Berisha: Me Ramën nuk ka zgjedhje

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje në Parlament korrupsionin e Ramës dhe qeveritarëve që e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më të korruptuar në Europën Juglindore. Kjo tashmë është deklaruar nga shumë raporte të institucioneve ndërkombëtare. Madje zoti Berisha e përshkallëzoi lidhjen e akuzës me realitetin në vend kur deklaroi se me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Duke ditur se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një ndër kushtet për t’u plotësuar nga qeveria shqiptare për të nisur negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE, ish-Kryeministri deklaroi se nëse ky kusht nuk plotësohet qeveria duhet ta harrojë integrimin. Në vazhdim ai tha se: “Çdo shqiptar që kërkon të rikthejmë shpresën, çdo shqiptar që e quan tragjedi kombëtare eksodin masiv të shqiptarëve, çdo shqiptar që e quan fatkeqësi kombëtare daljen e Shqipërisë në krye të listës së turpit në Europë për korrupsion, çdo shqiptar që e quan damkosje kombëtare shpalljen e Shqipërisë si Kolumbi e Europës duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së tij, duhet t’i thërrasë dashurisë së tij, duhet t’i thërrasë atdhetarisë së tij për t’u ndarë sa më shpejt nga ky njeri me të cilin, duhet të paralajmëroj shqiptarët sot, se kurrë zgjedhje me të nuk mund të ketë”. Tashmë shqiptarët e kanë parë se kush është Edi Rama ndaj edhe zoti Berisha sjell në mendjen e tyre në radhë të parë mungesën e zgjedhjeve në partinë e Ramës. “Një njëri,-tha ai,- që s’bën zgjedhje në partinë e  tij, një njëri që nuk njeh kurrë votën nuk mund të bëjë zgjedhje. Eshtë zgjedhja që duhet të bëni ju shqiptarë, duhet të bëjmë ne qytetarë, zgjedhja që duhet t’i tregojmë në mënyrë përfundimatre vendin këtij bajlozi të krimit e të korrupsionit”!
Në fjalën e tij në Parlament ish-kryeministri, me tone të forta u kujton pjesëtarëve të mazhorancës se po u vjen fundi dhe patjetër që ky fund do t’u vijë nga vota popullore. Ai ua përcolli shqiptarëve nga salla e Parlamentit si një seancë funebre e mazhorancës së qelbësirave, që e filloi qeverisjen pasi mblodhi të gjithë qelbësirat e vendit dhe i shndërroi ata në zyrtarë të lartë, në qeveritarë, i shndërroi në të gjithëfuqishëm, në arkitektë të një muri të tmerrshëm që po ndan Shqipërinë me Europën dhe faktikisht vjen sot këtu dhe paraqitet para qytetarëve si kabineti më i korruptuar, siç po e quajnë rëndom analistët, që nga viti 1912 deri në ditët e sotme. Si kabineti, i cili është lëshuar si një lukuni shumë më keq se etërit e vet në vjedhjen, shpërdorimin e pasurive publike të shqiptarëve. Nga subkoshienca i doli Saje qorrit thirrja për sarajet e Surrelit.

