Kush e kontrollon tregun e karburanteve?

Florion METOHU

Rusia ka qenë historikisht e pranishme në Ballkan, politikisht, ekonomikisht, por edhe nga ana kulturore. Kjo është edhe arsyeja që marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe gadishullit tonë kanë traditë të gjatë dhe të pasur. Luftërat, ndasitë dhe krizat ekonomike dhe politike të rajonit në shekujt 19–20 kanë përcaktuar shpesh raportet e fuqisë në rajon dhe ku Rusia ka luajtur një rol kryesor edhe pse së fundmi madhështia e dikurshme nuk perceptohet më.
Rishtaz, me aneksimin e Krimesë në mars të 2014 dhe fushatën e gjerë për destabilizimin e Ukrainës, Rusia është shndërruar në një fuqi revizioniste që kërkon ndryshimin e kufijve dhe rishkrimin e rregullave në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe pse impakti i këtij drejtimi të ri po ndihet më shumë në zonën euro–aziatike, ku Presidenti Putin po mundohet të riintegrojë hapësirën postsovjetike nën lidershipin rus, vizioni i tij në politikën e jashtme inkorporon një sërë objektivash që kanë si qëllim restaurimin e Rusisë si një superfuqi në arenën ndërkombëtare.
Ndër rajonet më të prekura nga ky dinamizëm i ri i diplomacisë ruse është Ballkani, ku Moska zyrtare ka investuar kohë dhe resurse të konsiderueshme për të forcuar influencën e saj në vitet e fundit. Këto veprime kanë sjellë suksese të konsiderueshme për ta në shumë fronte.
Pozicioni rus si një furnizues dominues me gaz dhe naftë për Ballkanin, ku vendet janë shumë të varur nga importet për nevojat e tyre energjetike, është forcuar me anë të blerjeve të aseteve lokale të energjisë, si dhe partnershipi bilateral. Kompanitë ruse, gjithashtu luajnë një rol të madh dhe në rritje në tregtimin e këtyre lëndëve, me anë të zotërimit të aseteve vendase ose krijimin e joint-vetures, si dhe zhvillimin e infrastrukturës rajonale. Këto investime kanë si qëllim zvogëlimin e konkurrencës dhe krijimit të rrjeteve financiare lokale që forcojnë pozicionin dominant rus.
Kompanitë shtetërore dhe private ruse kontrollojnë tashmë një përqindje të lartë të sektorit energjetik në shtetet ballkanike dhe janë përfitueset më të mëdha të procesit të privatizimeve të periudhës postkomuniste.
A do të ndodhë edhe në Shqipëri i njëjti fenomen?
Investimet e këtyre kompanive i gjejmë kudo në rajon. Më 2008 kompania ruse Gazprom bleu gjigantin energjetik serb Naftna Industrija Srbije (NIS), i cili ka monopolin e prodhimit të naftës dhe gazit në Serbi, si dhe një sërë rafinerish, deposh dhe terminalesh shpërndarjeje. Kompania shtetërore ruse Zarubezhneft bleu më 2007 në Republikën Srbska të Bosnjes rafinerinë e naftës Brod, impiantin e prodhimit të vajit të makinave Modrica, si dhe koncesionin ekskluziv më 2011 për shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit në territorin e vet, për 28 vjet. Në Bullgari, gjithashtu, kompanitë ruse janë shumë aktive. Oligarku rus Kirsan Ilyumzhinov, i afërt me Putin, bleu në vitin 2012, shumicën e aksioneve të distributorit më të madh bullgar të naftës Petrol Holding. Një tjetër kompani private ruse, Lukoil – dhe kjo e drejtuar nga një tjetër oligark besnik i Kremlinit, Vagit Alekperov – ka në zotërim asete të rëndësishme në Bullgari, duke përfshirë rafinerinë e naftës Burgas (më e madhja në Ballkan) dhe një impiant të madh magazinimi të naftës, duke i garantuar kompanisë ruse kontrollin e 74% të tregut bullgar të produkteve të naftës. Lukoil zotëron edhe distributorin serb të naftës Beopetrol, i cili kontrollon me qindra stacione karburantesh në Bullgari, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Kroaci.
