Betonizimi i Tiranës, pesë herë më shumë leje ndërtimi në 3 muajt e parë

Bashkitë në vend kanë dhënë 221 leje ndërtimi në tre muajt e parë të vitit, me një rritje prej 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT.
Vetëm në Tiranë, numri i lejeve të ndërtimit ishte 65, duke shënuar një rritje prej 51% në raport me tre muajt e parë të vitit të kaluar. Këtyre lejeve në kryeqytet u korrespondon një sipërfaqe prej 103,507 metra katrorë, që është më shumë se 2.5-fishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas rretheve, në Durrës u dhanë 23 leje ndërtimit, me rritje 90%, në Elbasan 19 leje, ndërsa në Fier 33 leje ndërtimi, rreth 5-fish më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë.
Në 2017-n u shënua një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit në vend, sidomos në kryeqytet.
Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje (për një sipërfaqe totale 522 mijë metra katrorë) me rritje të numrit të lejeve prej 118%, në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë, ndërkohë që sipërfaqja është 2.5 herë më e madhe. Kjo është reflektuar dhe në arkën e Bashkisë, teksa taksa e ndikimit në infrastrukturë ka sjellë 33% të të ardhurave të veta, apo 3.5 miliardë lekë.
Bashkia e kryeqytetit ka marrë nga ndërtimet e reja 25% më shumë të ardhura sesa ajo planifikonte të mblidhte në buxhetin e saj fillestar. Ndërtesat e reja paguajnë 8% të vlerës së shitjes si taksë për ndikimin në infrastrukturë, çka nënkupton se vlera totale e ndërtimeve për të cilat është mbledhur kjo taksë për vitin 2017, arriti në 43 miliardë lekë, ose rreth 330 milionë euro.

Artikulli paraprakBerisha publikon videon: Ja festa e mafias pas lirimit të Tahirit
Artikulli tjetërPresion, shantazh dhe joshje, ja si iu shpëtoi prangave Tahiri