200 mijë euro tavani i xhamtë i vilës në Surrel

Gjatë fjalës së tij zoti Berisha i përmendi parlamentarëve dhe përmes Parlamentit ai kërkon që të bëjë me dije edhe shqiptarët për luksin që ka mbuluar kryeministrin në një kohë që qytetarët vuajnë. Megjithatë është e qartë se nga kanë dalë ato para për luksin e Ramës, ndaj ish-kryeministri vazhdon: “Po nëse Shqipëria u ngrit këto ditë në krye të shtyllës së turpit të Europës, në krye të listës së korrupsionit nga studimi i IBRD (BERZH), ta dini mirë që kurora e turpit, zifti i kësaj kurore janë sarajet e Surrelit të një njeriu, i cili me dokumente zyrtare në vitin 2010 ka patur të deklaruara 3 mijë euro në bankë, ndërsa sot disponon saraje me gjatësi vile 57 metra, me materiale ndërtimi importi të cilësisë më të kushtueshme”. Pasi sjell faktet zoti Berisha bën edhe një pyetje të ligjshme që do t’i vinte në mendje çdo qytetari: “Po cili është ai që mund të bëjë një ndërtim të tillë”? Me eksperiencën e ish-kryeministrit ai është personi më i kualifikuar të japë një shpjegim të qartë ndaj ai sqaron shqiptarët përmes një krahasimi të thjeshtë se gjatë gjithë kohës zoti Berisha ka patur një pagesë më të lartë se ajo e Ramës, por ai ende jeton në 125 metër katror. Ndërkohë që Rama jeton në 600 metër katror në një ndërtesë ku vetëm pigmenti i betonit ka kushtuar 70 mijë euro, ku vetëm xhami i mbuluar shkon të paktën 200 mijë euro tavani, për të mos folur për tablotë super të kushtueshme etj., me radhë. “A dini ndonjë kryeministër tjetër, vazhdon zoti Berisha, që me urdhër të peshkut që gdhihet në 2010 varfanjak me 3 mijë euro, sikur nuk kishte punuar 10 vjet kryetar bashkie dhe na del tani me sarajet e Surrelit, që janë bërë famoze në gjithë Europën, të cilat e rreshtojnë Shqipërinë në vendin më të korruptuar”?
Ndërhyrjet nga salla kërkojnë të ndërpresin të vërtetat që ish-kryeministri po shpalos nga foltorja e Parlamentit, ndërkohë që me qetësi ai di t’u përgjigjet edhe atyre që kërkojnë të bëjnë zhurmuesin. Ai tha se: “Po t’i kishte bërë me “Kurbanin” do i dilnin taksat, po s’ka asnjë taksë të paguar ai kështu që rrini mos e implikoni më tej”.
Edvin Rama nuk është vetëm hajdut, por edhe një gënjeshtar i papërgjegjshëm. Nga Parlamenti zoti Berisha tha se Rama ka deklaruar  se tokën e ka blerë me dy dollarë metrin katror. “Po ju garantoj, i përgjigjet ish-kryeministri, që qysh në vitet 2000 e ca, jo vetëm në Surrel, por edhe më tutje tokë nën 20 dollarë nuk ka. Pra, me tokën të blerë 2 dollarë metri katror, me 3 mijë euro në bankë, e ku të mos jetë Shqipëria në krye të listës së turpit në Europë. Ku të mos ketë korrupsion këtu? E kuptoni që ai është gjobëvënësi më i madh i shqiptarëve që nga viti 1912, gjobëvënësi më i madh në rajon, gjobëvënësi më i madh në Europë. Politikani i vetëm i stamposur për 20%-shin. Këto janë arsyet se pse janë të mbyllura dyert e integrimit për shqiptarët. Europa i do shqiptarët”. Megjithatë zoti Berisha kërkon t’i bëjë edhe një analizë këndvështrimit të Ramës kur shtron pyetjen: “Po si e ka zgjidhur Edi Rama këtë”? Dhe përgjigja vjen menjëherë nga foltorja e Parlamentit: “E ka zgjidhur, duke i thënë shqiptarëve se Europa s’më kërkon mua si kusht luftën kundër korrupsionit”. Ndërkohë, që është fakt se Europa, me ministrat e Jashtëm të BE, 28 ministrat, me aq sa kanë peshë ata, është shprehur në deklaratën e vet në mënyrën më eksplicite se, “Duke rikujtuar përfundimet e mëparshme të Këshillit, përfshi ato të dhjetorit 2015, Këshilli thekson se zbatimi i qëndrueshëm, i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës i pesë prioriteteve kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave”. Megjithatë zoti Berisha thotë se këto nuk i lexon Rama dhe i fsheh. Pra, Këshilli i Ministrave të BE deklaron se nuk është garantuar zbatimi dhe se po nuk u garantua zbatimi nuk ka hapje negociatash.
Duke kërkuar ta shohë korrupsionin më gjerë si fenomen, ish-kryeministri shtron pyetjen dhe menjëherë jep edhe shpjegimin përkatës. Ai thotë: “A  është korrupsioni një fenomen vetëm shqiptar? Jo absolutisht. Korrupsioni është një fenomen i gjerë dhe është edhe në vende të tjera, natyrisht ne jemi në krye. Po pse? Sepse lufta është e pashpresë, sepse kryebajlozi i korrupsionit është kreu i ekzekutivit, është kryehajduti i Surrelit, është Edi Rama. Pra, është Surreli që po mban peng integrimin. Mos mendoni ju se Surreli nuk dihet. Surreli dihet dhe po ju garantoj se çdo kryetar qeverie ka foton e vilës së Ramës. Kështu që problemi është se kjo qeveri është e marrë fund”.