Qershia mbi tortë e Rusisë për të dominuar në të ardhmen tregun rajonal dhe atë europian të gazit ishte plani për të ndërtuar gazsjellësin SouthStream, i cili kalonte përmes Ballkanit dhe shkonte deri në zemër të Europës. Por vendosmëria e BE-së për të penguar rritjen e varësisë së rajonit në veçanti, por edhe të gjithë BE-së nga eksportet ruse të gazit dhe aprovimi i TAP-it, bëri që ky projekt të anulohet në fund të vitit 2014, duke i dhënë një goditje të rëndë ambicieve ruse. Por duket se Moska nuk është dorëzuar dhe objektivi i saj i radhës është Shqipëria. Vitin e kaluar kompania kineze e naftës Geo–Jade bleu 100% të aksioneve të Bankers Petroleum. Pa shumë bujë në qarqet politike dhe mediatike, konfirmohet, jozyrtarisht, se kjo kompani është në traktativa me gjiganti rus të naftës Lukoil dhe filiale të Gazprom për të administruar bashkërisht zonën naftëmbajtëse më të madhe të Europës, zonën e Patos–Marinzës.
Gjithashtu, ambasada ruse në Tiranë dhe biznesmenë shqiptarë të kontaktuar prej saj, po shfrytëzojnë lidhjet dhe kontaktet e tyre pranë administratës shtetërore shqiptare, për të marrë kontrollin e seksionit shqiptar të TAP-it bashkë me depot e magazinimit të gazit që priten të ndërtohen në jug të vendit. Investitorët rusë po rrisin investimet e tyre në Jug të Shqipërisë pikërisht në zonat ku do të kalojë projekti TAP.
Nisur nga analiza e të dhënave (të publikuara nga eksperti i gazit italiani Alessandro Ronga) dhe krahasimi mbi kapacitetet e transportit të gazit të South Stream i zëvendësuar nga Turkish Stream dhe të TAP- (Trans Adriatic Pipeline) rezulton se kemi të bëjmë me një luftë të vërtetë në fushën e gazit. Nga njëra anë gazi azer nga ana tjetër gazi rus dhe kjo është fushëbeteja për të siguruar hemogjeninë e furnizimit me gaz për Europën Perëndimore. Projekti TAP do të zëvendësojë ish-projektin Nabucco të projektuar nga BE për të limituar varësinë e furnizimit nga gazi rus.
Konkurrenca e TAP ndaj Turkish Stream dëmton rëndë ekonominë në krizë të Rusisë, e cila varet pothuajse në 75% nga të ardhurat e vjelura nga shitja e gazit vendeve të BE-së me çmim shumë të lartë. Ndërsa TAP do të bëjë të mundur që e njëjta cilësi gazi do të kushtojë më pak për taksapaguesit europianë dhe Rusia humb përfundimisht monopolin e saj në Ballkan dhe Europë për furnizimin e gazit. Shqipëria si vend pritës i TAP do të përfitojë gati 200 milionë euro në vit nga ulja e çmimit të gazit dhe nga rentat vjetore të siguruara nga projekti madhështor i TAP.
Rusia kërkon të gjejë një rrugë për të anashkaluar territorin ukrainas në të cilin aktualisht kalon rreth 50% e gazit rus drejt Europës, por edhe për vendet e tjera të rajonit të Kaspikut, të cilët kërkojnë itinerare alternative për eksportin e gazit të tyre drejt Perëndimit, duke anashkaluar itinerarin e gazsjellësve “sovjetikë” që kalojnë në territorin rus. Kjo situatë e krijuar padyshim që ka ndryshuar planet e Moskës në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri ku mendohet se do të jetë një portë kryesore për shpërndarjen e gazit në vendet e BE-së. Sipas analistëve gjeopolitikë, synimi kryesor i Moskës është rritja e investimeve ruse në Shqipëri-Greqi-Turqi për të pasur kontrollin mbi projektin TAP, pasi nga ky projekt llogaritet që të ardhurat e Rusisë nga shitja e gazit në drejtim të Europës të ulen rreth 70%, çka do t’i sillte shumë probleme ekonomisë ruse dhe sektorit të energjisë.
Gazprom dhe Dhoma e Tregtisë në Moskë e konsiderojnë TAP një rrezik serioz për financat e Moskës edhe pse Rusia transporton rreth 155 miliardë metro kub gaz drejt vendeve të BE-së. Një nga efektet që i druhet Moska është padyshim zhvlerësimi dhe rënia e çmimit të gazit dhe pamundësia për të vendosur në mënyrë të njëanshme klauzola favorizuese, pasi me mbarimin e projektit TAP Rusia nuk do të ketë më ekskluzivitetin e furnizuesit të parë dhe të vetëm të gazit në rajon dhe në Europë. Sipas ekspertëve ekonomikë tkurrja e të ardhurave ruse nga furnizimi i gazit do të rëndojë në buxhetin e viteve në vazhdim çka do të ulë edhe pretendimet e Moskës për të rritur fuqinë ndikuese në BE dhe në vendet e Ballkanit.

Artikulli paraprakBënë fushatë, shkarkohen e paditen 2 drejtorë burgjesh
Artikulli tjetërVoto 6