Ajeti “hedh poshtë” mediat

Arlind Ajeti hedh dritë mbi një nga momentet më delikate dhe të shumëdiskutuara të europianit kuqezi, zëvendësimin në ndeshjen kundër Francës. Në një intervistë, mbrojtësi i kombëtares shqiptare mohoi aludimet e shtypit të shkruar se 22-vjeçari nuk ishte i dëmtuar dhe mund ta mbyllte në fushën e lojës ndeshjen ndaj Francës. Ajeti i ka cilësuar si shpifje lajmet e gazetave në lidhje me këtë temë, duke konfirmuar atë që De Biasi ka theksuar se zëvendësimi i Ajetit me Veselin në minutat e fundit të takimit të “Velodrome” ishte një vendim i detyruar për shkak të dëmtimit të 22-vjeçarit.
“Më vjen keq që abuzohet në emrin tim, e vërteta është që nuk isha në gjendjen fizike optimale, ndieja dhembje në pulpë dhe trajneri e dinte këtë gjë. Në dy raste hyri mjeku në fushë për të parë se si ishte gjendja ime. Është shumë e vështirë për një lojtar të dalë jashtë fushe në atë moment të një ndeshjeje aq të rëndësishme siç ishte ajo me Francën, por mendoj se ai ishte një zëvendësim i duhur sepse unë nuk isha në gjendjen fizike më të mirë dhe mendoj se ndërrimi në ato momente ishte vendimi i saktë që mund të merrte trajneri”, u shpreh Ajeti.
Më pas Arlind Ajeti zbuloi se mes tij dhe trajnerit të kombëtares kuqezi, Gianni de Biasi ekziston një raport i shkëlqyer. Qendërmbrojtësi nuk ngurroi ta falënderonte italianin për të gjitha ato që ka bërë për të gjatë viteve të fundit. “Kam një raport shumë të mirë me trajnerin De Biasi. Që nga periudha që jam bërë pjesë e kombëtares ai më ka ndihmuar shumë. Më ka grumbulluar në ekipin përfaqësues edhe kur isha pa skuadër. I kam shumë borxh trajnerit sepse më ka ndihmuar edhe për të gjetur një klub të ri, por edhe për t’u zhvilluar si futbollist, e falënderoj shumë trajnerin De Biasi”, tha ai.
E ardhmja e Arlind Ajetit është kthyer në një temë dite në mediat sportive. Shumë klube nga kampionatet më të rëndësishme në Europë kanë shfaqur interes për të, por dëshira e 22-vjeçarit është të vazhdojë të jetë pjesë e Serisë A italiane.
“Menaxheri im është në bisedime me disa klube, pas Kampionatit Europian në drejtimin tim kanë ardhur shumë oferta. Nuk kam vendosur ende se ku do të luaj sepse ndodhemi akoma në fazë bisedimesh, më shumë sesa unë me këto çështje merret menaxheri im dhe babai. Dëshira ime parësore është të gjej një skuadër ku mund të luaj dhe mund të zhvillohem akoma si futbollist. 6 muajt e fundit në Itali jam rritur shumë si lojtar dhe dëshiroj të qëndroj në Serinë A italiane”, tha Ajeti.
Në fund të intervistës së tij, shtatlarti i prapavijës kuqezi foli me superlativa për kampionatin italian, ndërkohë që nënvizoi se për të ka patur oferta edhe nga Premier League angleze.
“Kampionati italian gjatë këtyre 6 muajve më ka pëlqyer shumë. Atje niveli i futbollit është shumë më i lartë sesa në Zvicër. Jam përmirësuar si lojtar në Serinë A dhe kam mësuar shumë gjëra nga ky kampionat dhe mendoj që të vazhdoj të jem pjesë e futbollit italian. Po kam oferta edhe nga Anglia dhe disa vende të tjera”, përfundoi Ajeti.

Artikulli paraprakBizneset ankohen për gjoba të kota nga tatimet
Artikulli tjetërVlera e kombëtares rritet në 46,15 milionë euro