Arti i integrimit europian

Sergei Guriev

Viti i fundit ka qenë plot me zhvillime të ndryshme. Përveç fitores së Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara u shfaqën një pjesë e dobësive më të mëdha të Bashkimit Europian, me votën e Britanisë së Madhe për t’u larguar nga blloku si eventin më të vështirë. Por Brexit nuk ka pse të jetë fillimi i fundit të bashkimit. Në fakt, mund të shërbejë si alarm zgjimi duke nxitur veprim për të adresuar problemet e BE-së.
Disa liderë europianë po përpiqen ta kapin këtë mundësi duke i nxitur vendet anëtare të BE-së që “ta kompletojnë bashkimin”. Pa Mbretërinë e Bashkuar, argumentojnë ata, do të jetë më e lehtë të avancohet kauza e integrimit, duke qenë se vendet e mbetura janë më pak heterogjene dhe më të gatshme për të ndërmarrë hapat që Britania i ka kundërshtuar.
Një hap i tillë – dhe që ka marrë vëmendje të vazhdueshme që pas fillimit të krizës së euros – do të ishte bashkimi bankar. Edhe pse është bërë progres domethënës në këtë aspekt, integrimi bankar europian nuk është drejt fazës së përfundimit. Në punët e papërfunduara përfshihen skema e depozitave dhe sigurimit, si dhe krijimi i aseteve të sigurta sovrane apo garanci sigurie për zonat e eurozonës.
Një tjetër hap potencial, i motivuar nga asimetria e thellë e peformancës ekonomike të vendeve të eurozonës gjatë krizës, do të ishte skema e përbashkët kundër papunësisë, ku nxitja ciklike e punësimit të financohej nga buxheti i Bashkimit Europian. Në fund, kriza e refugjatëve ka nxitur edhe një diskutim të skemës së përbashkët të përforcimit të kufijve të jashtëm të BE-së, duke i alokuar azilkërkuesit ndërmjet vendeve anëtare dhe duke financuar integrimin e tyre në shoqëri.
Të gjithë këto elementë dhe shumë të tjerë, janë ide të diskutuara gjatë dhe janë elaboruar deri në pikën sa kanë lidhur axhenda të implementueshme. Megjithatë, është bërë një progres minimal. Britania e Madhe rezulton se nuk është forca e vetme në kontinent që e refuzon integrimin e mëtejshëm europian.
Megjithatë, ata që kundërshtojnë integrimin europian e bëjnë në varësi të propozimeve specifike, por gjithsesi nuk sjellin përfitime për vendet anëtare të BE-së. Në disa raste, propozimet mund të rezultojnë të jenë përfitime të ardhshme afatgjata, por gjenerojnë kosto fillestare, si në rastin e disa vendeve. Në një kohë kur vendet më të mëdha europiane po përgatiten për zgjedhje të rëndësishme këtë vit dhe kur politikanët antiestablishment janë duke dalë kundër partive të moderuara, shumë liderë kombëtarë duket se nuk janë të gatshëm të rrezikojnë kapitalin e tyre politik për të miratuar reforma të tilla.
Por po sikur reformat të bëheshin më joshëse? Bllokimi i rezistencës mund të arrihet lehtë, ndoshta vetëm duke mbledhur propozimet së bashku. Propozimet me avantazhe të dukshme mund të kombinohen dhe kundërbalancohen me ato që sjellin më shumë përfitime për të tjerët dhe kostot afatshkurtër mund të eklipsohen nga arritjet afatgjata në të ardhmen.
Le të marrim në konsideratë përpjekjet për të adresuar krizën e refugjatëve. Sapo u bë e qartë se disa vende, veçanërisht në Europën Qendrore, nuk ishin të gatshëm të pranonin kuotat e strehimit të imponuara nga BE, u propozua që azilkërkuesit të lejoheshin të zgjidhnin se ku donin të strehoheshin. Buxheti i BE-së do të mbulonte kostot, ndoshta duke përdorur bono të lëshuara së fundmi.
Por kjo ide mund të përballet me kundërshtime të mëdha, për shkak të faktit se vendet që tërheqin më shumë refugjatë janë ato që kanë ekonomi më të fuqishme dhe që kanë më pak nevojë për financimet e BE-së. Zgjidhja mund të ishte prezantimi i një mase tjetër, prodhimi i transferimeve në drejtimin e kundërt, në përputhje me politikat e refugjatëve.
Për sa i përket çështjes së refugjatëve, gjithmonë do të ketë probleme. Rezistenca sociale kundër emigracionit në një vend si Gjermania, e nxitur më shumë nga terrorizmi dhe retorika politike populiste, mund të dëmtojë implementimin e politikës së përbashkët të emigracionit, por në këtë rast, mund të implementohen rregullimet përkatëse për ta përshtatur politikën me nevojat individuale të vendit.
Mbledhja e reformave së bashku i bën ato më tolerueshme për vendet anëtare. Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me negocimin, por me kompletimin dhe mbrojtjen e mëtejshme të Bashkimit Europian duke ndërtuar institucione më të forta. Nëse Bashkimi Europian kërkon të vazhdojë të promovojë hapjen dhe demokracinë liberale, atëherë duhet të mbështesë fuqimisht dhe me çdo mjet të nevojshëm integrimin. Për t’u arritur kjo, të gjithë liderët europianë duhet të garantojnë që vendet anëtare të përfitojnë njëlloj gjatë procesit.

Artikulli paraprakMerkel takohet në Mynih me Mike Pence
Artikulli tjetërBurrel, ish-kreu i komunës vetëhelmohet në makinë