Merkel takohet në Mynih me Mike Pence

Merkel kërkon forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Angela Merkel u takua me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, ku u bisedua për konfliktin në Siri dhe Ukrainë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih kërkoi në konferencë (15-17.02) forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Jam e bindur se sfidat e botës së sotme, nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, ato kërkojnë përpjekje të përbashkëta”, tha Merkel në kuadër të takimit me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence të shtunën në Mynih. Merkel theksoi, se ka “bindjen e thellë” se ia vlen të luftojmë së bashku për struktura të përbashkëta multilaterale. Por ato duhet të përmirësohen së bashku, tha ajo duke theksuar se “të vepruarit bashkë na forcon të gjithëve”. Po ashtu, Merkel zhvilloi edhe takimin e parë me përfaqësues të qeverisë së re të Donald Trump, me zëvendëspresidentin, Mike Pence. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert u shpreh se, “në takim në qendër ishin marrëdhëniet e ngushta bilaterale e miqësore, si edhe sfidat e përbashkëta në politikën e jashtme”. Merkel bisedoi me Mike Pence edhe për konfliktin në Siri dhe Ukrainë.

Jo rritje masive të buxheteve të mbrojtjes
Lidhur me kërkesat amerikane për më shumë shpenzime në fushën e mbrojtjes, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjemania nuk mund të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në mënyrë kaq masive, si kërkohet nga qeveria amerikane. Gjermania nuk mund të rrisë buxhetin më shumë se 8% në vit tha ajo. “Më shumë nuk mund të bëhet faktikisht”, tha Merkel të shtunën në Mynih. Por ajo theksoi se mbështet qëllimin e NATO-s që më së voni deri në vitin 2024 të ofrohet së paku 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. “Gjermania e di përgjegjësinë e saj”, tha Merkel duke theksuar se ajo nuk është për diskutime minimizuese, kush është më i militarizuar e kush jo.

Artikulli paraprakSHBA, katër kandidatë për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare
Artikulli tjetërArti i integrimit europian