Basha: Kriza është e dyfishtë; shëndetësore dhe ekonomike! T’u rimbursohen urgjent ilaçet pacientëve me Covid që kurohen në shtëpi

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një komunikimi me gazetarët i bëri përsëri thirrje Qeverisë që të rimbursojë medikamentet që po marrin për COVID-19, mijëra shqiptarë që kurohen në shtëpi.

“Asnjë medikament për trajtimin e COVID nuk rimbursohet dhe ky është krim i pafalshëm. Mijëra pacientë që trajtohen në shtëpi në mënyrë ambulatore duhet të kenë urgjent mbështetjen e shtetit me rimbursimin total të medikamenteve”, theksoi Basha që në krye të konferencës së përditshme për shtyp nga selia e PD-së.

Lideri i opozitës tha se arsyeja e përhapjes së koronavirusi vjen nga moskryerja në masë e testimeve. Ai kërkoi që shteti të rimbursojë qytetarët që kurohen në shtëpi.

Basha ka bërë thirrje sërish që qeveria të zbatojë planin me 5 pika të propozuar nga PD-ja për të mbështetur qytetarët.

Basha tha se kriza në vend është e dyfishtë, shëndetësore dhe ekonomike. Ai tha se bizneset po falimentojnë, teksa akuzon qeverinë se nuk bën asnjë lëvizje për të ndihmuar qytetarët.

Kreu i opozitës tha se nuk do të reshtë së përsërituri kërkesën që shteti t’u kthejë qytetarëve paratë e taksave në formën e mbështetjes që po marrin edhe qytetarët e vendeve fqinje.

Basha tha se jemi në një kolaps ekonomik, ku shumë qytetarë nuk mund të marrin medikamente në farmaci për shkak të gjendjes financiare.

Artikulli paraprakÇfarë janë viruset? Llojet e infeksioneve virusale, simptomat dhe trajtimi
Artikulli tjetërBasha: Inceneratorët janë aferë e pastër kriminale! Padi në prokurori për të tre gënjeshtrat e vemjes dhe shefit të tij