Autoriteti i Konkurrencës: Paradoksi, ekonomia në stanjacion

Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar një monitorim në tregun bankar, nga rezultoi se gjatë viteve të fundit tregu bankar paraqet karakteristikat e një tregu me norma relativisht të larta fitimi në kushtet e stanjacionit të kreditimit; interesa shumë të ulëta të depozitave (deri në 0.55% mbi bazë vjetore nën nivelin e inflacionit).
Gjatë monitorimit u vunë re diferenca (spread) relativisht të larta mes interesave të kredive dhe depozitave; tendencës në rritje të interesave të letrave me vlerë të qeverisë, kryesisht afatgjata (obligacione) në kushtet e një politike lehtësuese monetare dhe kur norma bazë e interesit të depozitave kanë tendencë në rënie; ka rritje të komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit etj.
“Këto rrethana të bëjnë të mendosh që konkurrenca në sektorin bankar mund të jetë kufizuar ose shtrembëruar si rezultat dhe/ose pasojë e shkeljes së nenit 4 (marrëveshje të ndaluara) dhe/ose nenit 9 (abuzim me pozitën dominuese) të Ligjit nr. 9121 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’, i ndryshuar. Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të përgjithshëm në sektorin bankar për të vlerësuar nëse konkurrenca në këtë sektor është e kufizuar ose e shtrembëruar si pasojë e sjelljes së një ose disa bankave”, thuhet në deklaratën e Autoritetit.
Nga të dhënat e marra mbi portofolin e depozitave (e konvertuar në lekë për të gjitha monedhat) u vlerësua struktura e tregut të depozitave, e cila tregon se tregu i depozitave (në total) është një treg mesatarisht i përqendruar.
Portofoli i depozitave në vlera absolute, në shtator 2015 ka reflektuar një rritje me rreth 20 miliardë lekë të vlerës së tij krahasuar me vitin 2014, rritje kjo e ndikuar nga rritja e vlerës së llogarive rrjedhëse në rreth 14%. Rritja e vlerës së llogarive rrjedhëse është një fakt, i cili tregon për rritje të vlerës së likuiditeteve monetare në qarkullim, e cila mund të jetë pasojë e politikave për uljen e informalitetit dhe regjistrimin e bizneseve informale, gjë e cila çon edhe në formalizimin e qarkullimit të parave nëpërmjet sistemit bankar (derdhje detyrime fiskale, tatim taksa, sigurime, qarkullimi monetar nëpërmjet bankave për transaksione me vlera të larta, etj.). Ndryshe nga llogaria rrjedhëse, depozitat me afat paraqiten me tregues në rënie krahasuar me vitin 2014, e cila mund të ketë ardhur nga ulja e normës së interesit të depozitave me afat, e shoqëruar kjo me zhvendosjet e kursimeve të individëve në investime në instrumente të tjerë financiarë.
Nga vlerësimi i strukturës së tregut të depozitave për vitin 2014/9M-2015 rezultoi se depozitat me afat zënë pjesën më të madhe të tregut të depozitave me rreth 71% të tyre, e shoqëruar nga llogaritë rrjedhëse me 22% dhe më pas me depozitat pa afat me vetëm 7% të tregut. Nëse do t’i referohemi treguesve 9-mujorë të vitit 2015 do të vëmë re një ulje të lehtë të depozitave me afat kundrejt një rritjeje të llogarive rrjedhëse.
Kreditimi është procesi i dhënies hua të fondeve (burime financiare në formën e kapitalit të derdhur prej aksionerëve apo fondeve të grumbulluara nga depozitat), që banka disponon sipas kushteve të rëna dakord midis bankës dhe huamarrësit, i cili mund të jetë një individ, biznes apo korporatë. Nga të dhënat e BSH, pjesën më të madhe të kredisë e zë kredia e biznesit me rreth 50% të portofolit, overdrafti zë afërsisht 25% të portofolit, kredia hipotekore 20% dhe ajo konsumatore 4-6%.
Tregu i kredisë ka karakteristikat e një tregu mesatarisht të përqendruar. Tre bankat më të mëdha zënë 50% të tregut për vitin 2014 dhe 52% për vitin 2015, dhe pesë bankat më të mëdha zënë 66% të tregut si për vitin 2014 ashtu edhe për 2015. Në analizën sipas llojit të kredisë, produktet e kredisë konsumatore dhe overdraft-it për biznesin paraqiten në nivele të larta përqendrimi, ndërkohë që produkti i kredisë hipotekore tregu është më pak i përqendruar.
Nga administrimi i të dhënave, u konstatua se lëvizshmëria e klientëve nga një bankë në tjetrën (transferimi i kredive) për produktin e kredive është i ulët, klientët përballen me kosto administrative dhe financiare, element pengues në lëvizshmërinë e klientit nga njëra bankë në tjetrin. Në një treg të maturuar, për të rritur nivelin e konkurrencës në treg dhe rritjes së mundësisë së zgjedhjes konsumatore, duhet të krijojnë lehtësira për lëvizshmërinë e klientëve duke ulur kostot “bllokuese” (kostot të cilat e detyrojnë klientin të qëndrojë pranë një banke si komisione për mbyllje llogarie, kosto shtesë në rast të transferimit të pagës nga një bankë në një bankë tjetër përsa i përket produkteve të lidhura me llogarinë rrjedhëse (karta elektronike dhe overdraft), komisione/ penalitete për mbylljen para kohe të kredisë humbjen e interesit në rast të mbylljes para afatit të një depozite me afat, kosto administrative për klientin si kohë, rimbushje formularësh, përgatitje dokumentacioni, etj.).

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBiznesi në krizë, bie konsumi i energjisë