Çfarë biseduan Trump dhe Putin?

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin kanë biseduar më 14 nëntor për marrëdhëniet e vështira dypalëshe ndërmjet vendeve të tyre, në telefonatën e parë që nga zgjedhja e Trump javën e kaluar.
Ekipi i Trump tha në një kumtesë se Putin i ka telefonuar më herët gjatë ditës dhe e ka uruar për fitoren në zgjedhjet e 8 nëntorit ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton dhe se Presidenti i zgjedhur “pret që të ketë marrëdhënie të fuqishme dhe të gjatë me Rusinë”.
“Gjatë bisedës telefonike, të dy udhëheqësit folën për një numër çështjesh, përfshirë dhe kërcënimet dhe sfidat me të cilat përballen SHBA-ja dhe Rusia, çështjet strategjike të ekonomisë dhe marrëdhëniet historike SHBA-Rusi që datojnë prej më shumë se 200 vjetësh”, thuhet në kumtesë.
Kremlini tha më heret, më 14 nëntor, se Putin dhe Trump janë pajtuar se gjendja aktuale e marrëdhënieve është “jashtëzakonisht e pakënaqshme”.
Putin i tha Trumpit, gjatë telefonatës, se është i gatshëm të bisedojë mbi bazën e “respektit të ndërsjellë” dhe “për mosndërhyrje në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit”, thuhet në kumtesën e Kremlinit.
Në kumtesë thuhet se Putin dhe Trump janë pajtuar që të punojnë “për të kanalizuar marrëdhëniet dypalëshe drejt një bashkëpunimi konstruktiv”.
Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve janë përshkallëzuar thellë pas aneksimit jo ligjor rus të territorit të Krimesë ukrainase më 2014, për shkak të mbështetjes që Rusia i jep separatistëve në Ukrainën Lindore dhe mbështetjen e saj për regjimin e Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.
Administrata në largim e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama ka vënë një numër sanksionesh ndaj Rusisë për rolin e saj në konfliktin e Ukrainës – masa ndëshkuese që e kanë acaruar Moskën.
Që nga zgjedhja e Trump, zyrtarët rusë kanë shfaqur optimizëm se administrata e tij do të tërheqë prapa sanksionet që ndërlidhen me Ukrainën e që Obama i ka vendosur me një urdhër ekzekutiv.
Emergjenca kombëtare që e shpalli Obama në lidhje me aneksimin ilegal të Krimesë nga Rusia shërbeu si bazë për sanksione. Urdhrit ekzekutiv që e shpalli këtë emergjencë do t’i skadojë afati marsin e vitit të ardhshëm.
Trump që do të pasojë Obamën në janar të vitit të ardhshëm, tha në vazhdimësi gjatë fushatës së tij se dëshiron që të përmirësojë lidhjet ndërmjet dy vendeve. Ai gjithashtu tha se do të mendojë dy herë për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s nëse ato nuk e rrisin buxhetin e tyre të mbrojtjes.
Deklaratat e Trump për Rusinë – përfshirë edhe fjalët pozitive për Putinin dhe sugjerimet se ai mund të pranojë aneksimin rus të Krimesë – kanë shkaktuar kritika nga kundërshtarët politikë dhe të disave nga partia e tij që thanë se ai po evokon politika të koncesioneve me Moskën.
Komentet e tij për NATO-n, ndërkohë, kanë shkaktuar frikë në Evropë, derisa disa kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian të fuqizojë planin e përbashkët të tij të mbrojtjes.
Anëtarët e NATO-s nga Evropa Lindore që dikur ishin nën kontrollin e Moskës gjatë kohës sovjetike – siç janë shtetet baltike – kanë shfaqur shqetësime të theksuara për ekspansionizmin rus në Ukrainë dhe synimin potencial të Kremlinit për territoret e tyre.
Kjo bëri që Presidenti amerikan në largim, Barack Obama të risigurojë aleatët e NATO-s se Trump ka lënë të kuptohet për një mbështetje të fortë për Aleancën, përkundër deklaratave të tij gjatë fushatës zgjedhore.
Obama tha se ai dhe Trump kanë patur “diskutime të dobishme dhe të hapura” kur u takuan në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar pas fitores së Trumpit në zgjedhje.
I pyetur se çfarë do t’u thoshte udhëheqësve të huaj për besimin e Trumpit në Aleancë, Obama u përgjigj: “Nuk ka dobësim të vendosmërisë kur bëhet fjalë për angazhimin e Amerikës për të mbajtur një marrëdhënie të fortë dhe të fuqishme me NATO-n”.
Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Ashton Carter, më 14 nëntor, i këshilloi vendet e NATO-s, të shqetësuara me përkushtimin e Trumpit për Aleancën se duhet të bisedojnë me anëtarët e administratës së re Trump.
Carter tha se nuk mund të fliste për administratën e re të Trump, por u bëri thirrje partnerëve të NATO-s që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të bëjnë të njohura shqetësimet me ekipin e Trump.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se, “nuk është koha që të vihet në pikëpyetje partneriteti ndërmjet Evropës dhe SHBA-së” dhe se “largimi nuk është një opsion”.

Artikulli paraprakCensura e pakuptimtë e ambasadores së BE ndaj mediave
Artikulli tjetërPresidenti që do të risjellë ëndrrën amerikane