rezultate të ndryshme. Shtetet e Bashkuara u kapën me kokëfortësi në katër bindje thellësisht të gabuara: së pari, që Kina do të bënte ndërmjetësim për llogari të Amerikës, së dyti, që Koreja e Veriut nuk mund të mbijetojë pa integrimin e gjerë ekonomik në komunitetin ndërkombëtar; së treti, që programi bërthamor kërkonte shumë kohë për t’u zhvilluar dhe koha ecte në favor të SHBA-ve; dhe së katërti, që Koreja e Veriut nuk do të mbante premtimet e saj.
Duke e mbajtur veten të burgosur brenda këtyre bindjeve për kaq shumë kohë, Shtetet e Bashkuara tashmë ndodhen në një situatë politike pa krye, ku sanksionet nuk funksionojnë dhe diplomacia nuk ekziston. Më keq akoma, injorimi i këtij problemi nuk është më një mundësi pasi kërcënimi është i garantuar nga zhvillimet e programit raketor të Koresë së Veriut dhe kapaciteti i saj bërthamor po rritet si një kancer.
Cilët janë rreziqet që i kanosen Shteteve të Bashkuara? Shumë ekspertë kanë argumentuar se kërcënimi i sulmit të Koresë së Veriut kundër Shteteve të Bashkuara është hiperbolizuar së tepërmi. Nga ky këndvështrim, Kim nuk ka si të kërkojë vetëvrasje, sepse mbi të gjitha kërkon mbijetesën e dinastisë së tij dhe të Koresë së Veriut dhe ka frikë t’i sulmojë Shtetet e Bashkuara për shkak të perspektivës së ndonjë kundërpërgjigjeje të egër dhe ndryshimi regjimi në vend. Këto janë argumente të besueshme, për të cilët nuk ka prova as për t’i mbështetur dhe as për t’i rrëzuar. Ajo që dihet është se Shtetet e Bashkuara do të ishin më të sigurt nëse Kimi nuk do të kishte kapacitetin për të lëshuar një raketë me rreze të largët.
Ekzistojnë edhe rreziqe të tjerë seriozë. Këtu përfshihet: kërcënimi ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara dhe forcave në Azinë Verilindore, të cilët po ngrenë dyshime për planin ushtarak që duhet të mbrojë Korenë e Jugut dhe Japoninë; të dy vendet në fjalë kanë dyshime serioze në aftësinë e Amerikës për të zmbrapsur sulme eventuale; përkeqësimi i krizës së marrëdhënieve SHBA-Kinë nëse Washingtoni i bën presion Kinës për të imponuar sanksione shtrënguese; krijimi i një krize tjetër nëse Korea e Jugut dhe Japonia kërkojnë të përmirësojnë edhe kapacitetet e tyre për të qenë në gatishmëri në rast të sulmit të Veriut dhe përhapjes së një gare të vërtetë bërthamore në rajon.
Administrata e re ka në thelb katër mundësi për t’i reduktuar këto kërcënime. E para është të ideojë një fushatë drakoniane sanksionesh që ta detyrojnë Korenë e Veriut të ulet në tavolinën e bisedimeve. Presidenti Trump duket se mendon që duke i folur keq Kinës – lojtarja kyçe e kësaj fushate për shkak të lidhjeve të saj ekonomike me Penjanin – për shkak se nuk ka bërë asgjë deri tani për të ndihmuar me çështjen e Koresë, do të shërbejë për ta arritur qëllimin.
Ky qëndrim fatkeqësisht mund të dështojë, pasi Kina mund të vendosë të mos bashkëpunojë, duke qenë se e konsideron Korenë e Veriut si një pjesë të interesave të saj kombëtare dhe është shfaqur dyshuese kundrejt regjimit të Shteteve të Bashkuara për ndryshim regjimi me Korenë e Veriut. Më tej, kjo mund të krijojë më shumë avantazhe për koreanët që të zhvillojnë më tej progamin e tyre bërthamor dhe raketor duke përfituar nga mosmarrëveshjet ndërmjet Washingtonit dhr Pekinit.
