Çadra dhe antimitingu i 13 korrikut ’90!

Besnik ALIAJ

Dje m’u faneps para syve anti-mitingu ogurzi i 13 korrikut 1990, kur PPSH akuzonte si “jashtëqitje e kombit” rreth 5000 shqiptarë trima opozitarë që në 2 korrik në shenjë proteste me regjimin hynë në ambasadat e huaja në Tiranë dhe kërkuan azil politik. Një revoltë në kushtet kur një popull i tërë mbahej i burgosur e në mjerim në emër të pushtetit të fshehur pas “parimeve të ideologjisë”. Kjo ishte një përpjekje e mjerë dhe e shëmtuar para kolapsit total që e pasoi dhe që në të kundërt stimuloi ndryshmet e mëdha të viteve ‘91-‘92 e më tej. Një atmosferë funebre “makbethiane” për vetë regjimin, një shëmti propagandistike ku edhe njëherë tjetër nën presion, dhunë e frikë, shqiptarët u detyruan të poshtërohen, duke heshtur. Por kjo vetëm sa shënoi nga ana tjetër fillimin e fundit!
Të gjitha këto m’u kujtuan dje teksa shihja në TV ata që udhëheqin prej 4 vitesh këtë vend dhe që mbrëmë me zhurmë e fishekzjarre u mburreshin në kotësi turmës së adoleshentëve 18-vjeçarë të nxjerrë me forcë në shesh, duke sharë me zhargon e cinizëm nga fillimi në fund të anti-mitingut të tyre vetëm opozitën! Pasi e bënë opozitën përgjegjëse për tërë dështimet e qeverisjes së tyre, e quajtën atë dhe liderin e saj “tradhëtarë, antishqiptarë e anti-perëndimorë”. Tallen me “humor” bajat këdo që i kritikon dhe sidomos ata që shkojnë në çadrën e protestës! U mburrën deri në atë fare feje sa deklaruan një fitore që do ta zhduke fare opozitën! Por nuk thanë një gjë të vetme për situatën e rëndë sociale dhe ekonomike në vend; asnjë gjë për programin e ri ekonomik; asnjë gjë për zhvillimin e vendit; asnjë raportim për katër vitet e shkuara; asnjë gjë për tonelatat e drogës që po dalin çdo ditë në dritë; asnjë gjë për krimin e organizuar që kontrollon jetën e vendit; asnjë gjë për kërcënimin me jetë të liderit të opozitës; asnjë gjë për rreziqet e sigurisë kombëtare nga shqyerja e dyerve mafias për interesa të zgjatjes së pushtetit!
Ndërkohë që gjithkush me mend në kokë e ka të qartë se jemi në ditë të zezë! Vendi po ikën çdo ditë, çdo orë në humnerë, edhe pse ende shpresa për arsye e logjikë nuk ka vdekur! Në të kundërt sa predikohet, Lulzim Basha ndërkohë i tejkaloi pritshmëritë e shumëkujt. Ai qartësisht nuk është lideri i “emëruar” siç e akuzonin disa! Në të kundërt ai po provon zgjuarsi, forcë dhe lidership! Ai nuk ka aspak frikë të përballet me presionet, kërcënimet dhe me krimin! Ai po reziston i vetëm në aleancë me njerëzit e thjeshtë! Po e bën këtë përmes forcës së fjalës e logjikës, dhe aspak asaj të dhunës! Po pozicionohet politikisht, pasi ka shqyrtuar më parë se ç’thotë ligji, e drejta, logjika dhe arsyeja! Ai këmbëngul në limit për çështje parimore edhe kur i ka të gjithë “kundër”, dhe po ia del pikërisht kur të gjithë tërhiqen dhe mendojnë se ai e ka të humbur kauzën. Dhe pikërisht atëherë ai provon që ka të drejtë! Ai po provon madje se është jo vetëm një lider, por një lider i vetëm për PD-në, ndërsa të tjerët tashmë po ndjekin modelin e tij. Ai de fakto është sot lider jo thjesht për PD-në, por për gjithë opozitarizmin në tërësi. Ai po dëshmon pjekuri, qetësi, rritje dhe për këtë meriton respekt e mbështetje përtej partiake për kauzën që po mbron dhe mënyrën si e mbron.
Kjo kauzë tashmë nuk ka të bëjë fare me interesat e ngushta të PD-së apo të karrikes së tij të pushtetit! Kauza e tij është bërë de fakto kauza e Shqipërisë sot dhe nesër! Ajo ka të bëjë me faktin në se ky vend do të konsolidojë demokracinë reale dhe jo atë fasadë; ka të bëjë me vullnetin politik për të konsoliduar perfundimisht ekonominë e tregut me fytyrë njerëzore dhe shanse të barabarta për të gjithë, apo ekonominë e drogës, oligarkisë dhe mafias. Ajo ka të bëjë mbi të gjitha me angazhimin tonë ndaj përkatësisë me vlerat më të mira perëndimore të Europës së Bashkuar dhe Amerikës, që ishte edhe ëndrra e besimi i atyre 5000 shqiptarëve të 2 korrikut 1990 që i dhanë një leksion dhe shembull qytetarie shoqërisë së trembur shqiptare, duke e zgjuar nga gjumi letargjik 45-vjeçar ku e kishte futur komunizmi! Ndaj nuk duhet harruar se anti-mitingjet tashmë nuk pijnë më ujë! Ato vetëm sa rrisin tensionet dhe pakënaqësitë, dhe e provokojnë shoqërinë që të shkojë drejt protestës masive popullore!

Artikulli paraprakTë gjithë presin të njëjtën gjë
Artikulli tjetërPas kërcënimit ndaj Bashës qëndron fiks Edi Rama!