Avokati i Popullit: Kultura e vjetër komuniste është prezente

Avokati i Popullit, Igli Totozani thotë se, “ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture. Është kultura e vjetër që e pengon”.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, mori pjesë në aktivitetin “Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, organizuar nga Instituti për Integrimin e të Përndjekurve dhe Konrad Adenauer Stiftung- Zyra për Shqipërinë.
Në fjalën përshëndetëse, Avokati i Popullit, Igli Totozani mes të tjerash tha se: “Ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture. Është kultura e vjetër që e pengon.
E vlerësoj iniciativën tuaj për ngritjen e këtij memoriali. Unë jam jurist dhe nuk kuptoj nga memorialet, por vlerësoj se është një gjë e mirë dhe që duhet bërë në konsultim me grupet e interesit qoftë në zgjedhjen e  vendit ashtu edhe në përmbajtjen e veprës. Bëni shumë mirë, që do të ngrini një të tillë, sepse kultura mundet me kulturë dhe një memorial i tillë mund të jetë pozitiv në këtë drejtim.
Kur dikur studioja drejtësinë më kanë mahnitur autorë të njohur si Slobodan Milajçiç, i cili bën një krahasim shumë interesant midis rolit të gjyqësorit në të kaluarën dhe në demokraci. Në diktaturë sistemi gjyqësor dhe e drejta ishin mjete dhe instrumente dhune për të shtypur klasën e përmbysur. Sot, ato janë garancitë më të mira të shtetit të së drejtës, të të drejtave të qytetarëve. Janë ato që pengojnë qeveritë të dalin nga gardhi dhe të shkelin të drejtat e qytetarëve.
Një kujtim tjetër ishte vizita në arkivin e dosjeve të komunizmit në Gjermani. Aty njerëzit ishin të lirë dhe kishin mundësi të njihnin histori personale dhe historinë e tmerrshme të shoqërisë së tyre. Në të dy periudhat kuptohet qartë që njohja dhe edukimi janë elementë të rëndësishëm të një kulture të re, sepse vetëm një kulturë e re mund të mundë të vjetrën. Ju e dini që debati, bashkëpunimi, pranimi i kritikës janë pjesë e kulturës së re, ndërsa mungesa është pjesë e kulturës së vjetër”, theksoi Totozani.

Artikulli paraprakMaskat grabisin në mes të ditës një minimarket në Memaliaj
Artikulli tjetërArrestimi i Gjutës, vëllai: Po na sulmojnë strukturat shtetërore