Alternativa e dytë, sulmet ushtarake për të shfarrosur kërcënimin korean që buron nga programi bërthamor përpara se të kërcënojë Shtetet e Bashkuara, ka pak gjasa të ketë sukses. Diçka e tillë mund të kundërshtohej edhe nga Korea e Jugut dhe Japonia dhe mund ta shtyjë Kinën drejt asaj që mund të duket si Lufta e Dytë koreane.
Mundësia e tretë, ajo e nxitjes së ndryshimit të regjimit në Korenë e Veriut për t’i dhënë fund kërcënimit do të ishte fillimisht një qasje afatgjatë, pasi është praktikisht e pamundur të rrëzohet me shpejtësi një regjim autoritar në Penjan, i cili qëndron në pushtet prej gjashtë dekadash. Rezultati më katastrofik i kësaj strategjie do të ishte që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të shpenzonin vite të tëra me shpresën e rezultateve të kënaqshme, ndërkohë që kërcënimi bërthamor bëhet gjithnjë e më i madh.
Mundësia e katërt, diplomacia e egër shtrënguese, duket se ka më shumë gjasa të funksionojë. Mund të fillojë me një angazhim të qëndrueshëm diplomatik me Korenë e Veriut, mbështetur nga kërcënimi i përdorimit të të gjithë forcës ushtarake dhe ekonomike për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët nga zhvillimi i programit bërthamor të Koresës së Veriut. Për shkak se programi bërthamor i Koresë ka arritur në një fazë mjaft të avancuar, objektivi fillestar i diplomacisë shtrënguese do të ishte çarmatimi gradual i vendit nga arsenali bërthamor në faza që përbëjnë një kornizë më të gjerë strategjike, ku përfshihet edhe një marrëveshje gjithpërfshirëse paqeje që, në sytë e Penjanit, do t’i jepte fund “politikës armiqësore” të Shteteve të Bashkuara kundrejt Koresë së Veriut.
Një proces i tillë i zhvilluar hap pas hapi do të krijohej për të siguruar objektivat më të rëndësishme dhe imediate të Shteteve të Bashkuara dhe për të frenuar programet raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut. Për aq kohë sa të gjitha palët e përfshira ndërgjegjësohen për faktin se çarmatimi bërthamor është një proces që nuk do të arrihet kurrsesi brenda natës, iniciativa nuk do të sinjalizonte kurrsesi se Shtetet e Bashkuara janë duke e pranuar gjendjen bërthamore të Koresë së Veriut.
A mund të arrijë presidenti Trump, i cili është i njohur gjerësisht për aftësitë e tij të jashtëzakonshme të negocimit, të ketë sukses aty ku të tjerët përpara tij kanë arritur vetëm të dështojnë? Administrata e tij ka shumë gjasa të mira për të pasur suksese, nëse presidenti vendos të nisë procesin serioz të negociatave. Strategjia e mëparshme e Shteteve të Bashkuara kundrejt Koresë së Veriut ka ndjekur pa sukses herë strategjinë e diplomacisë e herë atë të presionit dhe përballjes, por nuk ka arritur kurrë t’i integrojë të dyja. Një strategji e tillë madhore do të ofronte avantazhe të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe disavantazhe po aq të mëdha për Penjanin në rast se vendos të refuzojë mundësinë për të hyrë në negociata me Washingtonin.
Presidenti Trump mund të ndodhet edhe në pozicionin më të mirë për t’u përballur me kundërshtarët brenda vendit – republikanët që do të argumentojnë se përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Penjanin nuk janë gjë tjetër veçse humbje kohe. Ai mund të tërheqë me vete edhe Korenë e Jugut, aleati kyç i Shteteve të Bashkuara, qeveria e së cilës duket se është duke u lëkundur në bindjen kokëfortë të përdorimit të sanksioneve dhe mund të shfaqet më e hapur kundrejt diplomacisë pas delegjitimimit dhe zëvendësimit të mundshëm të presidentes Park Geun-hye.
