Basha: Rama kompromisin e ka me krimin, me opozitën ka vetëm përballje

Kryetari i PD, Lulzim Basha i drejtoi një mesazh të prerë Edi Ramës dje, ndërsa deklaroi se me Partinë Demokratike, ai dhe qeveria që ai drejton do të ketë vetëm përballje dhe asnjë kompromis. Basha tha se tashmë është e qartë, të vetmin kompromis që Rama ka dhe që me të cilin po qeveris edhe vendin është krimi i organizuar. Deklaratat, Basha i bëri pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat, ndërsa paralajmëroi forcimin e qëndresës opozitare në Parlament.
“Mbledhja sot ka zgjatur, pasi kemi marrë disa vendime sa i përket qendrimeve të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike në seancë plenare dhe në aktivitetin parlamentar, kjo në vijim të ngjarjes të shëmtuar të javës së kaluar, dhe të dy javëve më parë, ku Edi Rama përmes Gramoz Ruçit u mundua të dhunojë rregulloren, duke i mbyllur gojën opozitës. Kjo nuk ka për t’u pranuar kurrë dhe nuk do të ndodhë. E kundërta do të ndodhë; ne do të intensifikojmë aktivitetin tonë parlamentar, duke rikthyer një praktikë konform rregullores që është praktika e pyetjeve, seancës së pyetjeve për të vendosur Edi Ramën dhe ministrat e tij para përgjegjësisë, diçka prej të cilës po mundohet të largohet çdo ditë, duke dalë një ditë si bahçevan, një ditë si kopshtar. Tani paska hapur edhe Pallatin e Brigadave, pallatin mbretëror. Këtej rrit taksat, këtej më shumë bar për qytetarët. Sigurisht që, nuk është as bahçevan, as kopshtar është përgjegjësi për një Shqipëri të fundosur nga krimi; të vetmit vend që nuk i hapen negociatat, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi ecin përpara.
Në këto kushte, ta harrojë që me opozitën dhe me Partinë Demokratike do të ketë diçka tjetër përveç përballjes totale. Ai e ka zgjedhur kompromisin, kompromisin e ka me krimin e organizuar, e ka me sejdinët jo vetëm në Elbasan, por anembanë Shqipërisë, me sejdinët e krimit. Dhe në këtë rreshtim është e qartë Edi Rama ka vënë Partinë Socialiste dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin. Ne jemi në funksion të aleancave të vlerave me qytetarët shqiptarë e kjo do të shpaloset në çdo aspekt të përballjes parlamentare”, tha Basha në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Grupit demokrat.
Basha bëri të ditur se Reforma Zgjedhore do të jetë kryefjala e kësaj jave. Basha tha se rivendosja e institucionit të zgjedhjeve, ku në qeveri vjen ajo forcë që votohet me vullnet të lirë, vendi nuk do të mund të çlirohet dot kurrë nga keqqeverisja, korrupsioni, oligarkia etj.
“Theksi këtë javë mbetet tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duket si një përsëritje, por në fakt pa “rivendosur institucionin e zgjedhjeve, shqiptarët kurrë nuk do të kenë një qeveri që të mendojë për ta, por do mendojnë për ata që i sollën në pushtet. Edi Ramën e sollën në pushtet bandat, e solli në pushtet krimi, e sollën në pushtet droga dhe paratë e drogës. Dhe ky është haraçi që paguan çdo shqiptar nga mëngjesi deri në darkë sot, qoftë sa i përket përkeqësimit të qeverisjes, rritjes së taksave, mungesës totale të shërbimeve nga shëndetësia tek arsimi, qoftë përsa i përket gjendjes së përgjithshme ekonomike të vendit, të cilat nuk janë gjë tjetër. veçse efektet e një qeverie që bashkëqeveris me krimin dhe që është robe, i një kryeministri, që është rob i marrëdhënies korruptive me oligarkët. Në Shqipëri ka një paradoks, një grusht njerëzish pasurohen dhe vazhdojnë të pasurohen edhe në këtë moment që flasim, ndërkohë që shumica e shqiptarëve duan të largohen nga ky vend.
Dhe themeli i kësaj të keqeje është një qeveri që nuk i njeh zgjedhjet. Pa rregulluar këtë themel, asgjë tjetër nuk do të shkojë mirë në vendin tonë të dashur që është Shqipëria”.

Artikulli paraprakKriza e call center, fillon të rritet numri i të rinjve të papunë
Artikulli tjetërTrump: Jo, shtypjes socialiste do të rivendosim demokracinë