Bënë fushatë, shkarkohen e paditen 2 drejtorë burgjesh

Vazhdojnë shkarkimet për shkak të pjesëmarrjes në fushatë elektorale. Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka shkarkuar dje nga detyra drejtorin e IEVP Berat, Arif Dervishi, si dhe drejtorin e IEVP Kavajë, Durim Perja, me motivacionin e përdorimit të veprimtarisë së institucionit për qëllime politike, pjesëmarrjes së paligjshme në fushatë zgjedhore dhe keqmenaxhimit të institucionit. Përveç kësaj mase, ish-drejtori i Beratit dhe Kavajës do të kallëzohen edhe penalisht për veprën penale të parashikuar në nenin 328/a të Kodit Penal. Gjithashtu, Bardhi ka pranuar po dje dorëheqjen nga detyra të drejtorit të IEVP Elbasan, z. Renato Minoli. Ministri i Drejtësisë z. Bardhi gjen rastit të paralajmërojë çdo zyrtar që të mos përdorë funksionin publik për qëllime politike, sepse do të përballet me pasojat e këtij veprimi të paligjshëm, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht.
“Ministria e Drejtësisë fton çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politike në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Asnjë leje të dënuarve për zgjedhje

Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Burgut të Beratit, Arif Dervishi, si dhe drejtorin e Burgut të Kavajës, Durim Perja, me motivacionin e përdorimit të veprimtarisë së institucionit për qëllime politike, pjesëmarrjes së paligjshme në fushatë zgjedhore dhe keqmenaxhimit të institucionit. Por drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve thotë se janë marrë masa, që në fushatë të mos përfshihen as të dënuarit, pasi janë pezulluar lejet.
“Ju garantoj se asnjë i paraburgosur apo i dënuar nuk ka qenë pjesë e asnjë veprimtarie politike, pasi nuk kanë mundur të dalin dot nga institucioni, në bazë të urdhrit që ne kemi lëshuar. Ky ka qenë precedent edhe në vitet e kaluara”, tha Arjan Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Hoxha tha se përveç përfshirjes në fushatë, disa drejtorë dhe shefa janë shkarkuar për shkelje të rënda. “Pjesa dërmuese e drejtorëve, por edhe punonjësve të tjerë, janë shkarkuar për shkelje të rënda të konstatuara në këto institucione, siç janë raste flagrante të fikjes së kamerave me qëllim. Kemi pasur raste kur ishin pranuar dhe vazhdonin detyrën punonjës apo shefa policie, të cilët ishin të dënuar me vendim gjykate për trafik droge, falsifikim dokumentesh e për krime të tjera. I binte që i dënuari ruante të dënuarin”, tha më tej Hoxha. Edhe në burgje, të dielën, rreth 2.200 të dënuar që nuk preken nga ligji i dekriminalizimit do të kenë të drejtën e votës.

R.POLISI

Artikulli paraprakNjë tjetër drejtues arsimi përfundon në Prokurori
Artikulli tjetërKush e kontrollon tregun e karburanteve?