Hapi i parë drejt këtij procesi do të ishte që presidenti Trump të niste një bisedim direkt me lidershipin e Koresë së Veriut, duke dërguar një mesazh privat se administrata e tij është e gatshme të eksplorojë rrugët paqësore drejt mirëkuptimit. Qëllimi do të ishte nisja e bisedimeve paraprake pa imponuar kushte, për të testuar terrenin dhe për të parë nëse diplomacia ka hapësirë për t’u zhvilluar mes palëve.
Korea e Veriut mund të shfaqet e hapur ndaj një iniciative të tillë dhe pavarësisht parashikimeve të errëta të ekspertëve, Penjani nuk ka lëshuar asnjë goditje të vetme që pas testimit bërthamor të muajit shtator të vitit të kaluar, duke qëndruar në pritje për të parë se çfarë do të ofronte administrata e re amerikane. Por koha në këtë rast punon kundër Shteteve të Bashkuara, duke qenë se stërvitja e përbashkët ushtarake ndërmjet Amerikës dhe Koresë së Jugut pritet të fillojë në muajin shkurt. Kjo mund të nxisë një kundërpërgjigje agresive nga ana e Koresë së Veriut, veçanërisht nëse manovrat ushtarake reklamohen publikisht, siç ka ndodhur në të shkuarën, si testime për të prerë kokën e lidershipit koreanoverior apo përfshijnë fluturime të avionëve luftarakë amerikanë që mund të mbajnë edhe armë bërthamore në bord.
Në rast se përpjekja fillestare për diplomaci dështon, administrata Trump do të kishte një bazë shumë herë më të fortë – pasi ka vërtetuar se diplomacia me Korenë ishte e pamundur dhe kërcënimi nga programi bërthamor është zmadhuar ndjeshëm – për të nisur përpjekjet e frenimit të kërcënimit korean përmes rritjes së presionit dhe përballjes. Në këtë rast, administrata Trump mund të nisë një kundërpërgjigje duke zgjeruar sistemin kombëtar të mbrojtjes raketore bashkë me sistemet e mbrojtjes raketore rajonale për Japoninë dhe Korenë e Jugut; të rrisë ndjeshëm kapacitetin e sulmit në rajon për të nxitur vetëpërmbajtjen e Koresë së Veriut; të rivlerësojë tërësisht pozicionimin e forcës ushtarake amerikane në Azinë Verilindore, duke qenë se programi bërthamor i Koresë së Veriut ndikon drejtpërdrejt në strategjinë amerikane për të mbrojtur aleatët; të pozicionojë vazhdimisht mjete tokësore dhe ajrore me kapacitetin e mbajtjes së armëve të zakonshme dhe bërthamore në bord, si dhe të ofrojë nëndetëse amerikane bërthamore për Korenë e Jugut; të kërkojë sanksione akoma më të egra në Kombet e Bashkuara, duke i miratuar ato fillimisht në mënyrë të njëanshme për t’i bërë më shumë presion ekonomik Koresë së Veriut.
Një politikë e re që teston fillimisht terrenin e negocioatave diplomatike dhe ushtron presion të jashtëzakonshëm ushtarak dhe ekonomik kundër Koresë së Veriut nuk ofron garanci të qarta suksesi, por rreziqet e kësaj strategjie në rast dështimi janë më ulëta se kostot dhe pasojat e aplikimit të sanksioneve të tjera, përdorimit të forcës ushtarake dhe nxitjes së ndryshimit të regjimit. Siç ka thënë dikur edhe Winston Churchill në lidhje me format demokratike të qeverisjes: “Të negociosh me Veriun është alternativa më e keqe, përveç të gjithë alternativave të tjera”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakÇfarë ndodhi vërtet në Departamentin e Shtetit?
Artikulli tjetërGjeopolitika e Shteteve të Bashkuara të Donald Trump