Autonomi apo autokraci?! (…dhe reagimi i drejtë i Romeos)

Luçiano Boçi

Ja u gjet dhe mekanizmi i zhbllokimit të pagave të pedagogëve!? E çuditshme se si i zgjidhin këta punët?! Si nuk u kujtuan më parë?!!
Një sms tringëllitëse dhe gjithçka mbaroi-thotë ministria. Nikolla lan duart me Universitetet. Madje ja lë përsëri në prehër Universiteteve, duke i përkëdhelur kokën se po shkojnë drejt autonomisë. Kjo jo vetëm që nuk është autonomi, por është dukshëm autokraci ministrore për të mos thënë kuçedërsi ministrore.
E hap rubinetin kur të dojë e si të dojë ajo. Këtë herë nga frika. Por ministria nuk mund t’i japë “leje” dot e as urdhër universiteteve për përdorimin e të ardhurave të veta, për pagat, sepse këtë nuk ia lejon ligji.
Neni 109 në pikën 2 e thotë fare qartë se:
“Të ardhurat e përfituara nga shërbimet, veprimtaritë kërkimore-shkencore, konsulencat, si dhe çdo e ardhur që realizohet nga veprimtaria ku merr pjesë personeli akademik ndahet ndërmjet personelit akademik dhe IAL-së, sipas rregullores së miratuar nga Bordi i Administrimit”.

Deri më sot, asnjë Bord Administrimi nuk ka në rregullore të tij, në asnjë prej universiteteve publike, përcaktimin që këto të ardhura mund të përdoren për paga, sepse po të ishte kështu nuk i “merrej dora” ministrisë, sepse mbi të gjitha këtë e pengon pika 3 e po këtij neni: “Institucionet publike të Arsimit të Lartë rregullojnë në aktet e tyre të brendshme mënyrën e përdorimit të fondeve të krijuara nga të ardhurat e përcaktuara në këtë nen, me përjashtim të të ardhurave nga Buxheti i Shtetit”.
Në vazhdim neni 110 përcakton qartë se, vetëm fondet e buxhetit të shtetit mund të përdoren për pagat e pedagogëve.
Për financimin e pagave (pika 3) duhet pikërisht ai udhëzimi i munguar i përbashkët, për të cilin u bë zhurma, i ministrit të Financave e ministrit të Arsimit. Pagat e hedhura kësisoj janë “të nxituara”, qesharake, të pavërteta, për të shuar revoltën e jo të ligjshme. Prandaj veprimi i Romeo Hanxharit është i drejtë! Ministria po shkel totalisht ligjin siç e ka bërë zakon këto vite.
“Frika ruan vreshtin”, thotë fjala e urtë. Por frika në panik, nga zemërimi i pedagogëve, e prishka fare vreshtin…e Ministrisë!

Artikulli paraprak“Ikin” 19 mijë të rinj, “shtohen” 11 mijë pleq në 2017-ën
Artikulli tjetërTriumfon betoni, masakra Veliera do të ndërtohet