Artistët ngrihen në protestë kundër HEC-eve mbi Vjosë

 

Koncerti me moton “Mos ma prek Vjosën” u mbajt dje në orën 19:00 në Sheshin Skënderbej dhe kishte për qëllim të ndërgjegjësojë publikun e gjerë dhe vendimmarrësit mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë natyrore të vendit tonë, si dhe mbrojtjen e lumit Vjosa nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve.
“Arti nuk është shpëtimtar i botës, gjithashtu jo domosdoshmërisht mund të përmirësojë mëkatet e vendimmarrësve kundrejt shoqërisë, tokës, natyrës, ujit apo çfarëdo situate të pasigurtë jetësore! Arti, fal vetëm zërin paqësor, për të sensibilizuar, ndërgjegjësuar ndaj pasojave të pariparueshme kolektive, për të cilat gjithkush duhet të luftojë, në momentin dhe kohën e duhur”, shprehen artistët në mesazhin e tyre.
“Ne jemi këtu për të bashkuar njerëzit në kauzën për mbrojtjen e Vjosës dhe ftojmë të gjithë të mblidhemi tok dhe përtej 1001 halleve që ka shoqëria e vendi ynë t’i japim zë kësaj kauze”, shtuan ata nëpërmjet një njoftimi për shtyp të martën.
Koncerti përfshin këngëtaret dhe muzikantët Elina Duni, Eda Zari, Gent Rushi, Rob Luft, Vlashent Sata, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Charles Lamouroux, Ermal Rodi, Florian Garcin, Emiljan Dhimo, Grupi Polifonik Lunxhëria, Blerat & Besfort Këpuska, Dj. ODA. Ky koncert mbahet një vit pas koncerteve protestë me temë mjedisore, “Mos ma prek Valbonën” dhe “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri”.
Sipas shkencëtarëve, lugina e Vjosës përbën një habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh që janë shumë të rralla ose janë zhdukur fare nga lumenjtë e tjerë të Evropës. Megjithatë, shumë prej këtyre gjallesave tashmë kërcënohen të zhduken nga ndërtimi i planifikuar i hidrocentralit të Poçemit dhe ai i Kalivaçit. Pavarësisht premtimit elektoral të kryeministrit Rama për shpalljen e Vjosës park kombëtar dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve, në korrik 2015, Këshilli i Ministrave i hapi rrugën procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Poçemit, megjithë kundërshtinë e aktivistëve mjedisorë dhe atë të banorëve që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit.
Në nëntor 2016, Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit dhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji”. Një muaj më vonë, tri organizata mjedisore – EcoAlbania nga Shqipëria, Riverwatch nga Austria dhe EuroNatur nga Gjermania – ngritën një padi gjyqësore kundër projektit të Poçemit.
Në një vendim të paprecedentë më 2 maj 2017, Gjykata Administrative në Tiranë pranoi padinë e banorëve dhe të aktivistëve, duke gjetur se procedurat e ndjekura në dhënien e kontratës koncesionare, përfshirë procesin e konsultimit publik, qenë bërë në shkelje të ligjeve shqiptare, si dhe legjislacionit të Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit. Pavarësisht fitores së arritur nga aktivistët dhe banorët e Vjosës, tre javë pas vendimit të Gjykatës Administrative, qeveria hapi një tender të ri për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi lumin Vjosë.

BIRN

Artikulli paraprakArmët me leje, kriteret minimale ngrejnë pikëpyetje mbi sigurinë dhe përfituesit
Artikulli tjetërProvat italiane për “Audin” e ministrit me targa AA 003 GB dhe përgjimet