28% e popullsisë kanë braktisur vendin

Tre ditë më parë, Forumi Ekonomik Botëror i Davos, një nga institucionet joqeveritare më serioze të botës ka dhënë statistikën më tragjike, më tronditëse për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas kësaj statistike shqiptarët renditen të dytët në botë për numrin e qytetarëve që braktisën vendin e tyre. Nuk ka gjë më tragjike se kjo për ne, nuk ka gjë më të dhembshme se kjo për ne, nuk ka gjë më damkosëse se kjo për ne, nuk ka gjë më të rrezikshme se kjo për ne. Dhe nëse ne nuk realizojmë përmasat dramatike dhe tragjike të kësaj, ju garantoj se rruga jonë është jashtëzakonisht e vështirë. Për të ilustruar një fakt të tillë e për ta bërë sa më të prekshëm zoti Berisha tha: “Do të bëj dy krahasime. Shqiptarët 28% janë larguar nga Shqipëria, boshnjakët janë larguar 30% nga Bosnja. Shqiptarët nuk patën luftë civile, bosnjakët patën një luftë ndër më të egrat civile që rajoni ka njohur. Po si ka mundësi që shqiptarët u larguan njësoj si ata që patën luftë civile? Eksodi është shumë i qartë. Eksodi i shqiptarëve ishte biblik në vitin ’90-’91 kur ata dolën nga diktatura, me të ardhura për frymë të tretit më të ulëta në botë, me 204 $ për frymë. Dolën pra, nga një diktaturë, e cila i kishte shkatërruar ata më shumë se çdo luftë civile, për të mos thënë për rrënimin psikologjik të tyre. I vetmi komb që përqafoi lirinë me një braktisje masive të vendit, ishin shqiptarët. Por çfarë ndodhi që pas 20 vitesh të rikthehet përsëri eksodi masiv? Në vitet e qeverisjes së Edi Dramës u larguan nga Shqipëria pothuaj 200 mijë shqiptarë. Si ka mundësi? Shqiptarët e viteve ’90 kishin gjithsej 200 dollarë të ardhura për frymë, shqiptarët e viteve 2014 kanë mbi 11 mijë dollarë të ardhura për frymë në vit. Ndaj çfarë ndodh? Po këta njerëz, po ky popull në vitet 2011-2012 kishte një ritëm kërkesash për azil gjithsej 432 veta sipas statistikave të Republikës Federale gjermane. Si ka mundësi që nga 400 në dy vite të arrijë në 8300 në një muaj? Të arrijë në 80 mijë në një vit? Çfarë ndodhi me ta? Me ta ndodhi një kalamitet shoqëror, një fatkeqësi e madhe. Këta ikën, sepse një njeri gjeneron tmerr, vrasje shprese nga mëngjesi deri në darkë. Këta ikin se neobllokmeni Edi Rama nga mëngjesi deri në darkë ju vret shpresën shqiptarëve. Këta ikin, sepse në këtë vend e ka të vështirë i ndershmi të projektojë të ardhmen nëse nuk merret me kanabisin, nëse nuk merret me bixhozin, nëse nuk merret me heroinë a kokainë. Kush ka ikur tani? Tani ka ikur masivisht softi perëndimor i kombit. Tani ka ikur shumica e atyre që u formua në Perëndim këto 26 vite. Njëri pas tjetrit ikën. U kthyen për t’i shërbyer vendit të tyre me idealizëm, e gjetën këtu një organizatë kriminale, një bandë që vret çdo ditë shpresën e tyre. Ikën, ikën dhe vetëm ikën. Kisha mbrëmë në zyrë njërin prej tyre, i doktoruar jashtë. Erdha të shoh prindërit më thotë, po ç’të shihja, parcela të tëra me kanabis në Dibër, në Peshkopi. Ishin rojet e armatosura më tha, të cilët qëndronin si përdhunues të banorëve”. Me detaje për të ardhur keq zoti Berisha jep panoramën e shqiptarëve që sot kanë një ndjenjë vetëm për të ikur ndaj, duke folur për këtë situatë të zymtë ai nuk u vë faj qytetarëve ndaj thotë:  “Pra, ku të rrinë? Juve nuk ju bën përshtypje se ju jeni mirë, shumë prej jush fitoni me dhjetëra tendera, të tjerë vjedhin me valixhe. Edi Rama pret gjoba çdo ditë, ndaj dhe shqiptarët ikin. Por këtu ja u kam thënë e këtu ja u them se nuk ka hapje negociatash. Harrojeni. Unë e di që shumë njerëz do të zemërohen me këtë që them, por këtu e kam thënë dhe këtu e them prapë se as më 2017 dhe as më 2018 nuk ka hapje negociatash. Jo ore jo. Sepse ata 100 mijë që janë në Europë, përbëjnë një shqetësim madhor për Europën. Dhe janë ministrat e Brendshëm që kanë vendosur vijën e kuqe, të cilët kanë demonstruar një më një motivet e largimit të shqiptarëve. Dhe Edi Rama përpiqet të mashtrojë shqiptarët duke mos lexuar deklaratën e Këshillit të Ministrave të BE, duke lexuar përgjysmë paragrafe nga raporti i Komisionit. Komisioni për korrupsionin thotë se është “gjerësisht i përhapur”, merreni lexojeni. Pra, Edi Rama është shkaku kryesor”.

Artikulli paraprakBasha vizitë në spital tek polici i plagosur
Artikulli tjetërKoncesioni 130 miliardë lekë i laboratorëve me 15 shkurt