Triumfon betoni, masakra Veliera do të ndërtohet

I bllokuar prej një viti, projekti “Veliera” do të bëhet realitet në sheshin që gjendet në zemrën e vjetër historike të qytetit bregdetar të Durrësit. Gjykata Administrative rrëzoi dje kërkesë-padinë e Shoqërisë Civile, që kërkonte anulimin e projektit të sheshit “Veliera”. Kërkesë-padia u pranua pjesërisht dhe Gjykata, e cila vendosi që Bashkia të mos zhvillojë punimet në zonën arkeologjike A, aty ku prej një viti kanë dalë rrënojat e shek. të 17-të. Në vendimin e saj,Gjykata nuk pranoi edhe një sërë kërkesash të Shoqërisë Civilie që kishin të bënin me shpërdorim detyre të kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që kanë dëmtuar zbulimet arkeologjike gjatë gërmimeve. Gjykata ka pranuar projektin e ri të sheshit “Veliera” të hartuar nga Bashkia e Ministria e Kulturës në të cilin mbrohet trashëgimia kulturore e zbuluar dhe nuk ka punime në zonën arkeologjike A. Pas këtij vendimi ka reaguar Shoqëria Civile. Përfaqësuesja e Shoqërisë Civile, Mirela Jorgo deklaroi se: “Nuk jemi aspak dakord me vendimin e Gjykatës. Çështjen do ta apelojmë dhe do ta çojmë në Strasburg”. Mësohet se, vendimi është dhënë pa praninë e mediave, pavarësisht se seanca ishte publike. Gjykatësi kërkoi nxjerrjen e gazetarëve, duke krijuar kështu konflikte e tensione në sallë.

Artikulli paraprakAutonomi apo autokraci?! (…dhe reagimi i drejtë i Romeos)
Artikulli tjetërBMI: Një zyrtar i lartë i PS, i përfshirë në trafik droge