Arsyet pse po falimentojnë masivisht bizneset e vogla

Nga Ledina LOGA

Lavdije Bogdani, në dhjetor të vitit 2016, ka mbyllur biznesin e saj në Durrës, por ajo mbi vete ka ende shumë borxhe, të cilat u detyrua që t’i merrte fillimisht për të ngritur parukerinë e saj, që e hapi në janar 2016 dhe më pas, për të blerë një kasë fiskale. Këto borxhe ajo thotë se nuk i ka larë ende. Në gjendje shumë të rënduar, Lavdija tregon që inspektorët tatimorë, që në muajin e parë të punës, i kishin vendosur një gjobë në masën e 50 mijë lekëve për mungesë të kasës fiskale, ndonëse ajo thotë se e kishte bërë aplikimin për marrjen e saj dhe e kishte dokumentin përkatës për këtë. Lavdija, e cila është kryefamiljare me dy vajza të mitura, thotë se pas asaj, nuk e ka marrë më veten nga ana financiare.
Në gusht të 2015-s, edhe Tone Gjergji, vendosi që në katin e parë të banesës së saj në Kamëz, të hapë një biznes të vogël familjar, bar-kafe. Shumë shpejt do të bënte kërkesën për pezullim, pasi nga ai biznes nuk po nxirrte më asgjë, megjithëse nuk paguante qira. Në moshën 49-vjeçare, zonja Tone thotë se e ka të vështirë të gjejë një punë.
Njësoj si familjet Bogdani dhe Gjergji, edhe familja Bizhga ka qenë e angazhuar prej vitesh në sipërmarrjen e biznesit të vogël, ku djali dhe bashkëshortët kishin hapur nga një sipërmarrje individuale. Rudina Bizhga administronte aktivitetin në fushën e bilardos në rrugën e burgut në Tiranë, që nga 2013-a, por për shkak të xhiros së ulët, u detyrua ta mbyllte. Rubeni, i biri, kishte një piceri, i cili gjithashtu vendosi ta mbyllte, pasi me të ardhurat e gjeneruara nuk mund të paguante detyrimet, qira, taksa dhe paga punëtorësh. Tani të tre ata janë të angazhuar në biznesin e vogël të zotit Bizhga, ku sikurse argumentoi Rudina, fakti që janë të angazhuar të tre në biznes, iu ka kursyer pagat e punonjësve.
Bar-kafeja e zotit Flori Trashi në Sauk ishte një biznes familjar, në të cilin ishin angazhuar të gjithë familjarët. Ai thotë se nuk funksionoi, teksa së pari fatura e energjisë eklektike vinte shumë e lartë, 30-40 mijë lekë në muaj, tatimet, kasa 500 euro, kështu vendosi që ta mbyllë.
Edhe Valbona Dushku kishte dhjetë vite që e kishte hapur aktivitetin e bar-kafesë së bashku me të shoqin, në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Pasi puna i shkoi në zero, ajo vendosi të mbyllte aktivitetin. Tani, tha ajo, kam përfunduar shitëse në një furrë buke. Si arsye për falimentimin e biznesit të saj, zonja Dushku dha rënien e fuqisë blerëse, qiranë e lartë që nuk justifikohej më prej xhiros dhe shpenzime të tjera si energjinë elektrike, por edhe konkurrencën e lartë.
Të gjitha këto histori, larg atyre që jemi mësuar të shohim e reklamohen në media dhe që të sjellin në mendje një ekonomi migjeniane, në kushtet e mbijetesës, u konstatuan nga një sondazh që “Monitor” realizoi me një kampion prej 300 biznesesh nga një total prej 10 mijë biznesesh që kanë kaluar në listën e subjekteve pasive të publikuar nga tatimet vetëm në 6-mujorin e dytë 2016 nga i gjithë vendi. Intervistat u realizuan në muajin shkurt, përmes telefonit. Bizneset u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme dhe u pyetën në lidhje me arsyet e pezullimit të biznesit.
Ky është sondazhi i dytë radhazi, pas atij që u realizua në shtator 2016, me 300 subjekte që kishin kaluar në status pasiv vetëm në Tiranë në 6 muajt e parë të vitit 2016. Këtë herë, sondazhi përfshiu gjithë Shqipërinë.
Në linjë me sondazhin e parë, gati 70% e bizneseve që u anketuan dhanë si arsye të mbylljes së aktivitetit krizën. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (55%) kishin pasur aktivitet të tregtimit me pakicë apo bar-kafe.

