Aspak izolacionist, Trump përballet me Kinën, Rusinë e Iranin, Gjermania i hapet gazit amerikan

Thonin se kishin kuptuar Donald Trump megjithëse duke mos e kuptuar fushatën e tij dhe as nuhatur shanset e tij konkrete për fitore. Një izolacionist, “puppet” i Putin, një katastrofë për rendin liberal, shqyenin veten komentatorët dhe ekspertët ditën e betimit e Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara. Por praktikisht nuk kalon javë që të mos dalin fakte të reja të cilat i detyrojnë që t’i nxjerrin gabim. Dy të fundit, sipas renditjes kohore, të shtunën dhe të hënën.
Sipas asaj që përcjell Wall Street Journal, Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka thënë një grupi parlamentarësh se Gjermania do t’ia hapë tregun e saj gazit natyral të lëngshëm amerikan dhe se qeveria federale do të bashkëfinancojë me 500 milion euro ndërtimin e një terminali në veri të vendit. Një zgjedhje “strategjike” që do të shpërblejë në perspektivë, e ka quajtur Kancelarja.
Është një lëshim kyç ndaj Presidentit Trump, i cili qysh kur ka ardhur në pushtet po provon të riekuilibrojë raportet tregtare midis dy anëve të Atlantikut dhe po kërkon që ta reduktojë varësinë e Europës nga gazi rus. Funksionarë gjermanë dhe amerikanë kanë shpjeguar se Berlini shpreson që gazi amerikan mund të ndihmojë të zgjidhet konflikti tregtar me Uashingtonin dhe të shmangen sanksionet e kërcënuara amerikane ndaj gazsjellësit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë.
Edhe së fundmi Trump e kishte fshikulluar Gjermaninë, duke ia demaskuar ambiguitetet e saj me Rusinë e Putinit. Në hapjen e samitit të NATO-s e korrikut me Sekretarin e Përgjithshëm të saj Stoltenberg, Presidenti amerikan e ka drejtuar gishtin menjëherë në plagë: “Gjermania është robinja e Rusisë për sa i përket energjisë dhe ne duhet ta mbrojmë nga? Na e shpjego”. “Shumë e trishtuar që Gjermania përfundon një marrëveshje të fuqishme për gazin dhe naftën me Rusinë, duke i paguar miliarda pas miliardash dollarë në viti, kur supozohet se ne duhet ta mbrojmë nga Rusia. Nuk ka kuptim”.
Importet e gazit natyror të lëngshëm amerikan janë rritur në shumë vende europiane midis 2016 dhe 2017: Spanja, Portugalia, Lituania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Vendet e Ulëta. Mungonte krejtësisht Gjermania, importet e të cilës me gaz varen sot në mbi 50% të tyre nga Moska. Ekspertët bien dakord se nuk do të ketë një përfitim të menjëhershëm ekonomik për Gjermaninë (edhe prej kostove të transportit dhe rigazifikimit, sipas vlerësimeve gazi amerikan do të kushtonte rreth 20% më shumë se ai rus, që vjen drejtpërsëdrejti nëpërmjet tubacioneve), por projekti mund të kontribuojë që të diversifikohen burimet e saj energjitike.

“Po krijojmë vende pune dhe po riforcojmë marrëdhëniet transatlantike. Shtetet e Bashkuara janë vërtet të impenjuara që ta sjellin gazin e tyre natyror në Europë dhe në Gjermani”, ka thënë Richard A. Grenell, ambasadori amerikan në Berlin, gjatë ceremonisë në kryeqytetin gjerman të njërit prej konsorciumeve në garë për ndërtimin e terminalit. Format e mbështetjes qeveritare nuk janë përcaktuar akoma, por vendimi duhet të formalizohet brenda fundit të vitit. Vendet e individualizuara janë dy: në afërsi të qytezës Stade apo të asaj Brunsbüttel, të dyja afër Hamburgut. Sipas Manfred Schubert, CEO i konsorciumit LNG Stade, vendi do të ishte plotësisht operativ nga viti 2023 në rast se financiamet do të garantoheshin brenda fundit të këtij viti. “Duhet ta bëjmë këtë hap tani dhe jo vetëm pse na e kërkon zoti Trump, por sepse është e domosdoshme për të ardhmen”, janë fjalët e Oliver Grundmann, një parlamentar gjerman nga Stade: “Stade do të jetë simboli i marrëdhënies së re transatlantike”.
