Banorët ngrihen në protesta kundër HEC-ve mbi Valbonë

Aktivistë e banorë të Luginës së Valbonës do të protestojnë sot kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë. Pas rrëzimit të padisë së banorëve për të ndalur ndërtimet nga Gjykata Administrative e Tiranës, banorët shprehen të vendosur për të vazhduar luftën e për të mos lejuar shkatërrimin në mënyrë të përhershme të luginës. Banorët kërkojnë ndalimin dhe pezullimin e ndërtimeve të hidrocentraleve në Valbonë, respektimin dhe mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Valbonës, si dhe ndalimin e “manipulimit nga ana e Qeverisë, e cila vendosi fitimet e një firme private para interesit publik”. Ndërtimi i hidrocentraleve në Valbonë është kundërshtuar vazhdimisht, herë me protesta e herë me koncerte, nga banorët e zonës, aktivistë të mjedisit e dhjetëra artistë. Hidrocentralet mbi lumin e Valbonës po ndërtohen nga kompania “Gener2”, bazuar në kontratën koncesionare nënshkruar me Ministrinë e Energjisë në vitin 2009. Banorët shprehen se ndërtimi i qoftë edhe një HEC-i të vetëm, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme Luginën e Valbonës dhe turizmin në këtë zonë. Ata në mënyrë të vazhduar janë shprehur se qeveria po qeveris me arrogancë, pa u interesuar për qytetarët, mjedisin apo turizmin e po jep me konçesion çdo lumë e luginë për të ndërtuar hidrocentrale. Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996 dhe çdo vit vizitohet nga qindra turistë. E gjithë krahina ka investuar në aktivitete lidhur me turizmin, prej të cilit sigurojnë të ardhurat për të jetuar. Por pak kohë më parë, qeveria dha me konçesion ndërtimin e 11 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.

Artikulli paraprakDebati Rama-“Top Channel” për të devijuar vëmendjen nga krimi
Artikulli tjetërKryemadhi: Rama, një telekomandë në duart e krimit