Biznesi kundër Tatimeve

Një kërkesë e dy viteve të fundit nga Tatimet, që bizneset të dorëzojnë inventarët e vitit të mëparshëm brenda datës 10 janar ka hasur në kundërshtimin e bizneseve, që e kanë quajtur këtë veprim të pambështetur plotësisht me bazë ligjore dhe që shkakton stërmundim për subjektet. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në një shkresë për drejtoreshën e Tatimeve, Vasilika Vjero, në datën 14 janar, i ka paraqitur asaj  shqetësimin e anëtarëve lidhur me një iniciativë të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë në këto dy-tre vitet e fundit për kërkesën e çuditshme, drejtuar në bllok të gjithë subjekteve tatimpagues (pa përjashtim), për depozitim të inventarëve gjendje në datën 31 dhjetor, brenda datës 10 janar të vitit pasardhës. Kjo gjë po bëhet tashmë pothuajse “rregull” edhe për Drejtoritë Rajonale Tatimore të tjera, rrjedhimisht e pranuar nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Kërkesa për depozitim të inventarit, drejtuar subjekteve tatimpagues, sipas DRT Tiranë apo edhe DRT-ve të tjera, mbështetet në nenin 60 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Por, sipas letrës së Dhomës, kjo kërkesë, përveçse është shumë e mundimshme dhe e kushtueshme për tatimpaguesit, është edhe e pambështetur plotësisht në bazën ligjore të cituar. Në vijim do të argumentojmë shqetësimin tonë:
Neni 60 i Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, dhe pikat nr. 60.1.1 deri 60.3.2 të udhëzimit të ministrit të Financave, nr. 24, datë 02.09.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikojnë në çdo rast që gjatë një kontrolli apo hetimi nga administrata tatimore, kontrolli ose hetimi të mos pengohet dhe t’i vihen në dispozicion të gjitha informacionet, regjistrime, libra dhe transaksionet tregtare për llogaritjen e tatimit, pra kërkesat ligjore kanë të bëjnë me rastet e një kontrolli në vend. Pra, çdo lloj informacioni që ka të bëjë me llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore i vihet në dispozicion kontrollit apo hetimit tatimor.
Kërkohet inventari në datën 10 janar, kur dihet që ngarkesa e tatimpaguesve dhe e asistuesve të tyre kontabël e fiskalë është shumë e madhe, pasi brenda kësaj date duhen bërë e deklaruar edhe librat e TVSH-ve për muajin dhjetor. Gjithashtu dihet se brenda kësaj periudhe janë edhe ditët e pushimeve për shkak të festës së ndërrimit të viteve. Inventarizimi fizik është një proces i vështirë, që kërkon kohën e duhur për t’u realizuar. Ligji i kontabilitetit kërkon kryerjen e inventarizimit fizik të paktën një herë në vit, por nuk ka përcaktuar për këtë qëllim posaçërisht datën 31 dhjetor.
Shumë subjekte tatimpaguese në fushën e ndërtimeve, janë të detyruar që të bëjnë situacionet përkatëse të ndërtimit, ku lëndët e para dhe materialet e tjera ndihmëse kanë peshën kryesore të tyre. Për këtë arsye është lënë edhe periudha 10-ditore e dorëzimit të librave të TVSH-së.
Dhoma propozon që nga administrata tatimore të mos kërkohet në vazhdim inventari i datës 31 dhjetor brenda datës 10 janar të vitit pasardhës, por informacioni lidhur me inventarin të kërkohet dhe jepet sipas afateve të parashikuar në nenin 29 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar (Për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin) dhe në nenin 16 të Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, (Për subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël).

Artikulli paraprakMziu nderon Afërdita Gjurrën, antikomunisten dhe intelektualen e diasporës
Artikulli tjetërInvestimet kapitale të bashkive ranë me 16% në 9-mujorin e 2016