Vendimi i së shtunës është njoftuar na fakt nga Presidenti Trump: Shtetet e Bashkuara synojnë që të tërhiqen nga Traktati i Forcave të Ndërmjetme Bërthamore (INF), domethënë lidhur me raketat me rreze të mesme (500 – 5500 km), që u nënshkrua më 1987 nga Ronald Reagan dhe nga Presidenti i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçiov. “Përderisa dikush e shkel këtë marrëveshje, ne nuk do të jemi të vetmit që do ta respektojmë”, ka thënë Presidenti amerikan. “Rusia e ka shkelur marrëveshjen, e shkel prej shumë vitesh, nuk e di se pse Presidenti Obama nuk ka negociuar apo nuk është tërhequr, kështu që kemi ndërmend ta mbyllim marrëveshjen dhe do t’i zhvillojmë ato armë”. “Veç në mos – ka shtuar ai – Rusia dhe Kina mos vijnë tek ne dhe na thonë: “Le të bëhemi të gjithë inteligjentë dhe asnjëri prej nesh nuk i zhvillon ato armë”… Por se Rusia dhe Kina po e bëjnë, kurse ne po e respektojmë marrëveshjen, është e papranueshme”, ka vërejtur Trump, kur në të njëjtën orë John Bolton, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i tij, ishte në Moskë me Sergei Lavrov, Ministrin e Jashtëm rus, ndoshta edhe për të përgatitur një samit të dytë midis Trump dhe Presidentit Putin brenda këtij viti (data mund të jetë 11 nëntor në Paris).
Tërheqja nga Traktati INF është një prej ndryshimeve më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane nga mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe nuk është rastësi që Presidenti Trump ka cituar edhe Kinë, e cila po i zhvillon këto raketa, por se në të vërtetë nuk po shkel asnjë traktat, nga momenti që nuk e ka nënshkruar kurrë, pasi është një traktat SHBA – BS. Megjithatë, mesazhi i Trump nuk është vetëm për Moskën, por edhe për Pekinin. Shtetet e Bashkuarta nuk do t’i lidhin duart për armatimet e tyre nga një traktat me një armik që nuk ekziston më ose të paktën nuk përfaqëson kërcënimin e dikurshëm ekzistencial, ndërkohë që rivali i vërtetë strategjik i shekullit të XXI-të – Kina është e lirë që të zhvillojë dhe dislokojë raketat që do.

Aspak izolacionist. Politika e jashtme e Presidentit Trump është “ambicioze, interventiste dhe globale”, siç ka shkruar Walter Russell Mead në Wall Street Journal. “Duke përcaktuar pas pothuajse 2 vitesh tentativa se 3 fuqitë revizioniste (të rendit ndërkombëtar, shënimi im.) – Kina, Rusia dhe Irani – nuk mundet, të paktën për momentin, të ndahen, administrata po përgatitet që t’i përballojë të treja njëherësh”.
Eskalimi i konfrontimit me Kinën: diskutimi i Zëvendëspresidentit Pence lidhur me strategjinë e frenimit të Pekinit; lufta e tarifave tregtare që intensifikohet më tej; tërheqja nga traktati i shërbimeve postare që avantazhin dërgesat kineze në Shtetet e Bashkuara dhe tani nga Traktati INF.
Linja e ashpër me Moskën, që mund të befasojë vetëm ata që besojnë akoma në përrallën e Trump si “puppet” i Putinit dhe në sajesën Russiagate (në realitet FBI-gate). Në të njëjtën javë që Presidenti ka njoftuar tërheqjen nga Traktati INF, për herë të parë prej 27 vitesh (nga shembja e Bashkimit Sovjetik) një aeroplanmbajtëse amerikane, Uss Harry Truman, ka hyrë në ujërat e ndodhura në veri të Rrethit Polar Arktik me grupin e saj të sulmit dhe të mbështetjes (3 destroyer, 1 kryqëzor dhe 2 nëndetëse), për t’u bashkuar me manovrat e NATO-s “Trident Juncture”.
Politika energjitike dhe tregtare ndaj Europës e Presidentit Trump po jep frytet e para, që nuk mund t’i pëlqejnë Putinit: për hapjen e Gjermanisë ndaj gazit amerikan dhe të importeve në rritje në vendet e tjera europiane tashmë kemi folur, por gjithmonë javën e kaluar, Polonia ka nënshkruar një marrëveshje prej 2 milion tonësh në vit gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara, 2.7 miliard metra kub (mbi 15% e konsumeve aktuale polake).
Po këto ditë, për saktësi të enjten e kaluar, Aaaron Wess Mitchell, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, përshkruante me terma lapidarë në Atlantic Council epokën e re të konkurrencës SHBA – Rusi, duke e quajtur Ukrainën, Gjeorgjinë dhe deri Bjellorusinë si “bastione kundër neoimperializmit rus” dhe duke shpallur një mbështetje më të madhe nga ana e Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të pavarësisë dhe sovranitetit të tyre.
“Nga Balltiku në Adriatik, duke kaluar nëpër Gadishullin Ballkanin dhe Kaukaz, rivalët e Amerikës po e zgjerojnë influencën e tyre politike, ushtarake dhe tregëtare. Në dritën e pushtimeve të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, Rusia është sërish një faktor ushtarak në këtë rajon. Shumë përtej kufirit, në vendet e Europës Qendrore, Rusia përdor taktika manipulative të energjisë, korrupsionit dhe propagandës për të dobësuar vendet perëndimore nga brenda dhe kompromentuar lidhjet e tyre me Shtetet e Bashkuara”.
