Betonizimi i Durresit nga Dako kushtoi 433 milionë euro në 13 vite

Nëse kalon sot në qytetin e Durrësit, është lehtësisht e konstatueshme që dëmet më të larta nga tërmeti i 26 nëntorit i kanë ndërtesat e reja e të larta, mbi 10 kate, ndërsa pallatet e ndërtuara në kohën e socializimit, mesatarisht me 5 kate kanë rezistuar. Janë miliona euro investime dhe para të shpenzuara nga qytetarët për të blerë apartamentin për të cilin kanë punuar një jetë, që u shkërmoqën në pak sekonda.

Vlera e banesave të ligjshme të ndërtuara në prefekturën e Durrësit nga viti 2005 në vitin 2018 arrin vlerën e 54,3 miliardë lekëve ose rreth 433 milionë eurove sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo vlerë i përket një sipërfaqe ndërtimi prej 1,6 milionë metrash katror e shpërndarë në rreth 1152 objekte shumica objekte të larta, pallate.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor kosto mesatare ndërtimit për këto 14 vite llogaritet 32,539 lekë ose 264 euro për metër katror në prefekturën e Durrësit. Kosto e banesave është raportuar nga ndërtuesit në momentin që kanë aplikuar për leje pranë bashkive përkatëse dhe është e njëjtë me atë të Entit të Banesave.

Në të gjithë Shqipërinë për periudhën 2015-2018 është dhëne leje ndërtimi për një sipërfaqe 18,316,000 metër katror me një vlerë të përafërt ndërtimi 531 miliardë lekë ose 4,3 miliardë euro. Mesatare e kostos së ndërtimit në shkallë republike për 14 vitet e fundit përllogaritet 235 euro për metër katror, vlerë kjo me e ulët se kosto e mesatare në Tiranë dhe në Durrës.

Për shkak të tërmetit të fortë të 26 nëntorit në Durrës, qeveria ka pezulluar lejet e reja të ndërtimit në banesat rezidenciale në Durrës, Tiranë dhe Kurbin, teksa grupet eksperteve po përllogarisin koston e dëmeve në të shkaktuara në objekte.

Sipas të dhënave nga Komiteti i Rindërtimit deri në fund të javës së shkuar 316 pallate dhe 4075 banesa private ishin dëmtuara rëndë po kalojnë në proces ekspertimi të thelluar që nënkupton ndërtimin nga e para më së paku të 70% prej tyre.

Qeveria ka përllogaritur një kosto dëmesh të përafërt me 1 miliardë euro, 80 për qind e së cilës pritet të financohet nga konferenca e donatorëve që do të mbahet me 17 shkurt në Bruksel.

Fatura e dëmeve do të përfshijë kërkesa për mikrozonimin sizmik, përshtatjen e standardeve shqiptare me eurokodet, forcimin e institucioneve që të ngrihen për mbrojtjen civile dhe ekspertizë të vazhdueshme për fondin e vjetër të banesave etj.

Artikulli paraprakVanessa Bryant flet për herë të parë pas vdekjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj, Gianna
Artikulli tjetërMarash Kumbulla e refuzon Napolin për Interin