Balluku për koncesionin e rrugës, Tiranë-Durrës, si për arreduesin e vilës së saj

Znj. Balluku merr përsipër të dalë me deklarata publike, që kanë lidhje me çështje që prekin interesin publik, prekin financat e çdo qytetari janë aset kombëtar, duke folur për to njësoj sikur të ishtë duke u shprehur për si dhe qysh ka marrë vendim të blejë një biçikletë për kohën e saj të lirë, apo se tek cili dyqan e blen djathin kaçkavall me pak yndyrë.

Znj. Minister harron se objekti i deklaratave të saj qëllon të jetë dhe objekt i akteve ligjore dhe nënligjore të posaçme, të cilat përcaktojnë në mënyrë të detajuar procedurat që duhet të ndiqen nga autoriteti kontraktor, në këtë rast, për dhënien me koncesion të operimit dhe mirëmbajtjes së autostradës Tiranë-Durrës.

“Unë kohët e fundit kam patur kontakte me shumë investitorë të huaj. Ministria ka përgatitur fisha të veçanta për çdo projekt për të gjetur partneritetin e duhur, qoftë edhe nga pikëpamja e eksperiencave që investitorët e huaj kanë, por edhe nga pikëpamja e interesit të zhvillimit që ato kanë në vendin tonë.” – thotë ministrja.

Në përgjithësi gjatë qeverisjes së Rilindjes dhe në veçanti në rastin e zonjës në fjalë, kur vjen puna tek zbatimi dhe respektimi i ligjit, kemi qenë dëshmitarë të mungesës së plotë të vullnetit, por vihet re se ka dhe një mungesë përpjekjeje minimale për të qenë korrekt me ligjin të paktën në nivel deklaratash.

Ministria nuk e gjen partnerin me takime në zyrën e ministrit apo investitorëve. Është procedura ligjore ajo që mundëson identifikimin e investitorit të interesuar, pjesmarrës në procedurë konkurruese apo fitues.

“Kështu që, rruga Tiranë-Durrës është dorëzuar në duart e disa investitorëve të huaj që kanë treguar interes, pasi ai është aksi kryesor që lidh kryeqytetin me portin tonë ndërkombëtar.”,- tha ministrja. Në vijim të një deklarate të tillë, znj. ministre ka detyrimin t’i bëjë me dije publikut se mbi bazën e cilës procedurë rruga Tiranë – Durrës na qenka dorëzuar në duar e disa investitorëve.

Objekte të tilla nuk dorëzohen kështu, si fjala vjen Belinda dorëzon pëlhurën tek rrobaqepësja personale e saj. Znj. Balluku të sqarojë, në këtë pikë, se çfarë ka ndodhur me këtë projekt. Në ç’formë e kanë shfaqur interesin investitorët e huaj, të cilëve znj.ministre na i paskërka dorëzuar në dorë rrugën në fjalë, sepse ligji parashikon një procedurë të qartë për shprehjen e interesit?

A ka studim fizibiliteti? Nëse ka, kush e hartoi, shteti apo privati? Gjithashtu, a ka miratim nga Ministria e Financës? A është ky një projekt që kërkon edhe mbështetje buxhetore? Pyetjet, të cilave duhet t’i japë përgjigje znj. Balluku, në vijim të deklaratave të saj të papërgjegjshme, janë shumë, por fillimisht do të arrinim të kuptonim ndonjë gjë se ç’ndodh me rrugët që do të na preknin xhepin drejtpërdrejt, nëse do të realizoheshin.

Departamenti i Antikorrupsionit në PD

Artikulli paraprakArrestimi i studentes, Berisha paralajmëron Ramën: Hiq dorë nga hakmarrjet personale se…
Artikulli tjetërShkencëtarët australianë kanë zbuluar injeksionin që e shëron kancerin