Për sa i përket Iranit, pavarësisht aferës Khashoggi, administrata Trump mbetet e vendosur që të koordinojë me Riadin politikat e saj për të frenuar dhe izoluar Teheranin, duke filluar nga rivendosja e sanksioneve më të ashpra duke filluar nga 5 nëntori. “Presim që aleatët e Amerikës të mos i favorizojnë rivalët e saj”, ka thënë Mitchell, me një referim të qartë sidomos për Gjermaninë. “Europianët nuk mund të vazhdojnë ta rrisin varësinë e tyre energjitike nga po ajo Rusi prej të cilës Amerika i mbron. As të pasurohen falë po atij Irani që po ndërton raketa të cilat kërcënojnë Europën”.

Politika që sigurisht në kërkojnë një reduktim, por një rritje të impenjimit politik dhe ushtarak amerikan jashtë vendit. Pavarësisht aferës Khashoggi, edhe të drejtat e njeriut po ngjiten në axhendën e administratës, si armë për të ndërtuar konsensus rreth politika konfrontuese me Kinën, Rusinë dhe Iranin.
Edhe në planin tregtar, nuk ka një vizion ekonomik proteksionist apo një sulm radikal ndaj globalizimit që të drejtojë lëvizjet e administratës Trump. Tani që lufta e tarifave po nis të japë frytet e saj të para, po shfaqen më qartë objektivat e vërteta strategjike të Uashingtonit. Një objektiv ekonomik (reduktimi i deficitit tregtar), por sidomos një të tillë gjeopolitik: të ndalë Kinën, t’i frenojë ngritjen, ta pengojë që të reduktojë hendekun teknologjik, duke vënë në rregull, duke rikompaktësuar pas vetes aleatët, duke mos i akuzuar si në të kaluarën, por praktikisht duke i kërcënuar, duke ju kujtuar atyre sesa varen nga Shtetet e Bashkuara për sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të tyre.
Pas dy vitesh të mandatit, Trump ka arritur të rinegociojë NAFTA-n me Kanadanë dhe Meksikën, një premtim i fushatës elektorale që shumë e konsideronin si të pamundur për t’u mbajtur, dhe nënshkruar një armëpushim me Bashkimi Europian. Ditët e kaluara, Shtëpia e Bardhë i ka njoftuar Kongresit qëllimin për të nisur të negociojë marrëveshje bilaterale shkëmbimi të lirë me Bashkimin Europian, Mbretërinë e Bashkuara dje Japoninë.
Është pikërisht NAFTA e re, që sipas të gjitha gjasave do të shërbejë si model për marrëveshjet e ardhshme, ajo që do të zbulojë objektivin e vërtetë të Trump: në fakt, ajo përmban një klauzolë të pagëzuar si “antikineze”, në kuptimin që u ndalon palëve kontraktuese të nënshkruajnë marrëveshje të shkëmbimit të lirë me vendet që nuk janë ekonomi tregu. Dhe jo rastësisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian – me ndonjë arësye thelbësore – refuzojnë që t’i njohin Pekinit statusin e ekonomisë së tregut në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Aspak kërcënim ndaj rendit liberal, mund të jetë treni i fundit për ta reformuar dhe shpëtuar. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të riformulojnë një rend ndërkombëtar që po largohet nga interesat e tyre dhe po tenton të shkojë drejt çrregullimit, të ripërkufizojnë në avantazh të tyre ekuilibrat, raportet me aleatë dhe rivalë, përpara se të jetë shumë vonë. Përpara se të jenë rivalët, mbi të gjithë Kina, ata që të kenë pushtet të mjaftueshëm për të imponuar modelin e tyre.
Nuk është e thënë që strategjia e administratës Trump të funksionojë dhe të ketë sukses. Është problemi politik për ta bërë një vend jashtëzakonisht të përçarë, siç është sot Amerika, që të mbështesë një politikë të jashtme kaq ambicioze, rriskuese dhe të kushtueshme apo të paktën të mos i kundërvihesh. Është edhe problemi gjeopolitik i angazhimit njëkohësisht të kundërshtarëve si Kina, Rusia e Irani dhe aleatëve zhurmëmëdhenj si Bashkimi Europian.
Për shembull, ditë më parë Presidenti rus Putin e ka quajtur një “gabim të madh strategjik”nga ana e Shteteve të Bashkuara penalizimin e kompanive europiane që bëjnë biznes me Iranin, një gabim hybris, arrogance, tipik i një “fuqie perandorake” që “ndjehet kaq e fortë dhe e qëndrueshme se nuk do të ketë pasoja negative. Por jo: herët apo vonë, do të shfaqen”.
Do të ketë të drejtë Putini? Nuk mund ta parashikojmë nëse politika e jashtme e Presidentit Trump do të jetë një sukses, një dështim apo “një rrugë e ndërmjetme” midis të dyjave, arsyeton Walter Russell Mead, por “duket i vendosur që ta trondisë sistemin ndërkombëtar ashtu siç ka bërë me politikën amerikane”.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakRama me gruan e tij, pazar në dyqanet më të shtrenjta të Nju Jorkut!
Artikulli tjetërKotzias: Ja sa kilometra det do t’i merrnim Shqipërisë në marrëveshje me Ramën