70% mbyllen nga kriza

Në linjë me sondazhin e parë, gati 70% e bizneseve që u anketuan dhanë si arsye të mbylljes së aktivitetit krizën. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (55%) kishin pasur aktivitet të tregtimit me pakicë apo bar-kafe.
Rënia e fuqisë blerëse, rritja e konkurrencës, qiratë e larta, gjobat dhe taksat (e hapësirës publike tek bar-kafetë), por edhe dukuri si emigracioni ishin disa prej arsyeve kryesore që dhanë të intervistuarit. Sondazhi konstatoi dhe shumë biznese që kishin tentuar të formalizoheshin, pas aksionit të tatimeve, por ishin mbyllur sërish, pasi nuk mund të mbijetonin nëse do të duhej të paguanin të gjitha detyrimet. Ka dhe biznese që janë mbyllur për shkak të gjobave minimale prej 30 apo 50 mijë lekësh.
Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë, por që tani po vuajnë pasojat e rimodelimit të saj, si kalimi drejt subjekteve të mëdha (qendrave tregtare e supermarketeve), që po çojnë drejt mbylljes shumë prej tyre. Sipas Anketës së Ndërmarrjeve të INSTAT për vitin 2015, në Shqipëri ka 93 mijë ndërmarrje të vogla aktive apo gati 90% e totalit. Ato zënë një peshë të rëndësishme në punësim, me rreth 33% të totalit, ndërsa në shitjet neto, kontributi i tyre është shumë më i ulët në 14.3%. Për shkak të peshës së lartë në punësim, mbyllja e subjekteve mikro, që po vjen më së shumti për shkaqe strukturore, pritet të kthehet në një problem të madh në të ardhmen, për shkak të mungesës së investimeve të mëdha, që do të amortizonin pasojat në papunësi të kësaj kategorie të mikrondërmarrjeve.

Gjobat, rritja e kostove dhe taksat e hapësirës mbyllin bizneset

Gjobat dhe taksat e hapësirës vazhdojnë të mbeten një faktor për mbylljen e bizneseve sipas njerëzve të intervistuar gjatë sondazhit. Kleidon Duro, me aktivitet bar-kafe, tha se e mbylli biznesin pasi nuk po përballonte dot më taksat e larta, por edhe puna shkoi në zero. “Njerëzit u stepën kur qeveria filloi aksionin e famshëm. Tani unë jam i papunë”, tha kryefamiljari Duro. Edhe Florjan Koçeku tregoi se për shkak të rritjes së taksave, vendosi të pezullonte aktivitetin dhe të lëvizte jashtë.
Taksat e larta ishin motiv edhe për zotin Arif Karafili. Arifi kishte një biznes të vogël, bar-kafe në zonën e Kinostudios ku, përveç se ishte vetëpunësuar, kishte punësuar dhe 5 punëtorë. Fillimisht tha ai, iu rrit taksa për hapësirën publike, rreth 50 mijë lekë, më pas çmimi i energjisë elektrike, fatura e ujit vinte nga 9 mijë lekë në 16 mijë lekë, si dhe u detyrua të sigurojë të gjithë punëtorët që kishte marrë në punë. Në total, pati rreth 100 mijë lekë në muaj kosto shtesë dhe e pa të arsyeshme që ta mbyllë. Arifi, 41 vjeç, i cili është edhe kryefamiljar, aktualisht është i papunë. Pyetjes se si i del për të mbajtur familjen Arifi e shmangu…
Ferdinand Xhani, nga Durrësi, i cili kishte një aktivitet të tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore tha se kishte hapur një dyqan ushqimor përpara zgjedhjeve, duke zbatuar të gjitha rregullat. Por për shkak se kishte marrë një gjobë në masën e 50 mijë lekëve për mosafishim të posterit ku kujtohet tërheqja e kuponit kishte mbyllur aktivitetin. “E apelova, por nuk fitova. Tani jetoj falë ndihmës ekonomike të njerëzve që kam jashtë”, tha ai.
Për situatën e vështirë të bizneseve, zoti Florian Arapi, avokat me profesion nga qyteti i Elbasanit, thotë se “keq të hapësh biznes, por më keq ta mbyllësh. M’u rritën sigurimet shoqërore, taksat… nuk po e përballoja dot më”, thotë Floriani.
Vështirësi me inspektorët tatimorë ka hasur dhe Myslym Sinani, nga Patosi. “M’u bë jeta skëterrë, më rrinin tatimorët te dera si xhandarë. Kisha frikë se do të shkoja në burg. M’u bë puna stres. Tani rri pa punë”, tha zoti Sinani.
Erion Plepi, me aktivitet tregtimi me pakicë në Fier, tha se për pamundësi ekonomike, për të shlyer një gjobë prej 30 mijë lekësh vendosi që të mbyllte aktivitetin. Edhe Elvis Osmani, i cili kishte një bar-kafe në Selitë, kishte mbyllur aktivitetin për shkak të pamundësisë për të paguar gjobën. “Mora një gjobë prej 50 mijë lekësh, të cilën nuk mund ta paguaja dot, prandaj e mbylla aktivitetin”, tha ai kur u pyet për arsyet e pezullimit të aktivitetit.

