Bernard Challandes nuk do të jetë më trajner i Kosovës

Kosova i ka ndarë rrugët me trajnerin e ekipit kombëtar, Bernard Challandes, pas formës dhe rezultateve tejet të dobëta në vazhdimësi.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi të martën në një konferencë për media se ka gjetur pajtim me Bernard Challandes për shkëputjen e parakohshme të marrëveshjes.

Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.

Në 28 ndeshje zyrtare me Kosovën, Challandes i arriti 9 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje

Duke folur në një konferencë për media, presidenti i FFK-së Agim Ademi tha se Kosova e falënderon Challandesin për punën e tij.

“Jemi mbledhur për të ardhmen tonë dhe për udhëheqjen e trajnerëve. Duke i pasur parasysh objektivat që i kemi pasur, e falënderojmë për punën e tij. Ka qenë historike çka kemi bërë. E gjatë rrugës më pas nuk i kemi përmbush objektivat”, tha Ademi.

“Në mënyrë të përbashkët kemi vendosur t’i ndajmë rrugët”, shtoi ai.

70-vjeçri ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti i ndjerë i FFK-së dhe legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri.

Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.

Artikulli paraprakFIFA paralajmëron Shqipërinë: Tolerancë zero kundër sjelljeve të tilla!
Artikulli tjetër“Qeveria shpenzon 10 herë më shumë për të burgosurit sesa për nxënësit”, Ina Zhupa: 6 pyetje për të cilat qeveria hesht