Qiratë e papërballueshme

Arsye tjetër që dhanë bizneset për pezullimin e aktivitetit ishte edhe qiraja e papërballueshme, e cila nuk justifikohej me xhiron e aktivitetit. Kasjani Blluci, e cila kishte një mezeri në rrugën “Qemal Stafa”, tha se e mbylli aktivitetin pasi i zoti i dyqanit vendosi t’i rriste qiranë. Zonja Blluci paguante rreth 40 mijë lekë gjatë sezonit të dimrit dhe 60 mijë lekë në sezonin e verës. Pasi iu komunikua se do ta kishte qiranë 70 mijë lekë, ajo vendosi që të mbyllte përfundimisht aktivitetin.
Edhe Tatjana Balla tha se arsyeja për mbylljen e aktivitetit të saj në rrugën “Ali Demi”, tregti me pakicë e veshjeve, u bë qiraja shumë e lartë.
Mimoza Puka, që gjithashtu e kishte pezulluar biznesin, tha për “Monitor” se gjatë periudhës kur ushtronte aktivitetin kishte hasur shumë vështirësi, sidomos me përballimin e qirasë së lartë.
Marjanthi Fasho, e cila tregtonte me pakicë këpucë në Rrugën e Durrësit, tha se më shumë leverdi kishte të jepte dyqanin me qira se sa të zhvillonte biznesin e saj. Edhe Arius Tahiraj, i cili kishte një bar-kafe në Rrugën e Kavajës, tha se e kishte lëshuar ambientin me qira. Padyshim që të ardhurat e përfituara nga qiraja vijnë më lehtë, pa shumë stres, tha ai. Në Rrugën e Kavajës, sipas zotit Tahiraj, qiratë për bizneset variojnë rreth 60-70 mijë lekë.
Disa prej të anketuarve kanë deklaruar se po i mbyllin bizneset për t’i dhënë ambientet ku kanë ushtruar aktivitetin me qira.

70 % e bizneseve të vogla pohojnë se janë goditur nga kriza

Rreth 70% e bizneseve, të përzgjedhura rastësisht, dhanë si arsye për mbylljen e aktivitetit krizën. 163 prej tyre (më shumë se gjysma) operonin në fushën e tregtimit me pakicë dhe atë të bar-kafeve. Shkëlzen Dema, prej vitesh është punëtor në një qebaptore në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai thotë se puna nuk krahasohet me atë të disa viteve më parë. “Nuk ka më para si dikur, por edhe njerëzit janë të prirë që ta kursejnë më shumë atë”. Ai tha se në zonën e ish-Bllokut, në pak muaj janë mbyllur 6 dyqane me veshje për shkak të krizës. Kudret Muçollari vendosi të zhvillonte një biznes në Tiranë. Në pak muaj ai do të falimentonte. Tani është kthyer përsëri në Përmet dhe punon ku të mundet. Ai tha për “Monitor” se nuk kishte punë. Juljan Velçani tha se të gjitha kursimet i kishte investuar në hapjen e biznesit në Tiranë. “Nuk kishte punë. Investova të gjitha kursimet e mia, por shpenzimet ishin shumë të larta, kështu që e mbylla dhe tani më mirë më del të punoj me rrogë”, tha ai i pyetur për arsyet e pezullimit të aktivitetit. Edhe Ilir Zoto pohoi faktin se biznesin e kishte mbyllur për shkak të krizës. “Nuk më leverdiste ta mbaja më. Tani punoj diku tjetër ku marr më shumë të ardhura se sa në biznesin që kisha”, u shpreh Zoto. Edhe zoti Petraq Kolvani ka dhënë si arsye krizën. Ai u shpreh se lagjja në të cilën kishte hapur biznesin e tij ishte shumë e varfër. Momentalisht, i papunë, ai tha se do të tentojë sërish të hapë biznes në një zonë tjetër të Tiranës.

Artikulli paraprakShpunësimi masiv, 12 kompani do tërhiqen nga call center në Shqipëri
Artikulli tjetërEuropa “mban frymën”